Ambasadorja e Gjermanisë së Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper, i ka bërë thirrje klasës politike shqiptare për të gjetur rrugën e bashkëpunimit dhe miratimin e tre ligjeve dhe vijimin e reformave të kërkuara nga BE.


“Shqipëria e humbi një shans në fund të këtij viti, por gjithsesi nuk është gjithçka e humbur. Vendi juaj do të marrë statusin e vendit kandidat nëse miratohen 3 ligjet e kërkuara nga BE, pasi kërkohet realizimi i reformave në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria i ka të gjitha shanset të ecë përpara në udhën e integrimit europian”, deklaroi diplomatja gjermane gjatë fjalës së saj përshëndetëse në konferencën “Diplomacia publike në epokën digjitale”.


Në këtë takim ka marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, i cili kavbënë theksin në funksionin e rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm të diplomacisë publike në epokën digjitale, si dhe bashkëpunimin e ngushtë të dikasterit që ai drejton me aktorët e ndryshëm të shoqërisë civile.


“Nuk mund të flasim për politikë të jashtme, diplomaci publike, kulturore, ekonomike, integrim pa nisur nga vetë procesi i demokratizimit të vazhdueshëm të mbarë shoqërisë sonë. Dhe ky demokratizim nuk mund të  kuptohet dhe realizohet pa një ndërveprim mes të gjithë aktorëve të shoqërisë sonë; mes identiteteve të ndryshme etnike, fetare e kulturore, si një domosdoshmëri humane në radhë të parë, por edhe si shprehje të një stadi të ri emancipues e qytetar, sepse vetëm kësisoj ne jemi në gjendje të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin, por edhe të mësojmë prej njëri-tjetrit, madje edhe atëherë kur idetë dhe mendimet janë të ndryshme, në mos të papajtueshme me të tonat”,- ka thënë ministri Panariti.


20 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)