PËLLUMB KARAMETA
Siç është njoftuar nga mediat (ende, nuk ka raporte nga Agjencia përgjegjëse), rezultatet e provimeve të shtetit, zhvilluar gjatë këtij viti, janë zhgënjyese. Kështu, p.sh., sipas kreut të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, në Provimin e Shtetit u regjistruan 538 studentë, nga të cilët 242 nuk kaluan (44.98%). Alarmante cilësohet performanca e të diplomuarve në universitetet private. Nga universiteti “Kristal”, p.sh., nuk ia dolën 142 studentë ose 58.6%. Kuptohet lehtë. Studenti nuk arrin të kualifikohet si profesionist që të ushtrojë profesionin e tij, edhe pse është i detyruar të shpenzojë mbi 5000 orë nëpër leksione e seminare dhe, më pas, ditët e një viti për t’u praktikuar. Për institucionet arsimore, ky është dështim dramatik në detyrën e tyre më themelore. Për familjen, dëmi, më e pakta 10 milionë lekë, vetëm për arsimimin e një fëmije në sektorin universitar publik. Shoqëria, më në fund, po kupton se sistemi, për të cilin investon jo pak çdo vit, po shkërmoqet, përkundër gjithë sa thanë politikanët, sipërmarrësit dhe administratorët e arsimit. Pra, po vjen ora e së vërtetës! Natyra komplekse e gjendjes e vështirëson shterimin e argumentit, por ka elemente që duhen sjellë në vëmendjen e publikut.
Po nisem nga ligji nr. 10171, datë 22. 10. 2009, që përcakton rregullat për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të profesioneve të rregulluara. Sipas këtij ligji, “provim i shtetit është kontrolli vetëm për njohuritë profesionale të kandidatit, që organizohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ky provim kryhet sipas përcaktimeve të parashikuara në këtë ligj dhe vlerëson njohuritë dhe aftësitë e kandidatit për ushtrimin e një profesioni të rregulluar”. Më tej: “Provimi duhet të sigurojë njëjtësi në vlerësimin e kandidatëve, në nivel kombëtar, përmes verifikimit të aftësive të nevojshme profesionale, sipas specifikave të çdo profesioni” (theksimi – P. K.). Nuk është vështirë të kuptohet se, këtu, ka diçka jo të vogël që nuk shkon. Ligji, fillimisht, thekson vetëm kontrollin e njohurive. Më pas, shton dhe aftësitë profesionale. Madje, dhe kjo është thelbësore, nuk përcakton si duhen kuptuar këta terma. Ndoshta i koncepton si sinonime të njëri-tjetrit? Ky pështjellim, fillimisht, prek përmbajtjen dhe formën e testimit që mat nivelin e formimit të kandidatit. Më tej, theksi mbi njohuritë ndikon në vetë kurrikulën universitare, pasi provimi i shtetit ka ndikim të fortë prapaveprues mbi sistemin arsimor. Ky i fundit, do të theksojë njohuritë, pasi ato kontrollohen në provimin që të jep licencën. Ndaj, po ndalem te dallimi terminologjik dhe ndikimi prapaveprues i provimit të shtetit.
