Universitetet më prestigjioze të botës i hedhin në rrjet “dijet” e tyre. Më shumë se 3 milionë studentë ndjekin leksionet në internet. Një lëvizje e zgjuar marketingu apo një revolucion i vërtetë dixhital?


“Jam 15 vjeçe e ndoshta ju thoni se jam shumë e re për të dhënë argumentin tim. Por unë nuk flas si një nxënëse liceu, por si studente e Coursera. Udhëtimi im nisi një vit e gjysmë më parë, kur mora pjesë në një kurs mbi inteligjencën artificiale që kishte më shumë se 160 mijë studentë. Coursera ka arritur të shuajë etjen time për dije dhe do të doja shumë që në të ardhmen të regjistrohesha në të gjitha kurset që ata ofrojnë”. Gulia shkruan në një blog entuziazmin e saj, që ka “infektuar” më shumë se 3 milionë të rinj në të gjithë botën. “Moocs”, kurset masive online, po shndërrohen në një fenomen që për “Mit Technology Review” është i destinuar të bëhet teknologjia e aplikuar më e rëndësishme për edukimin në këta 200 vjet. Sigurisht që “Mit” ka gjithë interesin e nevojshëm për ta shtyrë më tej këtë teknologji të re, duke qenë se së bashku me Harvardin sapo ka investuar rreth 60 milionë dollarë në prezantimin e platformës së tyre EdX (www.edx.org), ku mund të shkarkohen leksionet e profesorëve më të mirë, elitës së universitetit. Një iniciativë, e cila që në krijimet e saj ndiqej nga plot 370 mijë studentë. Por ky është vetëm fillimi: Coursera (www.coursera.org), në më pak se një vit, ka arritur 2 milionë përdorues dhe po “rritet” edhe më shpejt se “Facebook”-u. Të paktën kështu mendon Andrew Ng, profesor në Stanford dhe krijues i “Moocs”, ku marrin pjesë 33 universitete, me të cilëve Brown, Duke, Universiteti i Torontos dhe i Melburnit, që ofron më shumë se 208 kurse online. Pararendësi ishte Udacity (www.udacity.org) i krijuar nga ideja e dy shkencëtarëve Sebastian Thrun, profesor i Stanfordit dhe Peter Norvig, përgjegjës për kërkimin në “Google”, që krijuan një version online të kursit universitar “Hyrje në inteligjencën artificiale” e që në fillim kishte të regjistruar jo më shumë se 200 studentë të kampusit. Por brenda një kohe të shkurtër ai u shndërrua në një sukses të vërtetë me më shumë se 160 mijë të regjistruar, me studentë nga e gjithë bota që vullnetarisht e kanë përkthyer materialin bazë në më shumë se 44 gjuhë të ndryshme. Pas kësaj eksperience, Thrun braktisi Stanfordin për t’iu përkushtuar “krijesës” së tij, ndërsa universiteti amerikan e zgjeroi më tej ofertën e tij online me 13 kurse, ku përfshihet: anatomia, kriptografia, teoria e lojërave dhe procese të gjuhës natyrore. Kjo është esenca dhe forca e “Moocs”: çdo profesor publikon punimet e tij dhe më pas i bën të aksesueshme për publikun e gjerë. Një mënyrë e re e të mësuarit për masën është edhe ekuacioni i së ardhmes sipas shkencëtarit në krye të EdX, Anant Agarwal. Ai është i bindur se edukimi po ndryshon “fytyrën” e tij njëherë e përgjithmonë. Arsyeja sigurisht që është e lidhur me internetin dhe teknologjitë e reja që i procesojnë të dhënat në të mijtën e sekondës: falë këtyre hapave gjigantë, studentët mund të ndajnë videot e pajisura me elemente të sofistikuara interaktivë, ndërsa mësuesit marrin informacione të rëndësishme për studentët për ta bërë mësimdhënien në distancë akoma më efikase. “Kemi të bëjmë me një brez studentësh të mësuar të përdorin teknologjinë dhe të dialogojnë me të. Për këtë arsye mendoj se ‘Moocs’, do të ketë sukses”, tregon Luigi Prosepio, president i BETA-s, “Bocconi Education and Teaching Aleance”. Ideja e një aleance mes universiteteve më të mira të botës që mund të vënë në dispozicion arsenalin e tyre të dijes, në mënyrë që të gjithë të kenë akses, është diçka e mrekullueshme. Kriza ekonomike mund të jetë një arsye tjetër e fortë për t’i mëshuar kësaj ideje: në një botë si ajo amerikane, ku diplomimi kushton të paktën 1000 mijë dollarë dhe ku 60 për qind e diplomatëve mendojnë se universitetet nuk japin përgatitjen e duhur në krahasim me lekët e harxhuara, “Moocs” mund të duket një zgjidhje shumë e leverdishme. Në të vërtetë praktika e të mësuarit online ka ekzistuar prej vitesh, por kurrë nuk ka njohur një sukses kaq të madh sa tani. Dhe ky moment është pikërisht tani, për shkak të përhapjes kaq të madhe të internetit dhe numrit të madh të përdoruesve të saj. Nëse kësaj i shtohet edhe prestigji i universiteteve që i bashkohen, atëherë nuk ka si të mos ketë sukses. Por lind pyetja se përse këto universitete kanë vendosur të hedhin online dijet e tyre? Sigurisht që marketingu luan një rol të rëndësishëm, pastaj është edhe bindja se janë shndërruar në pika referimi botërore për sa i përket dijes. Një lëvizje që me siguri do të ndryshojë modelin e tyre strategjik, por universitetet kështu si i kuptojmë nuk do të zhduken. Përkundrazi analiza e “Global Industry” vlerëson se ky biznes në zhvillim mund të vlejë 100 miliardë dollarë në vitet në vazhdim.


 


Një leksion virtual mund të ketë deri në 60 mijë studentë të regjistruar


 


33 për qind e studentëve amerikanë ndjekin të paktën një kurs shkollor në ueb