ERMELINDA MEKSI 


Ermelinda Meksi“Çmimi i pabarazisë” titullohet një shkrim brilant i nobelistit, Joseph E.Stiglitz, më i lexuari në botimet e “Project-Syndicate” për vitin 2012. Në këtë shkrim, pasi trajton nivelin e pabarazisë në ekonominë më të madhe të botës, atë amerikane ku 1% e popullsisë më të pasur përfiton 93% të rritjes së të ardhurave, Sliglitz tregon se kriza ekonomike ka përkeqësuar nivelin e pabarazisë. Kjo si pasojë e politikave të detyruara për shkurtime në shpenzimet themelore sociale, por edhe për shkak të rritjes së papunësisë, duke bërë presion në rënien e pagave që kanë sjellë uljen e nivelit të jetesës së pjesës me të ardhura të ulëta të shoqërisë. Komisioni i Kombeve të Bashkuara i Ekspertëve mbi Reformat Monetare dhe Financiare të sistemit ndërkombëtar, duke hetuar shkaqet e recesionit së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar, kanë paralajmëruar se pabarazia çon në paqëndrueshmëri ekonomike.


Prandaj nobelisti i njohur tërheq vëmendjen sa nuk është shumë vonë për të luftuar pabarazinë dhe pasojat negative që ajo sjell me qëllim që sipas tij, të mos komprometohej ideja: Amerika vend i mundësive.


Po Shqipëria?


Pas leximit të këtij shkrimi, mendimi menjëherë shkon te vendi ynë dhe vështirësitë që po kalon ekonomia jonë. Kjo po reflektohet në përkeqësimin e pothuajse të gjithë treguesve ekonomikë që karakterizojnë zhvillimin e qëndrueshëm. Në një reagim ditët e fundit, Banka Botërore na kujtoi se “rënia e rritjes ekonomike godet familjet me të ardhura më të ulëta. Shqipëria mbetet një nga vendet më të rrezikuara nga çmimet e ushqimeve për shkak të peshës së lartë të shpenzimeve që ushqimet zënë në buxhetin e familjeve shqiptare”. Në kushtet e rënies ekonomike, thellimi i pabarazisë bëhet më evident me gjithë pasojat e veta sociale dhe ekonomike.


Është i njohur fakti se veçanërisht në vende me institucione të dobëta, në kushtet e përkeqësimit të ekonomisë shfaqet më fort përqendrimi i pasurisë në një pakicë, ndërsa një shumicë në rritje nuk mund të përballojë as minimumin e jetesës.


Të dhënat në Shqipëri dëshmojnë këtë dukuri. Ato dëshmojnë se më pak se 5% e shqiptarëve zotërojnë më shumë se gjysmën e pasurisë së depozituar në bankat e vendit, pa folur për pasuri të tjera që për mungesë informacioni është vështirë të vlerësohen. Pabarazia sociale nuk lë vend për mburrje mbi rritjen ekonomike, pasi këto standarde pabarazie sipas institucioneve të sipërpërmendura paralajmërojnë paqëndrueshmëri ekonomike. Paqëndrueshmëria ekonomike, si dhe mungesa e një rritjeje efikase në Shqipëri, reflektohet tashmë nga një kundërshti shifrash për zhvillimin ekonomik, veçanërisht në periudhën 2010-2012.


Rritja ekonomike e pretenduar nuk prodhon as punësim, as të ardhura. Ndërsa pretendohet për rritje eksportesh, investimesh të huaja apo publike, ato nuk kanë prodhuar rritje të ardhurash për ekonominë tonë, duke reflektuar nevojën për reforma strukturore, si rruga e duhur për sigurimin e rritjes së qëndrueshme. E vetmja rritje është ajo e borxhit publik. Edhe kredia për biznesin, ndërsa pritej të rritej si pasojë e stimulit monetar në 2012-n, është ngadalësuar, kurse kredia e re ka pësuar rënie. Kjo situatë për zhvillimet e pritshme ekonomike reflekton pasiguri dhe ku optimizmi duhet të jetë shumë i përmbajtur, pa lënë vend për eufori.


