Paketa fiskale 2013, mazhoranca voton kundër propozimeve të PS-së. Bode: Nuk sjellin përmirësim


Mazhoranca rrëzoi dje propozimet e PS-së për uljen e disa taksave në sektorë të ndryshëm, duke i konsideruar si jo eficiente. Janë afro 10 propozime, që prekin heqjen e taksës së akcizës për naftën në sektorin e bujqësisë, rishikimin e taksave për lëndët e para në këtë sektor, heqjen e TVSH-së për importin e makinerive dhe pajisjeve, aplikimin e taksës progresive për të ardhurat, apo uljen e TVSH-së për faturat e dritave, apo barnave, etj. Ministri i Financave paraqiti argumente me rastet, sipas tij, precedente se ulja e taksave nuk sjell përfitime për biznesin, por vetëm “për sekserët”. Më tej, debati kaloi në kritika dhe fyerje personale për kontrabandë kafeje, bixhoz dhe naftë.


Debati mbi uljen e taksave dhe rishikimi i procedurave tatimore mori orë të tëra dhe pavarësisht paraqitjes së shifrave, dukej se qeveria e kishte ndarë mendjen për të mos e votuar.


“Që ju të mos merrni më naftën me 1800 lekë, por me 1350 lekë, por përsëri siç e dëgjuat Sali Berisha nuk do. Do ta heqim akcizën e naftës për bujqësinë, do të heqim edhe taksën e qarkullimit për makineritë bujqësore. E kuptoni se si ju takson, e kuptoni se si ju vjedh? Taksë qarkullimi për traktorin që thjesht dhe vetëm punon tokën. A del traktori në autostradë që të paguajë edhe taksë qarkullimi?”, tha deputeti socialist Erjon Braçe.


Por ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se propozimi i opozitës çon në një skemë të dështuar, të cilën socialistët e provuan një herë në vitin 2003. “Kthehuni mbrapsht në kohë dhe shihni nëse pas heqjes së akcizës së karburanteve për bujqësinë, pati rritje apo rënie çmimi i punimit të tokave. Sigurisht që pati rritje, sepse masa që ndërmorët ju ishte një masë që nuk shkonte te fermeri, por te sekseri”, tha Bode. Veç heqjes së akcizës, deputetët socialistë propozuan edhe disa masa të tjera për të ulur kostot e fermerëve. “…për përjashtimin nga TVSH-ja të furnizimit me plehra kimike, insekticide, pesticide ndaj fermave bujqësore të përdorura si lëndë e parë për prodhimin në bujqësi, përjashtimin nga TVSH-ja të makinerive dhe pajisjeve të importuara në funksion të realizimit të kontratave të investimeve në sektorin e përpunimit aktiv, bujqësisë, blegtorisë dhe agrobiznesit në përgjithësi, si dhe uljen nga 20, në 10 për qind të TVSH-së së farërave, fidanëve dhe vaksinave për fermat bujqësore dhe blegtorale”, tha Kodheli. Por qeveria thotë se qeveria ka zgjedhur t’i ndihmojë fermerët jo përmes taksave, por me transferta direkte, që sipas ministrit Bode në vitin 2012 ishin afro 15 milionë dollarë. Në Parlament opozita kishte hartuar edhe një draft që rikthen taksën progresive, i cili sipas deputetëve të saj lehtëson barrën fiskale mbi 95 për qind të të punësuarve në administratë dhe sektorin privat, duke u falur atyre 63 milionë dollarë në vit. Mazhoranca nuk pranoi asnjë nga ndryshimet e propozuara nga socialistët, duke e kaluar paketën fiskale sipas variantit fillestar të propozuar nga qeveria.


Ky ishte debati mbi propozimet e PS-së, pasi Kuvendi kishte programuar me kohë propozimet e qeverisë për paketën fiskale, që prekin ndryshimet e procedurave në QKR, heqjen e TVSH për makineri me vlerë mbi 50 milionë lekë, 5-fishimin e gjobave, vendosjen e një plani të ri të akcizës së kafesë, vendosjen e taksës 30 për qind mbi vlerën e drurit të eksportuar, etj.


