Denoncimi


Familjarët kërkojnë ndihmën e policisë: Nuk kemi ndonjë konflikt


Zhduket një 16-vjeçar nga fshati Golem i Shkodrës, ndërkohë që familja lëshon alarmin në polici për gjetjen e tij. Ernest Shporaj është larguar prej dy ditësh dhe nuk është kthyer më në banesë, ndërkohë që pas marrjes së denoncimit, policia ka bërë shpalljen në kërkim të 16-vjeçarit, si dhe ka nisur punën për zbardhjen e ngjarjes. Familjarët kanë sqaruar në polici se ata nuk kanë ndonjë konflikt me njeri dhe as nuk kanë pasur presione apo probleme të kësaj natyre. Kjo e ka vështirësuar akoma më shumë punën e policisë në gjetjen e 16-vjeçarit. Policia ka ngritur disa pista hetimi nga ajo e ikjes në mënyrë aventureske e 16-vjeçarit, deri tek ajo e rrëmbimit për arsye përfitimi. Ndërkohë, familjarët kanë sqaruar për policinë se djali i tyre ishte me arsim 8 klasë dhe nuk njihej si person problematik. Sjellja e tij, sipas familjarëve, ka qenë e zakonshme, por mosardhja në shtëpi është diçka krejt e pazakontë. Ndërkohë, prindërit e 16-vjeçarit kanë kërkuar te të gjithë të afërmit dhe shokët e 16-vjeçarit, por nuk është bërë e mundur gjetja e tij. Frika e familjarëve është se 16-vjeçari mos është marrë peng, duke kujtuar edhe rastin e ndodhur në Tiranë. Personat e fundit që e kanë parë 16-vjeçarin shprehen se ai ndodhej në afërsi të shtëpisë si çdo ditë. Një shpresë që mban policia dhe familja është dyshimi se 16-vjeçari mund të jetë larguar me ndonjë shok me mendimin për t’u kthyer sërish në shtëpi. Nga ana tjetër, policia ka shpërndarë foton e të humburit në pikat e kalimit kufitar dhe janë sinjalizuar të gjitha shërbimet për humbjen e adoleshentit, duke dhënë përshkrimet e veshjes së 16-vjeçarit për ditën që është larguar. Gjithashtu, agjentët e policisë kanë marrë në pyetje shokët e tij për të mësuar ndonjë detaj më shumë në lidhje me mundësinë e largimit. Nga ana tjetër, familjarët i bëjnë thirrje djalit të tyre që të kthehet në shtëpi, pavarësisht se çfarë mund ta ketë shtyrë të largohet. A. Hoti