Fullani ngre alarmin për thellimin e krizës. Borxhi, i rrezikshëm në afatgjatë


Konsumi – “Konsumi privat mbetet i dobët, për shkak të ecurisë së ngadaltë të ekonomisë”, tha guvernatori pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës


Edhe pse bankat janë në kushte të mira likuiditeti, ato sërish ngurojnë të financojnë sektorin privat, dhe ky fakt po shqetëson gjithnjë e më shumë guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Sipas tij, niveli i kreditimit për sektorin privat ka arritur në pikën më të ulët historike. Nëse vijohet me këto ritme, ekonomia rrezikon recesion, pavarësisht tentativave të qeverisë për të stimuluar sektorin me investime publike. “Financimi i sektorit privat është ngadalësuar ndjeshëm. Rritja vjetore e kredisë për sektorin privat shënoi 2.4 për qind në muajin tetor, duke zbritur në nivele të ulëta historike. Në një masë të madhe, ajo është ndikuar nga kërkesa e ulët e individëve dhe bizneseve për financim, sikurse pasqyrohet edhe nga ecuria e konsumit dhe e investimeve private. Nga ana tjetër, edhe sistemi bankar vijon të tregojë kujdes të shtuar në kreditim, ndonëse gëzon kushte të mira likuiditeti e kapitali”, deklaroi dje guvernatori i Bankës së Shqipërisë, pas përfundimit të mbledhjes së këshillit të mbikëqyrës, i cili vendosi të mos e ndryshojë normën bazë të interesit për Lekun, në 4 për qind.


Para periudhës së mbërritjes së krizës (2008-2009), kredia për ekonominë rritej me 40-50 për qind në vit, ndërsa sot është në nivele tepër të ulëta. Të dhënat e fundit të bëra publike nga Banka e Shqipërisë konfirmojnë se në total, huaja për biznese arriti në afro 398 miliardë në fund të tetorit 2012, duke regjistruar përmirësim krahasuar me 2011-n, por gjithsesi ajo ka qenë në rënie në raport me muajin shtator 2012. Duhet thënë se rënia e kreditimit ka “nxjerrë zbuluar” raportin e kredive me probleme, të cilat deri në muajin tetor arritën në 22.8 për qind, ose mbi 1 miliard euro, ku 300 milionë konsiderohen të humbura.


Tjetër shqetësim i guvernatorit lidhet me konsumin. “Konsumi privat mbetet i dobët, për shkak të ecurisë së ngadaltë të ekonomisë dhe  pasigurisë së perceptuar për të ardhmen. Ecuria e tij në afat të mesëm mbetet ende e paqartë”, shtoi më tej Fullani. Gjithashtu, sipas tij, investimet private mbeten të ulëta, “në prani të shfrytëzimit jo të plotë të kapaciteteve të prodhimit, të pasigurisë mbi ecurinë e kërkesës së brendshme dhe të huaj, si dhe të kushteve më të shtrënguara të financimit nga sektori financiar”.


Sa i takon borxhit, planeve të qeverisë për ta rritur më tej, duket se kreut të BSH i shkon për shtat, deri në njëfarë mase të caktuar, duke pasur parasysh se ambicia e kryeministrit për të shtuar shpenzimet shton burimet financiare për bankat. “Tremujori i katërt dhe viti 2013 pritet të karakterizohen nga rritja e shpenzimeve fiskale dhe e deficitit buxhetor. Kjo politikë fiskale rrit stimulin makroekonomik në afat të shkurtër, por ajo duhet të jetë e kujdesshme ndaj nevojës për qëndrueshmëri afatmesme dhe afatgjatë të borxhit publik”, tha Fullani. Në fund, për rritjen ekonomike, kreu i BSH-së la të nënkuptohej se do të jetë e njëjtë, si me 6-mujorin e parë, pavarësisht se mungesa e të dhënave për 6-mujorin e dytë e bën të vështirë rezultatin final për të gjithë vitin.