1. Tirana policentrike – Tirana me më shumë qendra, të cilat ofrojnë shumëllojshmëri të shërbimeve, të ngjashme me qendrën e tanishme të Tiranës.
2. Tirana e gjelbër – Tirana me më shumë gjelbërim dhe më shumë në lidhje me gjelbërimin rreth saj, me Dajtin, kodrat e Farkës, liqenin e Paskuqanit, kodrat e Bërxullit. Plani i përgjithshëm rregullues i Tiranës parashikon krijimin e parqeve të përbashkëta rajonale mes Tiranës dhe komunave përreth.
3. Unazat e Tiranës – Tirana do të ketë një sistem rrugor unazor, ku përveç unazës ekzistuese do të ndërtohen edhe katër unaza të tjera. Këto do të ndihmojnë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut brenda Tiranës dhe trafikut që lidh Tiranën me zonën metropolitane.
Dokumenti
Parashikohet ndërtimi i katër unazave të reja, investime 200 milionë euro në 4 vitet e ardhshme
Lorina Mixha
Bashkia e kryeqytetit bën gati planin urbanistik të Tiranës. Dokumenti me katër “vëllime” bën një përshkrim të situatës aktuale në të gjithë sektorët në kryeqytet, duke përfshirë: investimet, punësimin, turizmin, arsimin, shëndetësinë, çështjet sociale, ndërtimet, problemet e zhvendosjes së popullatës, problemet me mjedisin dhe gjithçka tjetër që lidhet me zhvillimin vendor. Hartat, politikat e zhvillimit të territorit të Bashkisë Tiranë, rregullore e planit të përgjithshëm të bashkisë, si dhe vlerësimi strategjik mjedisor i planit urbanistik janë katër dokumentet kryesore të masterplanit, i cili pritet të miratohet ditën e hënë në Këshillin Bashkiak para kalimit në KRRTRSH. Në planin urbanistik parashikohet zhvillimi, strategjia, projektet dhe investimet vendore për përmirësimin e gjendjes social-ekonomike e kulturore në kryeqytet, si dhe përshkruhen të gjitha problemet që hasen në Tiranë nga vitet ‘90 e deri sot. Pjesa me më shumë impakt në këtë kohë mbeten ndërtimet, proces i bllokuar prej më shumë se dy vjetësh, zhvillimi i pronës për pronarët, por edhe e ardhmja e ndërtesave aktuale.
Në transport investimi më i madh është ndërtimi i tramvajit, ndërkohë që parashikohet Tirana me shumë qendra dhe ndërtimi i katër unazave të tjera që pritet të lehtësojë trafikun.
Në rast se brenda territorit të nënnjësisë strukturore përfshihen edhe struktura të pallateve të ndërtuara përpara viteve ’90, plani i detajuar vendor nuk do të përfshijë në studim për zhvillim apo rizhvillim këto struktura dhe hapësirat e hapura rreth tyre, me përjashtim të rasteve kur për arsye të qëndrueshmërisë konstruktive të këtyre strukturave, parashikohet prishje e tyre. Këto struktura dhe hapësirat e hapura rreth tyre, mund t’i nënshtrohen ristrukturimit sipas përcaktimeve të kësaj rregulloreje.
Në territoret brenda unazës së tretë të qytetit dhe/ose përbri akseve kryesore radiale, sipas rrjetit rrugor të planit të përgjithshëm të qytetit, si edhe në zonat me prioritet zhvillimi, lejohet zhvillimi i strukturave me karakteristika të veçanta, sidomos sa i përket arkitekturës së tyre, të cilat mund të trajtohen me tregues zhvillimi më të lartë se maksimumet e lejuara për nënnjësinë strukturore brenda së cilës zhvillohen, kushte dhe norma zhvillimi të veçanta, me kusht që: struktura të sjellë vlera të veçanta arkitektonike për qytetin, të ketë përdorim shërbim publik në mbi 30% të sipërfaqes së ndërtimit, si dhe funksioni publik të jetë në shërbim të qytetit, dhe jo vetëm të nënnjësisë ku bëhet ky lloj zhvillimi.
Aktualisht në nënnjësi për kategorinë banim, mbizotëron struktura e mesme, ish-banesa shtetërore të ndërtuara para viteve ’90, të cilat zënë rreth 65% të strukturave të vendosura në nënnjësi. Ndërhyrja në territor do të bëhet sipas propozimeve të PDV, të cilat duhet të mbajnë në konsideratë përmirësimin dhe shtimin e infrastrukturave publike për nënnjësinë.
Përjashtimisht për pallatet e ndërtuara para viteve ’90 mund të lejohen shtesa horizontale deri në 20% të sipërfaqes së godinës ekzistuese dhe/ose vertikale deri në një kat për përdorim banim, ristrukturime, ose ndryshime të fasadave, pa prekur vijën e ndërtimit, apo përdorimeve gjithmonë brenda kategorisë banim, edhe përpara miratimit të PDV-së për nënnjësinë.
Sipas rregullores së planit, të gjitha strukturat duhet të lidhen me rrjetet infrastrukturore të ujit të pijshëm, kanalizimeve, ujërave të shiut, energjisë elektrike, si dhe shërbimit të grumbullimit të mbeturinave. Lidhjet duhet të jenë në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe specifikimet teknike.
Detaj
Zgjerimi
Bashkia Tiranë propozohet të shtrihet deri në aeroport, duke mbledhur kështu edhe flukset që i drejtohen aeroportit
Korridoret unazore
Unaza 1 – Është një unazë që rrethon qendrën e Tiranës dhe shërben kryesisht për trafikun e gjeneruar në dhe përreth qendrës së qytetit.
Unaza 2 – Është një unazë që shtrihet midis unazës së qendrës dhe unazës së mesme, duke e shpërndarë trafikun në nënnjësitë strukturore midis tyre.
Unaza 3 – Unaza e mesme është një unazë brenda Tiranës që i shërben kryesisht trafikut të përditshëm, për qëllime të ndryshme brenda.
Unaza 4 – Do të shtrihet në një distancë nga 700 deri në 900 m nga unaza e mesme dhe ajo e jashtme e qytetit. Parashikohet kalimi me tunel pranë liqenit të Tiranës në jug të universitetit, me gjatësi 1,840 metra.
Unaza 5 Unaza e jashtme e qytetit, që kalon pothuajse paralel me vijën e verdhë të qytetit të Tiranës, duke i shërbyer kryesisht trafikut transit që nuk ka as destinacion dhe as origjinën e udhëtimit në Tiranë, duke anashkaluar Tiranën. Gjithashtu do të jetë edhe një korridor i rëndësishëm për transportin e mallrave.
Lartësia minimale e strukturës:
- Për kat banimi është 2,8 metra (dysheme – dysheme).
- Për katet tregtare, lartësia minimale është 3,5 metra (dysheme – dysheme).
- Për katet e zyrave administrative dhe hotelet është 3,5 metra (dysheme – dysheme).
- Për objektet shumëfunksionale, lartësia e çdo kati është në varësi të përdorimit.
Zhvillimet e strukturave, në varësi të kategorive të zonimit
- Zhvillim i strukturave të ulëta (deri në 3k).
- Zhvillim i strukturave të mesme (3 – 6 k).
- Zhvillim i strukturave të larta (mbi 6 k).