Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, në një dalje para mediave ka paraqitur sot shifra lidhur me problemet nga të cilat vuajnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit, ndërsa parashtroi edhe 10 propozimet e PS për përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend, për të cilat kërkoi angazhimin e mazhorancës në Kuvend për t’i shqyrtuar me seriozitet
Kodheli kërkoi që të merren masa për heqjen e akcizës për naftën në sektorin e bujqësisë, pasi rrit dhe i bë në papërballueshme për fermerin shqiptar si dhe heqjen e TVSH për plehrat kimike. Ajo shtoi se PS ka një plan të qartë veprimi për rimëkëmbjen e bujqësisë, e cila sipas PS është lënë në një gjendje të mjeruar.
Duke iu referuar sipërmarrjes së lirë, deputetja e PS theksoi se ajo sot ndodhet në ditët e saj më të këqija, pasi përballet me shumë vështirësi në pagesën e taksave dhe me rritjen e nivelit të kredive të këqija.
“Biznesi i vogël është në falimentim dhe kreditë e këqija janë rritur me ritme të frikshme. Këto e bëjnë që biznesi të përjetojë krizën që është ulur këmbëkryq në ekonominë shqiptare. Propozimi ynë është heqja e gjobave”, – shtoi Kodheli.
19 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)