Një skenë ku përdoret tortura për informacion kritikohet si e pasaktë
Një film i ri mbi gjuetinë për Osama Bin Laden është i pasaktë, pasi sugjeron se tortura është një mjet që u përdor për të mbledhur informacion të vlefshëm për vendndodhjen e tij, bën të ditur BBC.
Tre senatorë amerikanë ia kanë shprehur shqetësimin në një letër kompanisë prodhuese të filmit “Sony”. Drama që mendohet se do të fitojë “Oskar” e regjisores Kathryn Bigelow, kritikohet për faktin se “nxit teorinë që thotë se tortura është një mjet efektiv”.
Në një deklaratë, Bigelow tha se filmi i saj përshkruan disa “metoda të debatueshme për mbledhjen e informacionit”. Ajo shton se asnjë prej këtyre metodave nuk qe më arsyeja kryesore e gjuetisë së suksesshme për udhëheqësin e terrorit.
Letra e senatorëve është firmosur nga Feinstein, Carl Levin, dhe ish-kandidati për president John McCain. Të tre janë anëtarë të komitetit për shërbimet e inteligjencës në Senatin amerikan dhe thonë se Sony ka detyrën të ndryshojë filmin.
“Problemi thelbësor është që njerëzit që shohin filmin do të besojnë se ngjarjet aty paraqesin faktet siç kanë ndodhur”, thonë tre senatorët. “Për rrjedhojë filmi ka potencialin të keqinformojë opinionin publik amerikan në mënyrë shqetësuese”. Senatorët thonë se “përdorimi i torturës në luftën kundër terrorizmit i ka dëmtuar vlerat amerikane dhe qëndrime të tilla nuk mund të justifikohen apo të paraqiten si të suksesshme”.