Kryeministri Berisha e ka konsideruar historike mbledhjen e sotme të KRRTRSH, pasi do të vendosë për dy projekte gjigante në fushën e energjetikës, që në tërësi përbëjnë investime në vend prej 2.7 miliardë eurosh, atë të Kaskadës së Devollit dhe të gazsjellësit TAP.
Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se të dy këto projekte që për nga rëndësia e tyre dalin jashtë kufijve të këtij vendi dhe janë dy ndër më të rëndësishmet që nisin zbatimin vitin e ardhshëm në Europë.
Sipas kryeministrit projekti i Kaskadës së Devollit do të jetë një superinvestim prej 800 milionë eurosh që do ndërtohet nga kompania numër një e HEC në Europë.
“Ky është me më shumë se 800 milionë euro investim, në tre hidrocentrale, bazuar në tunele me dhjetëra kilometër, projekt ky që transformon në mënyrë rrënjësore sistemin hidroenergjetik të vendit dhe përbën një hap cilësor drejt shndërrimit të vendit në superfuqi energjetike rajonale. Punëson direkt e indirekt mbi 7 mijë punëtorë, teknikë, inxhinierë, ekonomistë, drejtues, jurist, etj” tha Berisha.
Ndërsa projekti tjetër me rëndësi ndërkombëtare, ai i gazsjellësit Transadriatik, sipas kryeministrit Berisha është një arritje historike për vendin tonë, pasi me këtë projekt Shqipëria merr një rol qendror në shpërndarjen e gazit në Ballkan, në Ballkanin Perëndimor dhe krahun e Europës Perëndimore, pasi gazi do të kalojë drejt tregut tjetër, por edhe drejt Veriut dhe vendeve të tjera ballkanike. Ndërkohë, ai shtoi se TAP do të bëjë të mundur hapjen e mijëra vendeve të reja pune, rreth 20 mijë të tilla.
20 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)