Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, gjatë një pritjeje në prag të festave të fundvitit me drejtues të medias në vend, analistë dhe gazetarë, ka kërkuar vëmendjen edhe të klasës politike për çështjen çame. Sipas Idrizit, rezoluta çame nuk duhet vlerësuar si një nismë politike e PDIU-së apo si presion ndaj dikujt, por si një çështje kombëtare.
“Ju të gjithë e dini se kemi filluar një rezolutë për çështjen Çame. Miqësisht dua t’ju them se ajo nuk është rezolutë e partisë tonë, nuk është as rezolutë e imja dhe e Dashamirit. Është në radhë të parë e një komuniteti të tërë i cili ka nevojë të ketë gjithë përkrahjen tuaj. Është një komunitet, i cili përtej historisë që për 100 vjet jeton në Shqipëri i shpërngulur, është shkrirë bashkë me shqiptarët kudo në jetën e përditshme në martesa.
Jemi po kaq shqiptarë sa gjithë të tjerët. Kjo nuk është një rezolutë që drejtohet ndaj dikujt apo për presion ndaj dikujt. Ku është besoj një presion i ndërgjegjes kombëtare që në radhë të parë ne të tregojmë që jemi njerëz, komb dhe shtet dinjitoz”, u shpreh Idrizi.
22 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)