Policia e Vlorës ka arritur të prangosë një grup të rinjsh, të cilët dyshohet se janë autorët e disa grabitjeve me armë të ndodhura në qytetin bregdetar. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë kanë deklaruar se si rezultat i një pune hetimore dy mujore, është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “SFIDA 3” i cili ka çuar në kapjen dhe arrestimin e një grupi kriminal prej 9 personash.
Sipas të njëjtave burime mësohet se të arrestuarit janë: Daniel Qepeku, 22 vjeç, Brisild Ismaili, 21 vjeç, Jurgen Zotaj, 18 vjeç, Sami Balla, 18 vjeç, Lusien Abedini, 18 vjeç, E. L., 17 vjeç, Xh. N., 17 vjeç, E. H., 17 vjeç, si dhe është shpallur në kërkim 16-vjeçari me inicialet R. R. Sipas bluve të Vlorës, “objektivi” i grupit të grabitësve kanë qenë kryesisht karburantet, pikat e basteve.
“Deri tani janë siguruar prova shkencore se personat e mësipërm janë autorët e vjedhjes me armë në bashkëpunim të pikës së lojërave te fatit “ECOBET” në lagjen “Osman Haxhiu”, vjedhjes me dhunë në bashkëpunim e shtetasit A. Z., në lagjen “Hajro Cakerri” të cilit i kanë marr të gjitha sendet personale; vjedhjes me armë në bashkëpunim të pikës së karburantit ALPET në lagjen “Osman Haxhiu”, vjedhjes me armë në bashkëpunim e kazinosë “Electronica KAZINO” në lagjen 28 Nëntori. Gjithashtu këta shtetas dyshohet të jenë autorë edhe për një seri ngjarjesh të tjera të ndodhur qytet për të cilat në bashkëpunim me agjenci të tjera ligjëzbatuese vijojnë hetime intensive”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së Vlorës.
Ndërkohë mësohet se në momentin e arrestimit të rinjve u është kapur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: një automatik model 56 (kallashnikov), një automjet tip Mercedes-Benz me targa VL 3686 C, me të të cilin këta shtetas e kanë përdorur për kryerjen e grabitjeve, 8 aparatet celulare,një sasi fishekësh 7.62 mm, një thikë, një kaçavidë, maska dhe doreza plastike.
Policia ka ngritur për të rinjtë akuzat e “Vjedhjes me armë” dhe “Vjedhjes me dhunë”, ndërkohë që materialet i janë referuar prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme.
20 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)