Në Shijak shemben katër shtëpi, familjet mbeten në qiell të hapur
Reshjet e dendura të shiut, të cilat vazhdojnë të bien pa ndërprerje që prej dy netësh kanë shkaktuar probleme në zonat e Durrësit, Beratit dhe Shkodrës, duke përmbytur disa lagje. Alarmi jepet sidomos në dy qarqet e para, ndërkohë që nga përmbytjet rrezikohet edhe qyteti verior, por që deri dje, situata ka qenë nën kontroll.
Durrës
Sa i përket Durrësit, mësohet se dhjetëra banesa në zonën e Golemit në Kavajë janë përmbytur dhe uji, në disa zona ka hyrë deri në 1 metër nëpër shtëpitë përdhese, ndërkohë që nuk është marrë ende asnjë masë për t’u ardhur në ndihmë këtyre banorëve. Sipas banorëve, dy net më parë janë hapur portat e rezervuarit të Manskurisë, e për pasojë uji ka përmbytur banesat. Ata thonë se kanalet kulluese janë tërësisht të papastruar e të bllokuar, e për pasojë në banesat e tyre ka hyrë jo vetëm uji i shiut, por edhe ujërat e zeza. Disa familje në zonat e “Plazhit” dhe Shkozetit në Durrës kanë nisur të braktisin përkohësisht shtëpitë për t’u strehuar tek të afërmit. Depërtimi i ujit në banesa ndodh sa herë që bie shi, por deri tani askush nuk ka ndërhyrë për përmirësimin e infrastrukturës kulluese. Niveli i ujit është më i lartë në sektorin “Hekurudha”, ku banorët përpiqen më kot të largojnë ujin me pompa. Ndërsa në Shijak, lumi Erzen ka dalë nga shtrati, duke rrezikuar jetën e katër familjeve, të cilëve u janë shembur banesat.
Ndërsa në disa banesa në komunën e Gjepalaj, 15 km larg Durrësit kanë rrëshqitur dherat, por fatmirësisht pa pasoja për jetën e banorëve. Prefekti i Qarkut të Durrësit, Genc Alizoti, tha se rrëshqitja e tre banesave në Gjepalaj është edhe pasojë e reshjeve të pandërprera. Alizoti bëri të ditur se grupet e ndihmës dhe verifikimit të dëmeve, të ngritura nga komuna dhe prefektura e qarkut, po marrin masat për sistemimin e përkohshëm të banorëve. Ndërsa në Shijak, lumi Erzen ka dalë nga shtrati i tij, duke rrezikuar jetën e katër familjeve, të cilëve u janë shembur banesat. Ata kanë mbetur në qiell të hapur për shkak të fatkeqësisë, kështu që aktualisht janë strehuar në ambientet e Konvaleshencës.
Kruja
Edhe në Fushë-Krujë dhe Krujë ka pasur përmbytje, por sipas të dhënave, situata është nën kontroll, duke pasur parasysh edhe sasinë e madhe të reshjeve që kanë vazhduar deri në orët e vona të natës. Probleme vazhdon të ketë në zonën bregdetare në veri të qarkut, ku tensioni i ulët elektrik, e ka bërë të pamundur veprimtarinë normale të hidrovorit në fshatin Hamallaj. Në këtë zonë, prej kohësh nuk garantohet tensioni nominal elektrik dhe puna e pajisjeve dhe aparaturave të hidrovorit është vështirësuar së tepërmi. Ndërkaq, sipas prefektit Alizoti grupet e specialistëve të ndërmarrjes Ujësjellës-Kanalizime në Durrës vazhdojnë punën për zhbllokimin e sipërfaqeve të zëna me ujë, në lagjet e plazhit dhe ato të Shkozetit.
Berat
Reshjet e mëdha të shiut të rëna me intensitet gjatë ditës djeshme kanë përmbytur për minuta të tëra rrugët e qytetit të Beratit. Shiu ka përmbytur rrugën kryesore të lagjes “30-vjetori”, kthesën përpara gjykatës së këtij qyteti, rrugën kryesore të lagjes “22 Tetori”, si dhe qendrën e qytetit të Beratit. Bllokimi i kanaleve të ujërave të larta është bërë sërish shkak që uji të vërshojë në rrugë, duke përfunduar në disa pjesë të rëndësishme të aksit Uznovë-Kombinat dhe në trotuare. Tregtarët ambulantë të këtij qyteti si dhe drejtuesit e mjeteve janë përballur të parët me vërshimin e menjëhershëm të ujit pas bllokimit të pusetave të ujërave të larta. Vetëm pasi kanë pushuar reshjet e shiut, situata është normalizuar, ndërkohë që ky është një problem i njohur në këtë qytet sa herë që ka reshje shiu me intensitet.
Shkodër
Reshjet kanë sjellë edhe pasigurinë nga përmbytjet tek banorët e Obotit në komunën e Anës së Malit. Ata shprehin shqetësimin e tyre, pasi niveli i ujit është në rritje, duke rrezikuar jo vetëm tokat bujqësore, por edhe banesat. Këta banorë bëjnë apel për marrjen e masave, duke qenë se janë të paralajmëruar për prag-emergjencën. Deri në këto momente, vërshimi i Lumit Buna ka përfshirë disa hektarë të tokës bujqësore, ndërkohë që me dhjetëra familje flenë me frikën e përmbytjeve. E njëjta frikë është edhe për zonat ku kalon lumi Kir, i cili është fryrë gjatë ditëve të fundit, ndërsa reshjet vazhdojnë të bien pa ndërprerje. Re. Rre.