Nuk ka vendim për numrin e ZAZ-ve. Në fuqi ndarja e 2009-s
Zgjedhjet e vitit 2013, duket se nuk do të vendosen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por në gjykatën përkatëse, siç është Kolegji Zgjedhor. Për dy çështjet e para dhe mjaft të rëndësishme të përgatitjeve të votimeve të 23 qershorit të vitit të ardhshëm siç janë listat e zgjedhësve të Kukësit dhe ndarja e Zonave të Administrimit Zgjedhor nuk është arritur shumica cilësuese prej pesë anëtarësh në KQZ, ndaj pritet që kjo të vendoset nga Kolegji i ri Zgjedhor, i cili sapo ka bërë betimin. Pikërisht nisja e administrimit të zgjedhjeve jo vetëm që nuk ofron shpresë për një zhvillim normal të procesit, por duket se gjërat më të rëndësishme, ndoshta dhe rezolutat, do të vendoset nga trupa prej tetë gjyqtarësh. Në fakt sipas Kodit Zgjedhor për ndarjen e ZAZ-ve nëse nuk ka vendim të KQZ-së duket të përcaktohet ajo ndajre që ka qenë në zgjedhjet e kaluara pra me 66 KZAZ si në 2009-n.
KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje nuk ka arritur të miratojë edhe ndarjen e Zonave të Administrimit Zgjedhor, ku përpara ka pasur një material të përbashkët të PD-së dhe PS-së, por me ndarje për numrin e ZAZ-ve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar propozimet e PD dhe PS për numrin e ZAZ-ve në të gjithë vendin. Partia Demokratike propozoi ngritjen e 100 ZAZ-ve në të gjithë vendin, në mënyrë që numërimi i votave të bëhet sa më shpejt, ndërsa socialistët propozuan 75 ZAZ. Administrata nga ana e saj propozoi 89 qendra votimi. Në votim nuk u pranua asnjë prej propozimeve që kërkonin shumicë të cilësuar. Në përfundim u vendos që çështja të dërgohet në Kolegjin Zgjedhor. Gjithashtu KQZ dështoi të marrë vendimin për të hapur procedurat e tenderimit për teknologjinë e numërimit elektronik në Fier dhe kontrollin e letërnjoftimeve në Tiranë. Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi theksoi se parashikohet ngritja e qendrave për administrim zgjedhor. “Janë 4 bashki që kanë mbi 80 mijë banorë me të drejtë vote dhe këto 3 bashki do të ndahen në 3 Zona të Administrimit Zonal (ZAZ). Por, përfaqësuesi ligjor i PS-së Genc Gjonçaj kërkoi shpjegim se cila është arsyeja që KQZ ka marrë në konsideratë të analizojë variantin e PD. Lleshi theksoi se nuk ka asnjë gjë të keqe që të rritet numri i ZAZ. Ndërkohë që përfaqësuesi i PD-së, Kosovrasti ka deklaruar se mendon që numri i ZAZ duhet të rritet mbi 100. Ai theksoi që procesi të jetë sa më i menaxhueshëm. Duke përmendur Durrësin, Kosovrasti vuri në dukje se nga 3 duhet të jenë 4 ZAZ. Sipas tij, do të ishte mirë edhe ndarja me 2 ZAZ dhe në Bashkitë e Fierit e Korçës. “Jam dakord me 89 ZAZ, por do të doja që të shtoheshin me 11 ZAZ. Qyteti i Durrësit duhet të ketë jo 3 por 4 ZAZ, ka shumë votues”. Por Gjonçaj shprehu kundërshtimin e PS duke theksuar se parimisht nuk janë dakord për ngritjen e ZAZ.
“Nuk mund të kemi qendra ZAZ me 20 apo 30 mijë votues. KQZ të votojë variantin me 76 ZAZ, propozoj 2 ndryshime, tha Gjonçaj duke shtuar se sfida kryesore e KQZ është kthimi i besimit të zgjedhjeve tek qytetarët. Sipas ligjit elektoral, afati i fundit për ngritjen e tyre ishte data 6 dhjetor, KQZ-ja u la në dorë dy partive që të gjejnë me konsensus një numër të përbashkët të KZAZ-ve që do të ngrihen. PD-ja dhe PS-ja nuk ishin dakord me propozimin fillestar të KQZ-së, sipas të cilit, duhet të ngrihen 76 KZAZ në 12 qarqet e vendit, duke u angazhuar se do të negociojnë për të gjetur një variant të përbashkët.
Por, në këto 14 ditë, palët ishin larg qëndrimeve të tyre, çka bëri që ato të mos vinin në KQZ me një draft të përbashkët.
Anëtarët
Në fillim të muajit, anëtarët e rinj të Kolegjit Zgjedhor Andi Civici, Edlira Petri, Fuat Vjerdha, Gjinovefa Gaba, Ilir Toska, Kriton Spahiu, Petrit Çeno dhe Valbon Çekrezi me dorën mbi Kushtetutë, u betuan para kreut të shtetit shqiptar, Bujar Nishani