 


Rritje ekonomike apo rritje borxhi?!


Ndërsa pritjet për rritjen ekonomike janë ulëta, borxhi publik vazhdon rritjen me galop. Prandaj ekonomisti kryesor i Bankës Botërore për Ballkanin, Zeljko Bogetiç, ditët e fundit i bëri përsëri thirrje Shqipërisë, për ulje të nivelit të borxhit publik. E njëjta kërkesë është adresuar në mënyrë të përsëritur edhe më parë në raportet e fundit të progresit të BE-së, por edhe në rekomandime të institucioneve të tjera të rëndësishme financiare. Në të kundërt të këtij paralajmërimi, borxhi ynë publik është rritur.


Thirrja e Bankës Botërore vjen menjëherë pas ndryshimit të ligjit për tavanin e borxhit dhe rritjen e tij në 62,6% të PPB-së për vitin 2013, ndërsa me aktin normativ të qeverisë pritet një rritje edhe më e madhe për borxhin publik të vitit 2012, në një kohë që pritshmëritë për rritjen ekonomike janë të ulëta. Sipas BB-së, rritja për vitin 2012 pritet të jetë 0,8%, tregues ky larg parashikimit të relacionit të MF për buxhetin e 2013-s. Në se kjo tendencë nuk ndryshon shpejt, barra e borxhit do të rëndojë më shumë mbi ekonominë, për shkak të kostos së lartë të shërbimit të tij përtej aftësisë paguese, duke dëmtuar ekuilibrat makroekonomikë.


Kjo është edhe arsyeja që z. Bogetiç këshillon se: “Ajo që nevojitet në fillim dhe mbi të gjitha është ndjekja e një politike më intensive reformash për të reduktuar borxhin publik. Shqipëria ka borxhin publik më të lartë në rajon dhe për këtë duhet të merren masa të menjëhershme për ta ulur atë në nivelin e 30 apo 40 për qind të PBB”.


 


A ka rritje ekonomike pa punësim?!


Rritja e pretenduar ekonomike në Shqipëri nuk ka sjellë as rritje të punësimit dhe as rritje të të ardhurave buxhetore. Kjo situatë kërkon reflektim përse kjo rritje nuk prodhon rritje të ardhurash, mirëqenie, punësim, barazi sociale. Të ardhurat që prodhon kjo rritje nuk mundësojnë as pagesën e borxhit të marrë në emër të saj. Më poshtë me shifrat e vetë Ministrisë së Financave mbi treguesit kryesorë makroekonomikë për periudhën 2010-2012, po përpiqem të ilustroj sa më sipër pohoj:


1. Në vitin 2011, të ardhurat buxhetore nominale kundrejt 2010-s u rritën me 1.8% për vitin 2012, sipas aktit normativ pritet të rriten vetëm me 0,7%, kur inflacioni mesatar përkatësisht është rritur mesatarisht 3.5% dhe 2,1%. Kjo panoramë e rritjes së të ardhurave buxhetore tregon se ato në terma reale kanë pësuar rënie.


2. Borxhi publik nga 715.5 miliardë lekë në vitin 2010, pritet të arrijë sipas aktit të fundit normativ për 2012-n nivelin e 854 miliardë lekëve, duke u rritur 19%, pra shumë më tepër se 15% që pritej kur u diskutua buxheti i 2013-s.


3. Produkti kombëtar nominalisht është vlerësuar për vitin 2010 me 1224 miliardë lekë, kurse në relacionin e MF për buxhetin e vitit 2013, Produkti i Brendshëm Bruto për vitin 2012 pritet të arrijë në 1360 miliardë lekë. Por sipas parashikimeve të BB ose të BSH, rritja ekonomike për vitin 2012 pritet të jetë përkatësisht 0,8% dhe 1,5%. Duke konsideruar inflacionin mesatar në nivelin 2,1% rezulton se PPB nominale për 2012-n sipas këtyre dy institucioneve pritet të jetë përkatësisht 1339 dhe 1348 miliardë lekë. Këto parashikime e shpien nivelin e borxhit kundrejt PPB për vitin 2012 në shifrat 63,3% dhe 63,7%, duke tejkaluar jo vetëm nivelin e pritur për këtë vit, por edhe parashikimin e tij prej 62,6% për vitin 2013.