1. Sot, bota e arsimit dallon qartësisht dijen disiplinore të kodifikuar në tekst, nga njohuria që ndërton subjekti, kur e nxë këtë dije. Po kështu, dallohet aftësia nga kompetenca profesionale. Termi i parë nënkupton kapacitetin mendor dhe fizik të personit për të realizuar veprimet në një situatë të caktuar. I dyti shpreh produktin e trajtimit efikas dhe të pranueshëm të situatës në fjalë. Për ta thënë më qartë, infermieri, p.sh., mund ta ketë aftësinë “për të bërë gjilpërën”, por për sa kohë kjo nuk demonstrohet praktikisht, askush nuk mund ta pohojë zotërimin e saj. Kur kjo gjë provohet – pas injeksionit te pacienti sikundër e kërkon standardi, flitet për kompetencën. Aftësia, pra, është parakushti i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për formimin e kompetencës. Kjo e fundit, integron në strukturën e saj elemente të tjera, si njohuritë, shkathtësitë, qëndrimet dhe vlerat. Dhe, mbi të gjitha, procesi i ndërtimit dhe i zhvillimit të kompetencave profesionale, realizohet nga shkrirja në një e veprimtarisë mendore me atë fizike, përmes veprimeve që personi kryen në situata, sipas një cikli të përcaktuar. Situatat integrojnë dijet disiplinore dhe mjetet e tjera kurrikulare, nga një anë, me aftësitë, shkathtësitë, vlerat dhe qëndrimet, që subjekti ka ndërtuar ose vijon t’i ndërtojë tashmë. Kështu, kjo mënyrë konceptimi bën të diskutueshme vetë mënyrën se si ligji e ka përcaktuar “praktikën profesionale”. Madje, jo vetëm atë. Kontrolli i njohurive, sipas përcaktimit ligjor, bën që kandidatët të shpenzojnë orë të shumta në përpjekjet për të regjistruar dhe organizuar në kujtesë njohuritë rreth dijeve disiplinore të kodifikuara për të cilat testohet. Kjo ka qenë forma mbizotëruese e nxënies në shekullin e shkuar. Sikundër tregojnë kërkimet, ajo është efikase për afro 20% të personave, që dallojnë nga koeficienti i lartë i inteligjencës fluide, që arrin kulmin në këtë moshë. Për pjesën tjetër, kjo formë e nxënies kthehet në makth të vërtetë. Për më shumë, edhe fatlumët, që arrijnë të riprodhojnë pjesë të njohurive në testim, nuk arrijnë “t’i përdorin” ato më pas, pasi humbin nga kujtesa, brenda një kohe të shkurtër, rreth 70% të informacionit që regjistruan në fazën e përgatitjes për provim.
2. Sa i takon ndikimit prapaveprues të provimit të shtetit, pra reformimit të kurrikulave universitare, zgjidhja e problemit ndikohet, së pari, nga evoluimi në kuptimin për dijen që personi e shndërron në njohuri, duke vepruar. Sipas sociologut të shquar M. Castells: “Dija, si e tillë, nuk është më mendimi për një ‘gjë’, diçka e prodhuar nga mendimi njerëzor dhe e kodifikuar më pas në disiplina. Dija e konvertuar në njohuri nuk kuptohet më si diçka që mund të përcaktohet, të zbulohet, të depozitohet dhe të matet, por si një forcë gjeneruese, fluide dhe dinamike ose kapacitet për të bërë gjëra, diçka që ndërtohet bashkërisht nga ekipet e njerëzve dhe që ndodh në marrëdhëniet ndërmjet tyre. Është proces, më shumë se produkt; është diçka që ndryshon, evoluon, rrjedh dhe e rigjeneron veten përherë në forma të reja”. Të gjitha këto bëjnë që universitetet, në vend që të përhapin dijet (duke theksuar disiplinat), duhet të marrin përgjegjësitë që t’i ndihmojnë studentët të menaxhojnë, planifikojnë, përzgjedhin, përdorin, organizojnë, zbatojnë dhe vlerësojnë me efikasitet idetë dhe informacionin, në përpjekjet e tyre për të ndërtuar njohuritë e reja dhe kompetencat profesionale.
Në optikën bashkëkohore, reformimi i kurrikulës universitare po orientohet nga shndërrimet e shoqërive të sotme dhe evolucioni i dijeve. Këto janë madhështore dhe pështjellojnë vazhdimisht përmbajtjet dhe format e nxënies në universitet. Reformimi, kështu, po sfidon fetishizimin e disiplinës dhe parimin e transmetimit të dijeve të fiksuara dhe të pandikuara nga rrjedha e kohës. Po nxiten shndërrime që disiplinat universitare të mos izolohen më si ishuj të vegjël nëpër programe studimi dhe vite akademike. Tani dialogu ndërmjet disiplinave është bërë i pashmangshëm. Formimi i kompetencave kërkon përdorimin e burimeve që mobilizojnë dije me origjina disiplinore të ndryshme, me natyrë materiale, njerëzore dhe emocionale etj. Ilustrim i idesë te “A Tuning Guide to Formulating Degree Programme Profiles – Including Programme Competences and Programme Learning Outcomes” (2010), mbështetur nga BE-ja. http://core-project.eu/documents/Tuning%20G%20Formulating%20Degree%20PR4.pdf.
