Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani, ka zhvilluar mesditën e sotme pritjen tradicionale me rastin e festave të fundvitit për përfaqësuesit e mediave shqiptare. Në këtë takim festiv të zhvilluar në ambientet e presidencës, kanë qenë të pranishëm deputetë të Komisionit parlamentar të Medias, drejtues të mediave, kryeredaktorë, gazetarë, analistë, komentues, folës, kameramanë, fotografë, zëdhënës institucionesh, etj.
Në fjalën e rastit kreu i shtetit, duke i uruar të pranishmëve një fillim të mbarë për vitin e ardhshëm, shprehu mirënjohjen institucionale për kontributin e madh të dhënë nga mediat gjatë vitit që po lëmë pas. Kreu i shtetit çmoi rolin e medias për bashkëpunimin, që i kanë ofruar Presidentit të Republikës në përmbushjen e misionit të tij, duke nënvizuar bindjen se media është syri dhe veshi i qytetarit shqiptar; zëri i fuqishëm kritik, shpotitës e komentues. Kreu i Shtetit i inkurajoi përfaqësuesit e medias që të jenë gjithmonë e më shumë aktivë, kritikë, gjithmonë e më shumë të orientuar nga analiza e komentet e të gjithë fushave, në mënyrë që shoqëria shqiptare të jetë gjithmonë në nivelin që meriton të ketë një shoqëri ambicioze për të ardhmen e saj dinamike në jetën shoqërore, politike, sociale, kulturore të vendit.
“Prandaj, do të desha të jem pjesë e të gjithë asaj armate të madhe të qytetarëve të shoqërisë sonë, që ju inkurajon, ju mbështet, ju nxit dhe ju vlerëson në misionin tuaj, në radhë të parë, por edhe në punën tuaj të përditshme, e cila padyshim, si çdo fushë tjetër ka sfida të shumta, sfida të mëdha!” – theksoi Presidenti i Republikës.
Në vijim të fjalës të tij, Presidenti Nishani duke e konsideruar vitin e ardhshëm si një vit shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, pasi do të mbahen edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare, e cilësoi median një promotore, mbështetëse, inkurajuese dhe evidentuese të sfidave të qenësishme me të cilat do të përballet shoqëria shqiptare.”Personalisht do të dëshiroja të kisha bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë, pikërisht njerëzit e medias, në kontekstin e gjykimit, vlerësimit, analizës, adresimit të të gjithë problematikave, çështjeve, shqetësimeve, të të gjitha aspekteve të shoqërisë sonë”, theksoi Nishani.
22 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)