Lëvizjet


Meta, Naço dhe Koka shprehen pro hetimit për Kukësin. Ministri Tavo abstenon


BLEDAR HOTI


Lëvizja Socialiste për Integrim bashkon votat me opozitën duke votuar pro ngritjes së komisionit hetimor “Për hetimin e veprimtarisë së organeve shtetërore mbi lëvizjen e popullsisë në disa njësi vendore të Qarkut Kukës gjatë periudhës qershor-nëntor 2012”. Kërkesa e opozitës mori 69 vota kundër, 62 pro dhe një abstenim. Në këtë proces votimi ka rënë në sy vota pro e tre deputetëve të LSI-së, kryetarit të kësaj partie, Ilir Meta, dhe dy deputetët e tjerë, Nasip Naço dhe Lefter Koka. Ndërsa vota abstenuese ka ardhur nga ministri i Shëndetësisë, deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo. Pavarësisht se në KQZ anëtari i LSI-së votoi pro, duket se kjo parti ka reflektuar ndaj kësaj padrejtësie që po i bëhet Qarkut të Beratit me heqjen e një mandati dhe dhënien e tij atij të Kukësit. Në këtë votim ka munguar Kryeministri Sali Berisha. Në seancën maratonë të ditës së djeshme kanë diskutuar 17 deputetë për nismën e opozitës. Kundër kërkesës së opozitës votoi Kastriot Islami dhe dy deputetët e PDIU-së. Ndërsa ka munguar deputeti Gazmend Oketa. Në seancë ka rënë në sy edhe mungesa e një pjese të deputetëve të PS-së. Ministri Vangjel Tavo, ndryshe nga mazhoranca që votoi kundër, abstenoi ndaj propozimit të PS-së për heqjen e TVSH-së.


Qëndrimi i PS-së


Opozita e ka cilësuar si tepër të drejtë nismën e saj, të bazuar në Kushtetutë, në ligje, si dhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, në diskutimin e tij rrëzoi tezën e opozitës se nisma është në kundërshtim me Kushtetutën, duke i cilësuar ato si triller politik. “Bllokimi i këtij hetimi është shkelja e parë serioze për garancinë tuaj për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Zbardhja e këtij krimi elektoral do të jetë gjëja e parë që ne do të bëjmë kur të vijmë në pushtet”, tha Gjiknuri. Ndërsa ish-kryeministri Pandeli Majko e ka cilësuar këtë tentativë të Ministrisë së Brendshme si hapin e parë të manipulimit të zgjedhjeve. “Sot mazhoranca dhe qeveria e saj është nën akuzë për manipulim zgjedhjesh që në nisje të tyre. Opozita kërkon hetim dhe korrigjimin e situatës së krijuar. Aktualisht Shqipëria qeveriset nga një moral “të fortësh”. Është ky moral “të fortësh” që shfaqet në fjalorin politik, në trajtimin e kundërshtarit, në manipulimin e zgjedhjeve dhe në qeverisjen e shoqërisë së traumatizuar shqiptare. Paturpësia është vetëm një pjesë e këtij morali”, tha Majko. Deputeti socialist, në fjalën e tij, theksoi se “mashtrimi i Ministrisë së Brendshme është vazhdim i gjendjes psikologjike të krijuar në vend nga vetë Kryeministri Berisha. Ai është zëdhënësi më i qartë i një historie të kalbur që po kanos vendin me përsëritjen e krizës së zgjedhjeve të manipuluara”. Kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, deklaroi se të gjithë ata që kanë bërë manipulime me listat, që nga ata që kanë lëshuar certifikatat dhe instancat e larta do të shkojnë për ndjekje penale. “Si ka mundësi që në komunat e PD-së në Kukës lindin më shumë gra se ato që jetojnë në komunat e PS-së në këtë qark. Këta janë potentë dhe ata impotentë. Ju do të humbni në Kukës me tre apo katër mandate. Që të të votojë një qark, që të kesh 8 vjet në pushtet dhe 65% jetojnë me asistencë sociale, vetëm nga ky tregues e keni të humbur Kukësin.


Qëndrimi i PD-së


Deputetët e PD-së i kanë lidhur diskutimet e tyre me tezën se opozita po kërkon një alibi për humbjen e zgjedhjeve të 23 qershorit. Ata i mëshuan idesë se nisma është antikushtetuese dhe se ndërhyn në institucionet e pavarura si KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor. Deputeti Enkelejd Alibeaj u shpreh se kjo alibi po bëhet që të mos krijohen kurbanet e radhës. “Dikur frymëzonte Erjon Velinë se si t’ia fuste Nanos, duke e nxjerrë edhe nga PS-ja. Kishte fantazi opozitare, sot i ka humbur edhe kjo fantazi, nuk gjen dot asnjë mënyrë për të luftuar Berishën. Nuk e di se çfarë bëjnë burrat e Kukësit, siç thotë ministri, por ne, PD-ja, nuk mund të lejojmë që të bëni Kushtetutën sa herë që t’i ngrehet Ramës për të bërë lojëra të tilla”, u shpreh më pas deputeti Edi Paloka. Ndërsa kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi, deklaroi se “Partia Socialiste kërkon të përhapë në publik alarmin e rremë se gjoja po cenohen zgjedhjet, 7 muaj para se ato të mbahen. Zgjedhjet tona të fundit kanë vuajtur më së shumti nga pranimi i rezultatit. Shqipërisë i ka munguar pjesa e Mitt Romney-t dhe kjo është më shumë se gjysma e punës për çdo proces elektoral. Shpresoj që kjo të mos ndodhë edhe pas 2013-s, sepse do ta kthente kryetarin e PS-së në fenomen qesharak unik në botë”, tha Patozi.


 


Batuta e Palokës


“Nuk e di se çfarë bëjnë burrat e Kukësit, siç thotë ministri, por ne, PD-ja, nuk mund të lejojmë që të bëni Kushtetutën sa herë që t’i ngrehet Ramës për të bërë lojëra të tilla”


 


PS refuzon darkën e Topallit


Partia Socialiste ka refuzuar në bllok ftesën e Topallit për mbajtjen e një darke në hotel “Tirana”. Ruçi i kërkoi Topallit që ato fonde t’u zbriten 63 deputetëve të PD-së dhe t’u dërgohen familjeve në nevojë