3 ministra – Tre ministra janë thirrur në komisionin parlamentar për të raportuar në lidhje me çështjet e sigurisë kombëtare
2013 – Seancat dëgjimore të kërkuara nga ana e opozitës do të zhvillohen në sesionin e ri kuvendor, pas gjysmës së janarit të vitit 2013
Imami – Gjithashtu, socialistët ritheksuan nevojën për të zhvilluar një raportim tjetër me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami
Kuvendi
Haxhinasto për hidrocentralet, Noka për krimin dhe Panariti për “nacionalizmin”. Kërkesat e opozitës në komision
BLEDAR HOTI
Siguria në vend, problemet me krimin e organizuar, kriza energjetike dhe tonet në rritje të nacionalizmit janë çështjet që shqetësojnë opozitën shqiptare. Në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, nënkryetari Ilir Gjoni, parashtroi nevojën për zhvillimin e seancave të posaçme dëgjimore me ministrin e Jashtëm, Edmond Panariti, ministrin e Brendshëm, Flamur Noka, dhe ministrin e Ekonomisë, Edmond Haxhinasto. Retorikat apo “fryma” nacionaliste që ka shpërthyer kohët e fundit dhe ka ngërthyer politikën shqiptare dhe pasojat që mund të kenë me sigurinë kombëtare është arsye se pse opozita kërkon të thërrasë në një seancë dëgjimore kryediplomatin Edmond Haxhinasto. Kohët e fundit ka pasur shumë deklarata nga përfaqësues të qeverisë, madje dhe nga vetë Kryeministri Sali Berisha për një bashkim kombëtar. Ndërkohë që këto deklarata janë shoqëruar dhe me reagimet e ndërkombëtarëve, të cilat i kanë cilësuar si të dëmshme. Të tilla kanë qenë deklaratat e ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, si dhe të ambasadorit të BE-së, Ettore Sequi.
Thirrjet për bashkim kombëtar me Kosovën janë kritikuar dhe nga deklarata e fundit e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, ku i kërkojnë Shqipërisë vazhdimin e politikës së fqinjësisë së mirë në Ballkan. Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, kërkohet nga opozita që të raportojë në lidhje me situatën e kriminalitetit në Shqipëri, veçanërisht për krimin e organizuar. Jo jashtë vëmendjes së deputetëve të opozitës në Komisionin e Sigurisë është çështja e energjisë, furnizimi i popullatës, si dhe proceset e privatizimit e ndërmarra nga qeveria. Kështu, për politikat energjetike, socialistët kërkojnë që zv.kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, të flasë në raport me privatizimin e “Albpetrolit”, konflikti i fundit me kompaninë çeke të shpërndarjes së energjisë, CEZ-in. “Sa ndikon në sigurinë kombëtare, çfarë impakti ka ky privatizim.
Këto çështje ne i kemi ngritur dhe në seancën që kemi pasur me shefin e agjencisë inteligjente”, tha Gjoni. Deputeti i PS-së, Gazmir Bizhga, ka kërkuar që në Komisionin e Sigurisë Kombëtare të raportojë kreu i Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Sipas tij, që nga viti 2009 ky institucion nuk ka raportuar në strukturat parlamentare. Opozita prej kohësh ka kërkuar zhvillimin e një seance dëgjimore me drejtuesit e SHIU-t, kjo për pretendimet që ka pasur në lidhje me zbatimin e ligjit nga ky institucion i shërbimit sekret. PS ka akuzuar SHIU-n se ka përgjuar opozitën dhe diplomatët e huaj, duke shkelur ligjin. Gjithashtu është kontestuar dhe blerja e pajisjeve të interceptimit në një vlerë prej 1.2 milionë euro, e cila u krye pa u parashikuar në buxhetin e shtetit të vitin 2012. Përgjimet e paligjshme kanë qenë prej kohësh objekt i përplasjeve mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvend. Deputeti i PS-së, Piro Lutaj, ka kërkuar që ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, të thirret sërish në komision për të dhënë shpjegime në lidhje me Spitalin Ushtarak. Ai, sipas opozitës ka gënjyer me deklaratën e dhënë se ky spital nuk do t’i kalojë në administrim shëndetësisë. “Unë kam informacione se qeveria do të marrë së shpejti një vendim për t’ia kaluar këtë spital në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë”, tha Lutaj. Ndërsa kryekomisioneri Demi ka ndërhyrë duke theksuar se “Imami ka pranuar se vetëm një pjesë e këtij spitali, Qendra e Traumave do të kalojë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë”.
Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, ka qenë dakord me këto kërkesa, duke theksuar se ministrat kanë qenë përherë të gatshëm për t’u paraqitur në komisione. Parimisht Komisioni i Sigurisë ka rënë dakord me këto kërkesa. Mësohet se këto seanca dëgjimore priten të zhvillohen në sesionin e ri parlamentar, në janar të vitit 2013.
Kërkesat
Panariti – Ministri i Jashtëm kërkohet të thirret në seancë dëgjimore për retorikat nacionaliste të shfaqura nga Kryeministri Berisha
Haxhinasto – Problemet me CEZ-in, shitja e “Albeptrolit” në raport me sigurinë kombëtare është arsyeja e thirrjes së ministrit të Ekonomisë
Noka – Ministri i Brendshëm kërkohet të raportojë dhe në lidhje me gjendjen e kriminalitetit, sidomos për krimin e organizuar
SHIU – Deputetët e opozitës kërkuan që sipas ligjit drejtuesit e Shërbimit Inteligjent Ushtarak të raportojë në komision
Aleanca Kuqezi
Situata në kolaps, të publikohet kontrata me CEZ
Aleanca Kuqezi nisur nga problemet me furnizimin me energji, si dhe nga përplasjet mes qeverisë dhe CEZ kërkoi dje që ekzekutivi shqiptar të bëjë publike kontratën me kompaninë çeke. “Aleanca kuqezi është sot përpara opinionit publik për të kërkuar transparencë nga qeveria e shtetasit Sali Berisha në lidhje me marrëdhënien Qeveri-CEZ shpërndarje. Aleanca Kuqezi i kërkon qeverisë më të korruptuar të Ballkanit të bëjë publike kontratën dhe aneks kontratat që ekzistojnë midis qeverisë dhe “CEZ shpërndarje. Loja që sot po bëhet midis shtetit dhe CEZ duhet të mbarojë, pasi pasojat reflektohen drejtpërsëdrejti mbi kurrizin e konsumatorëve të ndershëm dhe në të gjithë ekonominë shqiptare.
Pronari i vetëm dhe i ligjshëm i kësaj kompanie është populli shqiptar, ndërsa shteti si aksioner i lind e drejta dhe detyrim përnjëhershëm i kontrollit dhe auditimit të punës së kësaj kompanie duke vendosur në plan të parë interesin kombëtar”, tha sekretari i KA-së, Altin Dauti.