“Po mbysni biznesin me gjoba”, iu drejtua Ahmetaj ministrit të Financave, por ky i fundit i konsideroi “demagogji deklaratat e opozitës, pasi paketa fiskale e propozuar nga qeveria rrit stimujt për biznesin”. Më i ashpër u tregua Gramoz Ruçi, duke i kërkuar Berishës të miratojë propozimet e PS-së për heqjen dhe uljen e disa taksave, dhe se buxheti 2013-s nuk prodhon asnjë stimul për bizneset e zhytura në borxhe nga qeveria.


Kuvendi miratoi më herët edhe ligjin “Për akcizat”, i cili njëson taksën për kafenë, duke rritur barrën për atë që përpunohet në vend. Deri tani akciza e kafesë ka qenë e diferencuar, 35 lekë për kafenë e përpunuar në vend dhe 140 lekë për atë që vjen e gatshme nga importi. Masa, që rriste me gati 5 herë taksat për kafenë e përpunuar në vend, rrezikonte mbijetesën e gjithë biznesit vendas të kafesë, duke e rikthyer tregun nën zotërimin e importit. Përballë kësaj situate, qeveria bëri një tjetër ndryshim duke e ulur akcizën nga 140 në 60 lekë për kilogram, si për kafenë e importit ashtu edhe për atë që përpunohet nga biznesi vendas. Ky është dhe varianti përfundimtar që u votua në Kuvend, ku edhe pse u paraqit si ulje, në të vërtetë rrit fort barrën për prodhuesit vendas. Më saktësisht, akciza për biznesin e përpunimit të kafesë rritet me gati dy herë, ndërsa ajo për kafenë që vjen e gatshme nga importi ulet me rreth 2.5 herë. Sipas përpunuesve, kjo masë, që favorizon qartazi importin, do të ketë efekte të forta negative tek biznesi vendas i kafesë, i cili përveçse shton vlerë në ekonomi, duke reduktuar deficitin tregtar, punëson edhe me qindra punonjës.


 


Paketa fiskale 2013


Propozimi i qeverisë



  • Ndryshime në ligjin për QKR dhe tatimet (afatet dhe dokumentacione)

  • Rritja pesëfish e masës së gjobave që aplikohet në raste të konstatimit të punonjësve të pasiguruar

  • Heqja e TVSH për makineritë e importuara me vlerë mbi 50 milionë lekë

  • Shtyrja deri në dhjetor e afatit për deklarimin e të ardhurave individuale

  • Mosnjohja si shpenzime të zbritshme për bonuset në sektorin privat

  • Aplikimi 30% i taksës për eksportin e drurit dhe materialeve të tij

  • Taksa e biznesit të vogël mblidhet nga tatimet dhe jo më nga bashkia

  • Akciza për biznesin e përpunimit të kafesë rritet me gati dy herë


 


Propozimet e PS-së



  • Heqja e taksës së akcizës për naftën në sektorin e bujqësisë (37 lekë/kg)

  • Ulja apo zerimi i TVSH për inputet e tjera të produkteve të bujqësisë.

  • Furnizimi me farëra, fidanë, vaksina për fermat blegtorale të jenë furnizime të tatueshme në masën 10% nga 20% që është sot

  • Heqja e TVSH-së për të gjitha makineritë dhe pajisjet

  • Një propozim tjetër është të mos rriten gjobat, duke hequr nenin 5 të ligjit që e rregullon këtë marrëdhënie

  • TVSH-ja për energjinë elektrike e faturave të qytetarëve të zbresë nga 20% në 6%

  • Përjashtimi nga TVSH-ja i barnave dhe i shërbimeve mjekësore


Taksa progresive: për pagat deri në 20 mijë lekë nuk do të ketë taksim mbi të ardhurat. Për pagat nga 20-40 mijë lekë, ai do të jetë vetëm 7%; nga 40-70 mijë lekë do të jetë 10%; nga 70-100 mijë lekë 15%; nga 100-150 mijë do të jetë 18% dhe mbi 150 mijë lekë të jetë 20%.