Kjo panoramë tregon se rritja e borxhit publik për 2010-2012 është shumë më e lartë se rritja ekonomike që parashikojnë këto dy institucione dhe akoma më shumë se rritja e të ardhurave në këto vite.


Prandaj nuk mund të vazhdohet gjatë me këtë skenar të ashtuquajtur rritje, që ushqehet pa eficencë vetëm nga borxhi publik. Kjo përbën karakteristikën e rritjes ekonomike shqiptare që rezulton sipas këtyre shifrave kokëforta fiktive.


Në kushtet e stanjacionit dhe rënies reale të të ardhurave buxhetore, rritja dhe zhvillimi nuk mund të mbështeten, duke rritur me ritme të larta borxhin, sepse aftësia paguese e kostos së tij vihet në rrezik. Mësimet e krizës së vendeve përreth bëjnë apel dhe sensibilizojnë për maturi në këtë drejtim.


 


Orteku i borxhit


Niveli borxhit është një tregues fondamental për qëndrueshmërinë fiskale, prandaj një mekanizëm kontrolli si ai i tavanit të borxhit është shumë pozitiv për ruajtjen e ekuilibrave makroekonomike. Pyetja se me çfarë të ardhurash do shlyhen borxhi që po rritet pa asnjë tavan, kërkon një përgjigje transparente dhe të përgjegjshme. Në kushtet e paqëndrueshmërisë së politikave buxhetore që priren nga nevojat e momentit për shpenzime, heqja e tavanit të borxhit është precedent i rrezikshëm. Kjo bëhet më evidente për sa kohë mungon një vizion afatgjatë për menaxhimin dhe konsolidimin e financave publike. Në kushtet e krizës financiare me të cilën po përballet ekonomia globale, debati i sotëm është përqendruar në konsolidimin e financave publike dhe jo e kundërta. Ky realitet bën apel për politikë bipartizane më së pari për vendosjen e tavanit të ri dhe dakordësi pa humbur kohë mbi skenarin se si do të ulet në të ardhmen e afërt, që të shmangim në kohë pasojat në financat publike. Ky mësim vjen nga shumë vende në Eurozonë, më së pari Greqia. Nevoja për stabilitet financiar duhet të jetë prioritare për të shmangur vështirësitë e natyrës që sot po kalojnë këto vende.


Është kjo arsyeja që vendet e BE-së kanë adoptuar rregullin e artë buxhetor, (borxhi publik deri 60% dhe deficiti buxhetor 3%), duke vendosur edhe penalitete në rast mosrespektimi të tij. Stabiliteti fiskal në Eurozonë po kushtëzon financimin nga fondet e shpëtimit në Greqi e vende të tjera.


Në rrugëtimin tonë europian, sigurimi i stabilitetit të qëndrueshëm makroekonomik është “A” e reformave ekonomike integruese, kusht për krijimin e themeleve të një ekonomie të shëndetshme. Me këtë rast dua të kujtoj që rekomandimi për uljen e borxhit publik në raportin e progresit të KE-së të tetorit 2012, nuk duhet të dalë jashtë vëmendjes siç ka ndodhur deri më tani.


Me heqjen e limitit për borxhin, rreziku për një rritje të pakontrolluar në një vit elektoral si 2013-a, është i pashmangshëm dhe borxhi mund t’i ngjajë gjithmonë e më shumë një orteku që kulmin do ta ketë në qershor, por që efektet do t’i lërë pas zgjedhjeve të përgjithshme. Prandaj nevoja për monitorim të zhvillimeve tona ekonomike është përgjegjësi e dorës së parë jo vetëm për institucionet respektive, por edhe e mendimit ekonomik të profesionistëve dhe profesoratit shqiptar, për t’i dhënë transparencën e duhur vendimmarrjes për vitet e ardhshme dhe krijuar shpresë të ardhmes sonë europiane.