Më keq se vendet e rajonit, turizmi na rendit të 70-ët mes 160 vendeve
Shqipëria pozicionohet në vendin e 95 për tregtinë dhe të 70-in për turizmin për vitin 2012, në një renditje globale që mat markën e vendit dhe ndikimin e saj në performancën ekonomike të vendit. Rezultati është publikuar në renditjen e markave të vendeve, e kryer nga “Bloom Consulting”, që është e vetmja renditje në botë që i klasifikon vendet nga efektshmëria e strategjisë së markës së vendit dhe ndikimit të saj në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) të vendit, duke marrë në konsideratë variabla që përcaktojnë performancën ekonomike të vendeve, gjithashtu dhe variabla që karakterizojnë përpikmërinë e strategjisë dhe pranimin e tregjeve. Në renditjen e turizmit, Shqipëria pozicionohet në vendin e 70, pas Bullgarisë, që është në vendin e 53; Rumanisë në vend të 59 dhe lë pas Bosnjën, Malin e Zi, Maqedoninë. Në tregti, renditja është më e ulët. Shqipëria është në vendin e 95, pas Rumanisë (34), Bullgarisë (41), Serbisë (61), Bosnjë dhe Hercegovinës (62), Greqisë (66), dhe duke lënë pas Maqedoninë (103). Kjo renditje mat efektivitetin e çdo strategjie marke të vendit, duke vlerësuar në mënyrë të ndarë strategjitë e markave të vendit për tregtinë dhe turizmin, për 160 dhe 161 vende përkatësisht. Renditja bazohet në të dhëna kyçe, që përfshijnë ecurinë ekonomike dhe rritjen ekonomike të vendeve. Për turizmin, ato përfaqësohen nga hyrjet vjetore dhe normën vjetore të rritjes së të ardhurave nga turistët globalë. Për tregtinë, ato karakterizohen nga të hyrat vjetore dhe rritja vjetore e flukseve hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte globale. Këto të dhëna kyçe shoqërohen nga fakte më të detajuara, duke matur në këtë mënyrë ndikimin ekonomik të çdo strategjie marke të një vendi. Për të dyja renditjet, në turizëm dhe tregti, në vendin e parë në botë renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës.