LSI
Naço i përgjigjet Patozit: Nuk kërkojmë të na luteni
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka përsëritur qëndrimin e kësaj partie pro ngritjes së komisionit hetimor për shtimin e votuesve në Kukës. Meta tha se LSI është pro çdo komisioni hetimor.
Marrëdhëniet mes LSI-së dhe PD-së janë acaruar së tepërmi dhe Meta e Berisha nuk janë takuar personalisht prej kohësh
Gjatë vizitave në Lezhë dhe Rrëshen, Meta tha se është kundër pakësimit të mandateve në Berat. Ai shtoi megjithatë se koalicioni me PD-në është i qëndrueshëm. Meta tha se njerëzit votojnë për LSI, sepse duan stabilitet. “Natyrisht që ne nuk i ndryshojmë dot të tjerët, por ne kemi për detyrë të sillemi ndryshe nga ata që dëshirojnë të bëjnë protagonizëm përmes konfliktit, përmes bllokimit, përmes mosmarrëveshjeve kur është shumë e lehtë të bësh një protagonizëm konstruktiv përmes bashkëpunimit, përmes mirëkuptimit sepse në këtë mënyrë, në vend që të shtojmë problemet që kanë qytetarët, ne i zgjidhim ato dhe i kemi në rendin e ditës. Ndaj LSI do të vazhdojë të sillet në këtë mënyrë, do të vazhdojë të ketë një angazhim gjithmonë konstruktiv, sepse ne kemi një vizion europian, ne kemi një shpirt europian. Natyrisht dhe të gjitha këto kërkojnë edhe një sjellje, edhe një komunikim të tillë. Ka ikur koha e politikës e akuzave pa mbarim, të sharjeve pa fund. Është për të ardhur keq që Parlamenti po të vështrohet sot, po të ndjekësh debate duket sikur është ky nivel konflikti që ishte edhe në vitin ‘92. Por ndërkohë situata në Shqipëri është krejt ndryshe dhe qytetarët tanë nuk janë më siç ishin pa përvojën e duhur, përkundrazi demonstrojmë shumë më tepër qytetari, vetëpërmbajtje dhe respekt për njëri-tjetrin, pavarësisht nga bindjet politike, shumë më tepër sesa drejtuesit e tyre dhe përfaqësuesit e tyre në Parlament”, tha Meta. Ndërkohë, deputeti i LSI-së, Nasip Naço, i është përgjigjur Astrit Patozit, i cili deklaroi se nuk do të luste partinë e Metës për aleancë. Naço deklaroi se marrëveshja me demokratët nuk përfshin hyrjen në zgjedhje në një koalicion dhe se as LSI-ja nuk pret që PD-ja ta lusë për të hyrë në aleancë. LSI do të kundërshtojë me votë në Parlament heqjen e një mandati në Qarkun e Beratit. Në votimin e së enjtes, për ngritjen e komisionit hetimor kërkuar nga PS, tre deputetë të LSI-së bashkuan votat me socialistet, ndërsa ministri Vangjel Tavo abstenoi. Marrëdhëniet mes LSI-së dhe PD-së janë acaruar së tepërmi dhe Meta e Berisha nuk janë takuar prej kohësh personalisht. Edhe dy ditë më parë, kur ishte rasti në darkën e shtruar nga Topalli, deputetët e LSI-së e bojkotuan. Njësoj si grupi parlamentar i PS-së.