Fëmijët dhe dhëndri i kryeministrit Sali Berisha, kanë reaguar pas një jave denoncimesh nga ana e Partisë Socialiste për pasurinë e tyre. Në një deklaratë për mediat, Argita dhe Shkëlzen Berisha sqarojnë se të ardhurat e tyre kanë ardhur nga burime të ligjshme dhe janë deklaruar në organet përkatëse.
“Në lidhje me spekulimet e fundit të zotit Balla, sqarojmë se të ardhurat tona janë të gjitha nga burime të ligjshme dhe të deklaruara në organet përkatëse. Të gjithë të ardhurat janë të derdhura në rrugë bankare dhe për to janë shlyer, po në rrugë bankare, të gjitha detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi. Sa më sipër vërtetohet lehtësisht nga deklarimet vjetore të pasurisë në ILDKP, institucion i cili hetoi dhe konstatoi vërtetësinë e deklarimit tonë të pasurisë ndër vite, por dhe deklarimet pranë organeve tatimore mbi të ardhurat personale vjetore”,- thuhet në deklaratë.
Fëmijët e Berishës nuk kanë nguruar të ironizojnë kreun e opozitës Edi Rama, që sipas tyre pasi betonoi Tiranën, deklaroi se kishte vetëm 3 mijë euro kursime dhe është i pastrehë. “I kujtojmë zotit Balla se të ardhurat tona të deklaruara, të kontrolluara e të gjetura në rregull, janë në dritë të diellit, ndryshe nga shefi i z. Balla, i cili pasi betonoi Tiranën me milionë metër katror ndërtim dhe u akuzua publikisht nga ndërtuesit se kishte kërkuar miliona euro në shkëmbim të lejeve të ndërtimit, deklaron si kursime jete 3 mijë euro dhe se jeton 6 muaj te shokët e 6 muaj te mami meqë është i pastrehë,” vijon deklarata.
Argita dhe Shkëlzen Berisha kanë ftuar deputetin socialist Taulant Balla të përballen në gjykatë për të gjitha akuzat e ngritura prej tij. “Përsa i përket trillimeve të vazhdueshme të z.Balla, kundër të cilit janë hapur nga persona të ndryshëm, disa procese ligjore për shpifje, që prej një jave kemi pritur që ai të japë argumente për akrobacitë e tij spekulative. Meqë këtë ai nuk e bën, do t’i japim mundësinë të paraqesë argumentet e tij në gjykatë. E ftojmë të mos i shmanget si frikacak përballjes në gjyq”,- thuhet në deklaratë.
Reagimi i fëmijëve të kryeministrit Berisha vjen pas deklaratës së ILDKP-së, i cili dy ditë më parë sqaroi se gjatë verifikimeve të pasurisë së kryeministrit dhe familjes së tij nuk ishin konstatuar probleme.
22 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)