Vendimi
Shpërndarja me grafik, nis shpërndarja e 9 mijë lekëshit edhe për buxhetorët
Nga ky vendim përfitojnë 560 mijë pensionistë, me vlerë të përgjithshme 12 miliardë lekë
Qeveria ka miratuar dje fondin për dhënien e 2 mijë lekëve shpërblimi për të gjithë moshën e tretë
Këtë vit, pensionistët në shkallë vendi do të përfitojnë shpërblim me rastin e festave të fundvitit. Qeveria ka miratuar dje fondin për dhënien e 2 mijë lekë shpërblim për të gjithë moshën e tretë, ndërkohë që ka nisur shpërndarja e shpërblimeve për buxhetorët. Ndryshe nga pensionistët, punonjësit e administratës do të përfitojnë 9 mijë lekë shpërblim.
Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, shpërndarja e pensioneve do të bëhet sipas një grafiku, që pritet të bëhet publik ditën e premte. Secili nga pensionistët që do të marrin pensionin, në ditën e përcaktuar do të tërheqin edhe shpërblimin.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në shumën një miliard e njëqind e shtatëdhjetë milionë lekë, përballohen nga buxheti i vitit 2012, miratuar për Ministrinë e Punës. Kryeministri Berisha njoftoi dje në mbledhjen e qeverisë dhënien e shpërblimit të fundvitit prej 2 mijë lekësh për pensionistët. Nga ky vendim përfitojnë 560 mijë pensionistë, me një vlerë të përgjithshme 12 miliardë lekë. Kryeministri tha se vendimi për shpërblimin e tyre, sado modest, është një akt respekti e mirënjohjeje për punën e përkushtimin që ata kanë dhënë ndër vite.
“Ne vendosim për shpërblimin e punonjësve të administratës me shumën e përcaktuar nga Ministria e Financave dhe shpërblimin në fund të vitit me 2 mijë lekë, të 560 mijë pensionistëve. Me këtë rast, dua të siguroj pensionistët se asgjë nuk mund të lëkundë vendosmërinë tonë për mbështetjen e tyre”, deklaroi dje në mbledhjen e qeverisë Kryeministri Berisha.
Vendimi që miratoi Këshilli i Ministrave dje për pensionistët konsiderohet si dhënie asistence ekonomike të menjëhershme, në shumën 2 mijë lekë për disa kategori.
Përfituesit janë personat që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar. Personat, që marrin pension, sipas ligjit “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore”, janë veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, personat që marrin pension për merita të veçanta dhe ata që marrin pension të posaçëm shtetëror.
Do të marrin 2 mijë lekë shpërblim personat, që marrin trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, si dhe ata që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake.
Sipas vendimit të qeverisë do të marrin 2 mijë lekë shpërblim personat që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas ligjit “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.
Fondi prej një miliard e njëqind e shtatëdhjetë milionë lekë përdoret: një miliard e njëqind e pesëdhjetë e shtatë milionë e katërqind mijë) lekë, për asistencën e menjëhershme të pensionistëve dhe dymbëdhjetë milionë e gjashtëqind mijë lekë, për mbulimin e komisioneve të shërbimit të pagesave dhe për shpenzimet e administrimit te tyre.
Procedura e pagesës dhe administrimit të asistencës së menjëhershme për pensionistët realizohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare. Lorina Mixha
Deklarata – “Një shpërblim i merituar dhe është kënaqësi që kjo qeveri është nga më të paktat që ka mundësi t’ju dërgojë një kartolinë të tillë 560 mijë pensionistëve dhe të gjithë punonjësve të administratës, me urimin më të përzemërt për një vit të ri plot suksese, gëzime, shëndet dhe mbarësi”, tha Kryeministri Berisha.
Shpërndarja – Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të publikojë brenda javës grafikun e shpërndarjes së pensioneve për të gjithë moshën e tretë. Më datën 25 dhjetor, punonjësit e ISSH-së në të gjithë vendin do të jenë në punë për shpërndarjen e pensioneve dhe shpërblimeve