Kulturë Visar Zhiti: Kam hapur të tjera dosje

Visar Zhiti: Kam hapur të tjera dosje

154
SHPËRNDAJE

Oliverta Lila

Çmimi i Madh i Letërsisë për vitin 2011 ka shkuar për shkrimtarin Visar Zhiti. Në ceremoninë e mbajtur mbrëmë në Teatrin Kombëtar, në skenën e akullt, veç tij u ngjitën 9 krijues të tjerë, të vlerësuar për botimet e vitit 2011. Përjashtim ka bërë në këtë rast Çmimi i Madh, i cili i është dhënë Zhitit me motivacionin: “Për prurjet në nivel të lartë artistik e estetik që ka përcjellë në letërsinë bashkëkohore shqipe, nëpërmjet korpusit letrar të veprës së krijuar prej tij”. Vetë shkrimtari e quajti këtë çmim një shpërblim shpirtëror dhe ia kushtoi edhe të tjerëve shkrimtarë që si ai, ishin të ndaluar të botoheshin. “Ky çmim tregon që letërsia ka lexues dhe vlerësohet. Në njëfarë mënyre ndjen se po komunikon me lexuesin, ndjehesh i vlerësuar prej tij dhe të vjen mirë. Janë si shkallë që të çojnë diku, por vepra dhe kualiteti i saj është i vetmi çmim për shkrimtarin”, theksoi Zhiti.