Për të konkretizuar dëmin që sjell mbivlerësimi i disiplinave akademike dhe shkëputja nga kontekstet e jetës reale, po i referohem profesionit të mësuesisë, një nga profesionet e rregulluara me ligj. A nuk janë të tejmbushura kurrikulat e fakulteteve me dije akademike (nga matematika, gjuhësia etj.)? A nuk konstatojmë se mësuesit e rinj, kur dalin në punë, i referohen më shumë modelit të ndonjë mësuesi që ka lënë mbresa tek ata, se asaj për të cilën janë trajnuar? Ky profesion duhet të integrojë dijet e kodifikuara me kompetencat profesionale, praktikën në punë dhe këmbimin e përvojave kombëtare e ndërkombëtare. Ja përse është thelbësore të kuptohet dallimi mes formimit të biologut dhe atij të mësuesit të biologjisë. Sigurisht, kjo nuk e mohon aspak rëndësinë e dijeve që lidhen me disiplinat akademike, por, tani, del në pah nevoja për t’i integruar ato në kurrikulën e fakultetit, në thellësi e gjerësi. Nëse duam mësues me kulturë të gjerë, kurrikula duhet rivlerësuar nga pikëpamja e profesionalizimit të mësuesisë, duke e plotësuar atë me elementet që lidhen me historinë e lëndës, me epistemologjinë e saj dhe me lëndët e tjera. Kështu, mësuesi i ardhshëm, nëpërmjet veprimeve në situata të përcaktuara, ndërton sisteme njohurish dhe shkathtësish të sofistikuara dhe të baraspeshuara rreth disiplinave akademike përkatëse, rreth nxënësit dhe psikologjisë së tij, rreth teorive kurrikulare e atyre të nxënies. Këtu të shpie analiza krahasuese e zhvillimeve në botë dekadën e fundit. Universiteti i Harvardit (ShBA) i ndihmon studentët t’i formojnë kompetencat profesionale përmes qasjeve që bazohen në situata. Në Fakultetin e Drejtësisë, p.sh., ekziston rindërtimi i gjykatës, ku studentët simulojnë gjyqe me dosje nga rastet reale.
Në kontekstin e këtyre argumenteve, universitetet mund t’i formojnë studentët me një kurrikul që thekson disiplinat dhe t’i konceptojnë ato si pikënisje e pikëmbërritje të procesit formues. Por mund dhe ta sfidojnë këtë qasje tradicionale: të synojnë formimin e studentëve për t’i përdorur përmbajtjet disiplinore dhe ato jetësore si burime për të ndërtuar njohuritë e reja dhe kompetencat profesionale. Të kuptuara, këto, si kapacitete të studentit, që e lejojnë të integrojë sistemet konceptuale dhe procedurore, me njohuritë, shkathtësitë, vlerat dhe qëndrimet.
Kushdo në arsim e di se reformat nuk po godasin në zemrën e problemit; ndërkaq, retorika e pushtetarëve po shpërfill mendimin ndryshe. Kjo të kujton historinë e burrit që ecte këmba-dorazi përgjatë rrugës së ndriçuar. Një kalimtar, që deshi ta ndihmojë, e pyeti se çfarë po bënte dhe burri i tha se po kërkonte çelësin e makinës. “Ku e humbe?” e pyeti kalimtari. “Ja, atje, poshtë rrugës” i përgjigjet burri. “Po, atje poshtë, është errësirë. Këtu ka dritë” – i thotë kalimtari. “Prandaj po e kërkoj këtu” – ia kthen burri.
Nëse duam të gjejmë atë që ka humbur arsimi, na duhet guximi për të shkuar drejt “errësirës”.