Rrëfimet e një biondeje të zgjuar
E vështirë të thuash që kjo grua është 43 vjeç: imagjinoni ka dy fëmijë të vegjël (Kingston, 7 dhe Zuman, katër), bashkëshortin (këngëtari anglez, Gavin Rossdale, kitaristi i Bush) dhe një jetë frenetike. Albumi i saj i fundit është “Push and Shove” që bashkoi pas 11 vjetësh pjesëtarët e “No Daubt”
Ajo është një grua perfekte. Gishtat e lyer me të kuq, flokët të oksigjenuar dhe buzë të kuqe flakë. Një makijazh sa i thjeshtë aq edhe perfekt në të njëjtën kohë. Një bluzë e bardhë e thjeshtë dhe një palë streçe të zeza lëkure të ngjitura pas trupit. Gishtat plot me unaza dhe byzylykë. Mjafton një përshkrim i tillë për të kuptuar se bëhet fjalë për Gwen Stefani. E vështirë të thuash që kjo grua është 43 vjeçe. Imagjinoni ka dy fëmijë të vegjël (Kingston, 7 dhe Zuma, katër), bashkëshortin (këngëtarin anglez, Gavin Rossdale, kitaristi i Bush) dhe një jetë frenetike. Albumi i saj i fundit është “Push and Shove” që bashkoi pas 11 vjetësh pjesëtarët e “No Daubt”. Përgjatë këtyre viteve, vëmendja e saj u përqendrua te karriera si soliste: mbi 16 milionë disqe të shitura, dy “Grammy Awards” debutimi në ekranin e madh me Martin Scorsese (te “The Aviator”) dhe një markë veshjesh dhe aksesorësh nën etiketën LAMB. teksa ha gjithë qejf një çokollatë të vogël, e ulur në një nga baret më të mira të Londrës, Gwen tregon se nuk bën dieta dhe se gjen mënyra më të shëndetshme për ta mbajtur trupin në formë: pi shumë ujë, ha në mënyrë të shëndetshme dhe buzëqesh shumë. Kur e pyet se sa e vështirë ka qenë për grupin të bashkohej pas kaq vjetësh thotë: “nuk ka qenë shumë e vështirë, ndoshta për faktin se ne nuk jemi ndarë asnjëherë me të vërtetë. Nisëm të interpretonim së bashku që në moshën 17-vjeçare. Pastaj na erdhi dëshira për të bërë gjëra të ndryshme. Unë u martova, u bëra me fëmijë, e kështu edhe të tjerët. Tani jemi bërë si një familje e madhe dhe në verë i morëm të gjithë me vete në turin që zhvilluam”. Gwen tregon se sa shumë lodhje dhe kënaqësi të sjellin fëmijët: “nuk ka qenë e lehtë t’i merrje me vete kur ishim në punë. Ishte argëtuese po e vështirë. Por unë ia dola mbanë shumë kollaj. Mbeta shtatzënë në vitin 2006 gjatë provave të një turi. Kur Kingston ishte 8 muajsh dhe unë e kisha akoma me qumësht, u nisa për një tur tjetër. Kujdesi për fëmijët, net të kaluara nëpër autobusë, nëpër qytete të ndryshme, net pa gjumë e ditën tjetër sërish në skenë. Në muajin që kisha punim, u riktheva në shtëpi dhe sërish mbeta shtatzënë. Për më tepër më duhej të regjistroja edhe një album”. E gjitha kjo tani i duket si një shëtitje. “Tani jam bërë specialiste për t’u dhënë zgjidhje të shpejtë gjërave në kushte kaotike. Fëmijët janë të vegjël, bëjnë rrëmujë nuk të lënë rehat, por unë jam gjithmonë pranë tyre, e qetë duke i vënë në vend të gjitha. Tani që janë pak më të rritur e gjej gjithmonë kohën për veten edhe pse më duhet të shkoj te nëna ime për një drekë të thjeshtë”. Edhe Tony, bateristi i grupit ndërhyn duke thënën: “Tom, Adrian dhe unë e adhurojmë mënyrën se si Gwen arrin të bëjë gjithçka: albumin, të jetë nënë dhe bashkëshorte e mirë, modën. Madje na ka frymëzuar edhe ne: “Push and Shove” lindi prej saj, nga mënyra se si arrin t’u japë një kuptim të gjitha gjërave”. Megjithatë, duhet theksuar se për të realizuar albumin e ri iu deshën shumë vjet. “Ishte mbi të gjitha faji im. Për të qenë një nënë e mirë duhet shumë impenjim me fëmijët”. Për të sekreti i të qenët një rokere dhe një nënë e mirë qëndron në faktin s’duhet t’i thuash jo shumë gjërave. E për më tepër të kesh edhe miq të mirë që të kuptojnë kur u thua: “shiko sot nuk mund të vij në prova, kam fëmijët pa qejf”. Rikthemi pas në vitin 1995. Me “Just a Girl”, ajo u bë simbol i feminilitetit, dhe i një feminizmi modern. “Isha vetëm një vajzë e pafajshme. Doja të tregoja se në kalimin nga një fazë e jetës në tjetrën duhet bërë një gjë e rëndësishme. Nuk besoj se do të bëhesha një pikë referimi”. Për sa i përket stilit të saj të veshjes, të gjithë e adhurojnë “Që e vogël kur luaja me kukulla më pëlqente të përzieja stilet”.