I pyetur nëse letërsia e tij me temat e burgut do të vazhdojë, Zhiti u shpreh se “çmimi vjen për të gjithë krijimtarinë. Unë e kam një pjesë të rëndësishme në krijimtarinë time jetën e burgut, por nuk e zgjodha unë, e zgjodhi fati që shkoi atje, unë iu përgjigja. Është një temë që nuk mbaron me mua, unë besoj se i kam thënë ato që doja, por kam përshtypjen se gjithmonë po shihet edhe nga shkrimtarët e tjerë që nuk e kanë vuajtur dhe bëjnë mirë që të mos përsëritet ajo që ka ndodhur”. Cilat do të jenë temat drejt të cilave do të orientohet në të ardhmen? “Temat janë shumë, tani nuk kam gjë të kristalizuar. Kam hapur disa dosje të miat letrare, të cilat do t’i përpunoj në vazhdim”. Juria që mori në shqyrtim veprat e botuara gjatë vitit 2011 (çmimet janë ndarë thuajse një vit me vonesë), ka pasur në përbërje të saj Amik Kasoruhon si kryetar, Sali Bashotën, Eqerem Bashën, Ali Aliun, Arjan Lekën, Mimoza Hysën, Gentian Çoçolin, si anëtarë. “Në prurjen e gjerë të vlerave të reja të letërsisë, anëtarët e jurisë kanë vendosur me vetëdije të plotë, duke rrahur problemet dhe me votim të fshehtë. Uroj që këto çmime të shërbejnë për të na dhënë vepra më të mira e më dinjitoze, por edhe si nxitje për ata që ende nuk janë vlerësuar”, u shpreh Kasoruho në fillim të mbrëmjes. Kjo ceremoni është shfrytëzuar për të nderuar edhe poetin e ndarë nga jeta, Ali Podrimen, të cilit Presidenti Bujar Nishani i ka dhënë titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Në emër të familjes, në skenë u ngjit nipi i tij, i cili theksoi se ky vlerësim do të jetë një shtysë që familja të vazhdojë ta kujtojë. Nën prezantimin e aktorëve Yllka Mujo dhe Ndriçim Xhepa, Çmimi “Petro Marko” i është dhënë shkrimtarit Zija Çela, për romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, për kodet e ligjërimit dhe risitë e përcjella nëpërmjet një forme autentike të narracionit, duke pasuruar me vlera të qenësishme prozën romanore shqipe. “Ka një përkim të çuditshëm, sot që flitet kaq shumë për fundin e botës, unë marr çmim për një botim që ka në titull fjalën Apokalips. Por apokalipsi për të cilin unë flas, ka të bëjë me atë që vetë njerëzimi dhe vet ne ia shkaktojmë njëri-tjetrit me sjelljen njerëzore”, ka thënë Çela gjatë marrjes së çmimit. Çmimi “Mitrush Kuteli” iu dha shkrimtarit Moikom Zeqo për vëllimin me tregime “Klepsidra”, për prurje origjinale në vijimësi në artin e tregimtarisë, si dhe një stil unik letrar. “Një çmim nuk është gjë tjetër veçse kalimi nga një pakënaqësi estetike për të arritur në një tjetër nivel”, theksoi Zeqo. Çmimi “Gjergj Fishta” iu dha shkrimtares Mira Meksi, për librin eseistik “Leximi i ndaluar dhe shkrimet e fshehura”, për këndvështrimin origjinal të trajtimit dhe përcjelljen e një mendimi analitik e sistematik mbi protagonistë e dukuri të pazakonta të shfaqura në botën e letrave. “Jam shumë entuziaste për vlerësimin e këtij libri, pasi unë besoj fort tek eseja dhe kam punuar për promovimin e kësaj gjinie edhe në revistën ‘Merlicht’”, është shprehur Meksi pas marrjes së çmimit. Poeti Rudian Zekthi është vlerësuar me çmimin “Lasgush Poradeci” për vëllimin me poezi “Panair”, nëpërmjet të cilit autori spikat në thurjen e monologut poetik që tirret përmes imazheve e formave meditative, duke përcjellë vlera dhe risi origjinale në poetikën shqiptare. “Ky libër ka nisur të shkruhet 20 vjet më parë, kur një grup poetësh të rinj krijuan një komunitet artistik, ku poezitë e njërit interferonin me të tjetrit. Çmimi është për atë grup poetësh, që në njëfarë mënyre janë bashkautorë”, u shpreh Zekthi. Çmimi “Faik Konica” shkoi për studiuesin Shaban Sinani për veprën studimore “Camaj i paskajuar”, për trajtimin në nivel të lartë shkencor dhe origjinalitetin e mendimit kritik mbi veprën letrare të Martin Camajt, për rolin që ajo ka luajtur në rrjedhat e letërsisë shqipe. “Ky çmim është i pandashëm me emrin e Martin Camajt dhe duhet t’u jemi mirënjohës këtyre shkrimtarëve që na japin mundësinë të kryejmë këto studime”, theksoi Sinani. Çmimi “Migjeni” shkoi për shkrimtarin debutues Plator Ulqinaku për vëllimin poetik “Libri i qëndresës”, duke e vlerësuar për një hap të parë të pjekur dhe premtues në poezinë shqipe. “Ky çmim është një konfirmim që vepra ka nisur mirë dhe ka terren për të vazhduar më tej. Një konfirmim që nuk e kisha, pasi libri doli në treg dhe që më shkaktoi goxha pasiguri. Kjo ndikoi pastaj edhe në gjithë marrëdhënien e vështirë që unë krijova me librin. Tashmë do të rifitohet marrëdhënia me poezinë”, thekson Ulqinaku, bankier në profesion. Çmimi “Fan Noli” iu dha përkthyesve Bashkim Shehu e Edlira Hoxholli për përkthimin mjeshtëror të veprës “Nokturnet e Kilit” të shkrimtarit të shquar Roberto Bolanjo, duke shënuar prurje me vlera të spikatura në traditën e përkthimit të autorëve të rëndësishëm nga letërsia e huaj, në gjuhën shqipe. Për anën tjetër të medaljes, çmimi “Jusuf Vrioni” iu dha përkthyesit Aleksandër Zoto, për kontributin e gjithanshëm e të shumëçmuar në përkthimit dhe promovimit e dhjetëra shkrimtarëve dhe veprave të letërsisë shqipe në gjuhën dhe kulturën franceze. Ceremonia u mbyll me çmimin “At Donat Kurti” që iu dha shkrimtarit Ruzhdi Gole, me librin “Kureshtja për t’u rritur”, duke e vlerësuar veprën e tij si një hop emancipues të zhanrit të letërsisë sonë për fëmijë dhe të rinj. “Libri është i vetmi që unë kam shkruar për fëmijë, i cili do të vazhdojë të shkruhet prej vetë atyre”, ka theksuar shkrimtari.