Gazi – Projekti TAP kalon në një gjatësi prej rreth 200 kilometrash në territorin shqiptar dhe nga zbatimi i tij parashikohet të punësohen direkt mbi 20 mijë punonjës dhe rreth 15 mijë të tjerë indirekt
Devolli – Projekti shtrihet në Qarkun e Korçës dhe të Elbasanit dhe është investim i “Devoll Hydropower”, me vlerë 800 milionë euro, me fuqi të instaluar 319 MW dhe punëson direkt dhe indirekt mbi 7 mijë punonjës
HEC-et – Dje u miratua edhe leja për ndërtimin e HEC “ZallTore”, Rrethi i Librazhdit (investim 1 miliard lekë, me kapacitet 7.6 MW) dhe leja për ndërtimin e 5 HEC-eve, Pukë dhe Mat (investim 16 miliardë lekë, 87 MW)
Pronarët e TAP: Projekti është 800 milionë euro. Berisha: 2 miliardë
ARD KOLA
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, Këshilli Kombëtar i Territorit të Republikës së Shqipërisë (KKTRSH) miratoi dje lejen infrastrukturore për ndërtimin e hidrocentraleve në kaskadën e lumit Devoll, si dhe përcaktoi projektin e gazsjellësit TransAdriatik (TAP) si çështje të rëndësisë kombëtare në planifikimin e territorit. Për këto dy projekte, Kryeministri tha se vlera e investimit do të jetë 2.7 miliardë euro, respektivisht sipas tij, 800 milionë euro HEC-i i Devollit dhe 1.9 miliardë euro ai i TAP-it në vend. Në fakt, sipas vetë drejtuesve të projektit të gazit, vlera e investimit nuk është aq sa thotë Kryeministri (i cili e rrumbullakosi më tej gjatë fjalës, me 2 miliardë euro), por rreth 800 milionë euro.
Taktikat e Kryeministrit për të fryrë investimet e huaja, sidomos në energjetikë, janë të tijat, por rasti i fundit me TAP-in kalon parashikimin, pasi vlera e përmendur nga Berisha e kalon dyfishin e “rrumbullakosur”.
Michael Hoffman, drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë në TAP, në takimin e zhvilluar rreth një muaj më parë me median në Tiranë tha se vlera e investimit të projektit vetëm në Shqipëri vlerësohet 800 milionë euro. Megjithatë, shtoi ai, duke qenë se projekti avancon në disa drejtime dhe ndryshime, vlera mund të arrijë deri në 1 miliard. Kjo shifër është dy herë më e vogël nga vlera e deklaruar dje nga Kryeministri, disa herë, gjatë mbledhjes së KKTRSH-së. “Kaskada e Devollit dhe TAP, dy projektet më të rëndësishme energjetike në vend fillojnë realizimin në vitin 2013 dhe së bashku janë një investim prej rreth 2.7 miliardë eurosh”, deklaroi dje Kryeministri. KKTRSH miratoi edhe disa vendime të tjera që lidheshin me ndërtimin e HEC-eve dhe planet rregulluese në disa njësi vendore.
TAP sjell gazin e Kaspikut dhe Azisë Qendrore drejt Europës Perëndimore, në trajektoren jugore të Europës dhe konsiderohet projekti më fizibël. Ai kalon në një gjatësi prej rreth 200 kilometrash në territorin shqiptar, për të cilin janë parashikuar rreth 2 miliardë euro investime?!”, sipas njoftimit të zyrës së Kryeministrit. Nga zbatimi i këtij projekti parashikohet të punësohen direkt mbi 20 mijë punonjës dhe rreth 15 mijë të tjerë indirekt. Pas prezantimit të projektit, Kryeministri Berisha ndërsa e vlerësoi atë një projekt madhor jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën, pasi diversifikon burimet e gazit për Europën Perëndimore, tha se Shqipëria, e cila ka në këtë projekt një pozicion nevralgjik shumë të rëndësishëm, ka detyrime të mëdha për të përmbushur.
Projekti i Devollit mori një tjetër shtysë për vijimin më tej të ndërtimit. Ky projekt shtrihet në Qarkun e Korçës dhe të Elbasanit dhe është investim i “Devoll Hydropower”, me vlerë 800 milionë euro, me investitorë kompaninë austriake AVN AG dhe atë norvegjeze “Statkraft AS”. Me tre hidrocentrale, i bazuar në tunele me dhjetëra kilometra, HEC-et mbi lumin Devoll do të kenë fuqi të instaluar prej 319 MW dhe prodhim vjetor të energjisë elektrike 985 GWh/vit. Projekti ka rëndësi të jashtëzakonshme, sepse punëson direkt dhe indirekt mbi 7 mijë punonjës. Duke kaluar ndër zonat më të izoluara të vendit, ky projekt konsiderohet të sjellë një transformim të thellë urban të këtyre zonave.
KKTRSH miratoi disa vendime të tjera, përfshi lejen infrastrukturore për ndërtimin e hidrocentraleve “Lenie”, “Shalës”, “Strelcë”, Rrethi i Korçës (investim 350 milionë lekë, kapacitet 2 MW), lejen për ndërtimin e HEC “ZallTore”, Komuna Stravaj, Rrethi i Librazhdit (investim 1 miliard lekë, me kapacitet 7.6 MW) dhe lejen për HEC-et “Gojan”, “Gjegjan”, “Peshqesh”, “Ura e Fanit” dhe “Fangu”, Rrethi i Pukës dhe Matit (investim 16 miliardë lekë, me kapacitet 87 MW).
Michael Hoffman, drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë në TAP, konfirmon vlerën reale të investimit