Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka hapur tenderin për privatizimin e HEC-eve “Bistrica 1” dhe “Bistrica 2 sh.a” dhe shoqërinë HEC “Ulëz Shkopet sh.a”.


Kompania turke Kurum ka hedhur dy ofertat më të mira për të dy çiftet e hidrocentraleve, gjithsej rreth 110 milionë euro. Një vendim për shitjen e tyre pritet të merret nga qeveria gjatë ditëve të ardhshme. të katër hidrocentralet prodhojnë 546 mijë MW/h në vit. Çmimi aktual i shitjes së energjisë elektrike në Shqipëri varion nga 6 deri ne 10 cent për kWh ose 60 deri ne 100 euro për MW/h.


Blerësi parashikohet të fitojë 27.3 deri në 54.6 milionë euro në vit. Qeveria po i shet këto katër hidrocentrale për 110 milionë euro në total. Në rastin më të keq, blerësi do t’i nxjerrë fitimet brenda 5 vitesh, në rastin më të mirë, brenda dy vitesh.


Tenderit është duke u zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në praninë edhe të komisionit të vlerësimit të ofertave dhe është prezantuar nga zv/ministri i Ekonomisë, Sokol Dervishi.


Për privatizimin e HEC-it Ulëz-Shkopet janë prezantuar katër oferta ku më e larta ishte ajo e kompanisë Kurum, e cila ka ofruar 57.5 milionë euro.

Më herët u hap procesi për Bistrica 1 dhe Bistrica 2 me këto oferta:


Oferta e parë për HEC Bistrica 1-2, 30 milionë e 355 mijë euro

Oferta e dytë për HEC Bistrica 1-2, 44.847.496 euro

Oferta e tretë për HEC Bistrica 1-2, 27 milionë e 500 mijë euro

Oferta e katërt për HEC Bistrica1-2, 19 milionë e 300 mijë euro

Oferta e pestë nga Kurum është 52 milionë euro

Oferta e gjashtë 35 milionë e 100 mijë euro

Oferta e shtatë 37 milionë e 100 mije euro


Dervishi bëri të ditur se, “do të hapim momentin e caktuar pasi të përfundoi afati teknik dhe financiar dokumentacionin për dy HEC-et para, më pas do hapim dokumentacionin teknik dhe financiar për procedurën e dy HEC-eve të dyta”.


Privatizimi i 4 HEC-eve është parë nga qeveria si një mënyrë efikase për rritjen e konkurrencës në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike


Të katër hidrocentralet kanë një fuqi të instaluar prej 77 megavat dhe një prodhim vjetor prej 406 milion kilovat/orë, me një fitim prej më shumë se 15 milionë dollarë në vit.


21 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)