Presidenti Teodoro Obiang



  • Rrëzoi nga pushteti xhaxhain e tij në një grusht shteti më 1979-n

  • U bë diktatori më jetëgjatë aktual i botës pas rrëzimit të Muamar Gadafit të Libisë më 2011-n

  • Më 2006-n, “Forbes” vlerësoi pasurinë e tij neto në 600 milionë dollarë


 


Guineja Ekuatoriale



  • Popullata: 700 000

  • PBB: 19.8 miliardë

  • Renditet e njëzeta në botë për PBB për frymë para Islandës dhe Britanisë së Madhe

  • Renditet 163 nga 176 vende në listën e më të korruptuarve në botë

  • Është vendi i vetëm afrikan ku spanjishtja është gjuhë zyrtare


Një kryeqytet i ri diku në mes të xhunglës


Stephen Sackur, BBC


Banorët e Guinesë Ekuatoriale duhej të ishin mes më të pasurve të botës, por në shumë mënyra, të ardhurat e vendit nga nafta dhe lënda drusore nuk mbërrijnë te ta. Tetë vjet pas një grushti shteti të dështuar, futja e parave në xhepat e njerëzve nuk është mes prioriteteve të Presidentit.


Thellë në pyjet e shiut, një kupolë gjigante çeliku dhe xhami përbën ndërtesën kryesore të projektit më madhështor dhe më të shtrenjtë ndërtimor në të gjithë Afrikën. Biblioteka e re e Universitetit Ndërkombëtar të Afrikës Qendrore ka pamjen e një anijeje kozmike dhe po vendoset në mes të xhunglës.


Përreth kupolës, një kampus i gjerë po merr formë.



Buldozerët, vinçat dhe skuadra ndërkombëtare ndërtimi nga Brazili, Polonia e Koreja e Veriut po kthejnë ëndrrën e Presidentit Teodoro Obiang, njeriu që e quan veten garantues të paqes dhe nxitës të zhvillimit të Guinesë Ekuatoriale, në një realitet sfidues për logjikën.


Universiteti është një pjesë e vogël e ambicies së Presidentit për të ndërtuar qytetin Afrikan të së ardhmes. Oyala do të jetë kryeqyteti i ri i vendit, një lojë multimiliardere e diktatorit më jetëgjatë të Afrikës. Përgjatë një autostrade të sapondërtuar me gjashtë korsi, të titulluar “Bulevardi i Drejtësisë”, po ngrihet hoteli i parë luksoz i Oyalës. Ai do të ketë 450 dhoma, spa dhe sallë kongresesh.


Një fushë golfi po shtrohet sakaq pas pastrimit të pyjeve të virgjëra. “Për mua është një park ëndrrash”, thotë Vicente Cabrera, kryeinxhinier i universitetit të ri, ndërsa ofron guidë nëpër Oyala. “Unë jam nga Spanja. Në shtëpinë time infrastruktura dhe ndërtimi kanë vdekur. Këtu nuk ka limite.”


Por ka edhe probleme. Vetë Presidenti është një vizitor i shpeshtë. Ndërtesa e universitetit së fundmi u desh të zhvendosej, për shkak se ai nuk e pëlqeu peizazhin. Për rrjedhojë, projekti po vonohet të zbatohet.


Çdo gozhdë, tullë apo tjegull importohet. Guineja Ekuatoriale është e pasur me naftë, gaz, lëndë drusore. Por nuk prodhon asgjë. Edhe ushqimi i konsumuar nga skuadrat e ndërtimit sillet me kamionë në xhungël nga Kameruni.


Brenda një dekade, Oyola do të jetë shtëpia e Presidentit, e qeverisë dhe sipas një plani, e mbi 200 mijë njerëzve. Se nga do të vijnë banorët, askush nuk e di. E gjithë popullata e këtij vendi është shumë e vogël dhe jeton shumë larg prej kryeqytetit të ri, pranë brigjeve të detit.


Por është pikërisht fakti që Oyala gjendet larg që e josh Presidentin. Në një intervistë të rrallë, ai përshkroi se si rebelët po kërkonin të organizonin një sulm nga deti mbi kryeqytetin aktual Malabo.


“Ne kemi nevojë për një vend të sigurt për qeverinë time dhe qeveritë e së ardhmes. Kjo është arsyeja se pse krijuam Oyalën, për të garantuar qeverinë”, thotë ai. “Obsesioni i Presidentit me sigurinë i ka rrënjët në të shkuarën e tij. Ai erdhi në pushtet me një grusht shteti kundër xhaxhait të tij 33 vjet më parë dhe ka qenë dyshues ndaj çdo opozite politike që nga ajo kohë.”


Kritikët vendas dhe aktivistët e të drejtave të njeriut që bëhen shqetësues, ftohen të meditojnë ndaj mungesës së besnikërisë në një vend famëkeq të njohur si burgu i Plazhit të Zi. Shumë kundërshtarë janë akuzuar se kanë bërë komplot me shtetet e huaja për të rrëzuar qeverinë.


Më 2004-n dështoi një grusht shteti i udhëhequr nga mercenari britanik Simon Mann, (që dyshohet se u financua pjesërisht nga Mark Thatcher, i biri i ish-kryeministres Margaret Thatcher). Sot Presidenti mbetet i bindur se grushti i shtetit kishte mbështetjen e qeverive të huaja.


“Ai grusht shteti u organizua nga disa fuqi, ne dimë gjithçka mbi të”, më tha ai mua. “Djali i Margaret Thatcher ishte i përfshirë bashkë me shumë personalitete të njohura. Nuk është e mundur që grushti u përgatit në Spanjë, Londër, Afrikën e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara pa dijeninë e shërbimeve të sigurisë të këtyre vendeve. Simon Mann u fal dhe u lirua nga burgu i Plazhit të Zi tri vite më parë, por marrëdhëniet e Presidentit Obiang dhe qeverive perëndimore kanë mbetur të komplikuara. Ata duan akses te pasuria nëntokësore e vendit pa u shfaqur si mbështetës të regjimit të tij.


Nga ana e tij, Presidenti është i shqetësuar veçanërisht për procedimet ligjore kundër djalit të tij të madh dhe pasardhësit të mundshëm në Francë dhe SHBA. Një pallat me gjashtë kate dhe 12 makina luksoze që i përkisnin të birit Teodorin, janë konfiskuar nga hetuesit francezë. Amerikanët kanë konfiskuar një shtëpi në Malibu, një avion privat dhe 2 milionë dollarë koleksion me mjete të Michael Jackson.


SHBA-ja thotë se Teodorin, 40 vjeç, dhe së fundmi, i emëruar si zëvendëspresident, kaloi dhjetëra milionë dollarë nga të ardhurat e shtetit në llogaritë private. “Procesi në Paris është një farsë politike”, thotë Presidenti. “Ata akuzojnë djalin tim se ka përfituar ilegalisht këto gjëra, por nuk kanë dërguar ndonjë komision në këtë vend për të bërë hetime. Askush nuk vjedh këtu… përkundrazi, qeveria ime ka rritur mirëqenien për njerëzit dhe ka ofruar infrastrukturë më të mirë.”


Por pesë minuta larg nga pallati presidencial, ka shenja të dukshme që pasuritë e stërmëdha të vendit nuk po shkojnë te shumica e njerëzve. Pasi i shpëtova vëmendjes së shoqëruesve të qeverisë, u takova me një bukëpjekës në një lagje me baraka druri.


“Ne nuk kemi ujë të pastër dhe as kanalizime”, më thotë ai, duke bërë me shenjë nëpër rrugët pas barakës së vet. “Tashmë është në rregull, por kur bie shi, gjithçka bëhet pellg.”


Ky është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në Afrikën nënsahariane. Në PBB për frymë dhe në letër është një nga vendet më të pasura në botë. Por shumica e popullsisë jeton me më pak se 1 dollarë në ditë, ndërsa jetëgjatësia mesatare është vetëm 55 vjeç.


Një i ri, rreth të njëzetave, një nga të shumtët që nuk pranon të flasë me emër, lejon zemërimin të shpërthejë. “Presidenti dhe familja e tij janë asgjë veç hajdutë. Njerëzit janë të frikësuar këtu, por një ditë do të shpërthejnë.”


Për momentin, Presidenti Obiang dhe partia e tij duket se kanë kontroll të plotë. Në zgjedhjet e fundit presidenciale fitoi 97 për qind të votave. “Është një shtet policor si Koreja e Veriut”, thotë deputeti i vetëm i opozitës, Placido Mico. “Ata përdorin paratë e naftës si një armë kundër demokracisë.”


Unë pyeta Presidentin 70-vjeçar nëse ka ndër mend të qëndrojë në detyrë deri sa qeveria të transferohet në kryeqytetin e ri në xhungël…


“Varet nga dëshira e popullit”, thotë ai. “Kur populli dëshiron diçka, ne nuk duhet t’i zhgënjejmë.”