Persekutimi


Instituti i të Përndjekurve nuk u jep grevistëve të urisë 10 mijë lekëshin që është caktuar 


Ish të përndjekurit politikë, të cilët kanë qenë pjesëmarrës në grevën e urisë, nuk lejohen që të kalojnë si qytetarë të lirë pranë institucioneve të larta shtetërore. Rastet e shoqërimit të të përndjekurve në polici, po përsëriten herë pas herë. Përndjekja e ish të përndjekurve nga policia ka nisur menjëherë pasi eskorta e makinës së Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli është qëlluar me vezë dhe domate nga një grup ish të përndjekurish. E njëjta histori ka ndodhur edhe mesditën e së enjtes me katër ish-grevistë, Arif Beu, Agim Kollçaku, Guxim Kullolli dhe Fatmir Lloçi. Ata janë ndaluar nga Policia e Tiranës dhe janë mbajtur të izoluar për më shumë se 4 orë. “Unë, Arif Beu dhe Guxim Kullolli kemi qenë para universitetit. Dy policë civilë na vunë prangat. Pas nesh erdhi edhe Lloçi. Na pyetëm se çfarë kërkonim në atë orë, pranë universitetit. I trembeshin ndonjë aksioni të mundshëm nga ana jonë, sepse sot kishte edhe Parlament. Nuk kishim asnjë plan sulmi, thjesht kemi ardhur në Tiranë për problemet tona”, është shprehur Agim Kollçaku.


 


Ankesa e shpërblimit


Ndërkohë, Instituti i të Përndjekurve Politikë ka shpërndarë për grevistët e urisë një shpërblim prej 10 mijë lekësh, në prag festash dhe nuk përfshinë 8 grevistët, ku pjesa më e madhe kanë qenë deri në fund të saj. Sipas ish të përndjekurve, në listë janë kryer abuzime dhe janë përfshirë persona që nuk kanë pasur asnjë lidhje me grevën. Afrim Biturku, i përndjekuri nga Kavaja ka kërkuar që lista me emra, e cila i është dorëzuar kryetarit të institutit, Simon Miraka, të bëhet transparente. “Ne grevistët që na u mohua edhe uji, nuk jemi përfshirë në listën e shpërblimit. Sipas Simon Mirakës, shpërblimi për Vitin e Ri, u është dhënë 22 personave, që po ta mendosh ne nuk kemi qenë 22 grevistë. Edhe po të kishim qenë kaq sa thuhet, 9 persona, ku pjesa më e madhe e tyre kanë qëndruar deri në fund të grevës, nuk jemi përfshirë. Ku kanë shkuar këto lekë dhe përse ne jemi përjashtuar? Këtë thirrje ia bëjmë Mirakës. Kur e takuam më tha që listën nuk e kishte përpiluar ai, por ia kishin dorëzuar. Nuk ma tregoi emrin e personit që e kishte marrë përsipër hartimin e saj”, ankohet Biturku. Ata janë mjaft të zhgënjyer për diskriminimin që u është bërë, ndërkohë që pretendojnë se janë personat që vuajtën më shumë në grevën e urisë, e cila zgjati 31 ditë. Greva e fundit e të përndjekurve politikë kaloi kufijtë duke marrë edhe jetë njerëzish dhe duke rrezikuar seriozisht shëndetin e të gjithë të përfshirëve. Para arrestimit të personave të lartpërmendur, disa ditë më parë në polici janë shoqëruar edhe ish të përndjekur të tjerë. Skënder Tufa, ish-koordinatori i grevës së urisë, është prononcuar në gazetën “Shqip”, se përveç shoqërimeve në polici, po përndiqet hap pas hapi. Situata është bërë e padurueshme për ish-grevistët, të cilët i kanë shpallur luftë të hapur qeverisë aktuale, e cila refuzon që t’u japë dëmshpërblimin për vitet e burgut, që mbështetet me ligj. S.Muça