Borxhet, me paratë e sponsorit, bardheblutë synojnë të shmangin edhe kërcënimin e FIFA-s për heqje pikësh


24 herë kampionët premtojnë se brenda javës do të shlyhen disa nga pagesat e prapambetura


Altin Manallari


Është folur shumë për çështjen e rrogave te Tirana. Por duket se ajo që është thënë gjatë këtyre ditëve të fundit është thjeshtuar shumë. Aq sa thuajse të gjithë e kenë nënkuptuar se me shlyerjen e rrogave të futbollistëve gjithçka mbaron. Por në fakt, kriza financiare e Tiranës nuk mbaron me vetëm kaq. Skuadra 24 herë kampione e Shqipërisë po kalon një periudhë shumë të keqe financiare. Fakti që është një shoqëri aksionare e administruar nga bashkia duket se e ka komplikuar pak çështjen, sepse për të  mbushur borderonë e rrogave të lojtarëve, paratë nuk parashikohen në fondet e dhëna nga “qeveria” lokale e Tiranës, por ato do të duhet të sigurohen nga sponsorë të ndryshëm. Për sa mësohet brenda ambienteve të klubit rekordmen për tituj të fituar në Shqipëri, ky sponsor është gjetur. Por e vetmja gjë që për momentin po krijon amullinë e mosshlyrejes së disa rrogave të lojtarëve deri më tani nuk ka lidhje shumë me mungesën e dëshirës së sponsorit për të derdhur lekët, por thjesht me disa detaje që nuk janë përputhur në kohën e duhur në momentin e duhur. Burime të besueshme brenda klubit bardheblu kanë bërë të ditur jo më larg sesa dje se derdhja e parave nga ana e sponsorit është vetëm çështje kohe. Madje është kaluar edhe në detaje. Sponsori gjatë kësaj periudhës së fundit të zhurmës së madhe nuk ka qenë në Shqipëri, por i impenjuar diku jashtë vendit dhe vetëm ditën e hënë është rikthyer në Tiranë. Nuk ka mohuar aspak premtimin e bërë, por që ato para të premtuara të shkojnë në vendin e duhur, nevojitet pak kohë (disa ditë) që procedurat bankare të përfundojnë sipas rregullave. Kjo është ajo që krijon besimin se shumë shpejt llogaria e klubit Tirana do të mbushet. Por asgjë nuk është kaq e thjesht sa duket. Për momentin nuk është bërë ende e ditur shuma që sponsori (i cili nuk dëshiron të bëhet publik, por kjo zgjedhje është mirëkuptuar edhe nga klubi) do të derdhë në arkën e klubit të menaxhuar nga bashkia e kryeqytetit. Rrogat që mendohen se do të mund të shlyhen me një pjesë të kësaj derdhjeje parash janë ajo e tetorit të vitit 2011 dhe ajo e tetorit të këtij viti. Pra dy rroga së bashku. Por kjo llogari nuk do të ishte e sinqertë, pasi paratë që do të derdhen nga sponsori nuk do të përdoren vetëm për shlyer lojtarët, sepse Tirana ka edhe disa “gropa të zeza”, të cilat do të duhet të mbyllen. Dhe për këtë Tiranës i duhet një menaxhim i mirë i parave. Sikurse është bërë e njohur prej javësh, bardheblutë kanë edhe probleme në lidhje me borxhet kundrejt futbollistëve, të cilët kanë fituar gjyqin në Lozanë të Zvicrës. Disa prej tyre janë kaluar në apelim, ndërsa të tjerët do të duhet të paguhen për të shmangur ndonjë penalizim të FIFA-s, sikurse është paralajmëruar. Dhe mendohet se një pjesë e parave, që priten të derdhen nga sponsori “anonim” do të mund të përdoren për të eliminuar këtë çështje. Gjithsesi, për të qenë korrektë, do të duhet të presim zhvillimet në klubin e Tiranës, për të mësuar se si qëndron e vërteta.


 


Tri rroga


Deri tani lojtarët e Tiranës kanë dy rroga të pashlyera, atë të tetorit të vitit 2011 dhe të tetorit 2012, por më 20 dhjetor vjen data për t’u shlyer edhe rrogat e nëntorit 2012