Misteri
Bashkëshortja e Artan Kokës, padi në gjykatë për shërbimin sekret
Dëmshpërblimi – Dhjetë ditë pas mbushjes së një viti që oficeri i SHISH u gjet në gjendje të rëndë në zyrën e tij, Gjykata e Tiranës ka regjistruar padinë e familjes, e përfaqësuar nga bashkëshortja e Artanit, Afërdita, në emër edhe të dy fëmijëve të tyre, Erli dhe Jeta, të cilët kërkojnë dëmshpërblim nga Shërbimi Informativ Shtetëror
Më 9 dhjetor të vitit 2011, oficeri i SHISH-it, Artan Koka, u dërgua në mënyrë misterioze nga dy kolegë në gjendje kome në familjen e tij, së cilës i thanë se ai kishte pirë dhe nuk ishte mirë. Që nga ajo ditë e deri më sot, ai vazhdon të mbetet në koma dhe nuk e di se para pak kohësh është shtuar me një vajzë. Edhe pse për vite të tëra, ai i ka shërbyer shtetit, familja e tij, në këto ditë të vështira, nuk e ka ndjerë ndihmën e shtetit. Për këtë arsye, gruaja i është drejtuar gjykatës, duke e hedhur në gjyq Shërbimin Informativ Shtetëror, prej të cilëve kërkon dëmshpërblim.
Padia
Familja e oficerit, i cili në mënyrë misterioze i është dërguar bashkëshortes në atë gjendje që është edhe sot, ka kërkuar në gjykatë dëmshpërblim për shkak të aksidentit të shkaktuar në punë, pavarësisht se nga hetimet e kryera dyshohet se ngjarja mund të ketë qenë një goditje me mjete të forta në kokë nga persona të paidentifikuar. Dhjetë ditë pas mbushjes së një viti që oficeri i SHISH u gjet në gjendje të rëndë në zyrën e tij, Gjykata e Tiranës ka regjistruar padinë e familjes, e përfaqësuar nga bashkëshortja e Artanit, Afërdita, në emër edhe të dy fëmijëve të tyre, Erli dhe Jeta. Afërdita Koka ka paditur SHISH-in, duke i kërkuar dëmshpërblim për dëmin pasuror dhe jo pasuror, si rrjedhojë e aksidentit në punë të bashkëshortit së paditëses. Deri më sot, familjes i është thënë se punonjësi i SHISH ishte rrëzuar në gjendje të dehur, megjithëse shumë fakte kundërshtojnë këto deklarata të shërbimit sekret. Sipas të dhënave, më 9 dhjetor 2011, si çdo ditë, Artan Koka është nisur në mëngjes për në punë, nga shtëpia ku banonte në rrugën “Tre vëllezërit Kondi” në Tiranë. Në orën 8:00 të mëngjesit ka marrë turnin e punës, për ta dorëzuar në ora 8:00 të mëngjesit të datës 10 dhjetor, pasi turnet ishin 24 orë. Deri në orën 13:30, në regjistrin e hyrje-daljeve të bazës figurojnë shënimet e mbajtura nga roja i godinës Artan Koka. Pas kësaj ore, nuk ka ndonjë shënim. Aty rreth orës 16:00 të asaj dite, i vëllai i 39-vjeçarit është njoftuar se Artani kishte pirë dhe ishte rrëzuar. Në orën 16:20, Koka është dërguar në shtëpi nga dy agjentë të SHISH-it, të cilët janë larguar, pasi i kanë komunikuar bashkëshortes së 39-vjeçarit se burri i saj kishte pirë dhe ishte rrëzuar.
Hetimet
Duke u nisur nga dyshimet e para, infermieri i lagjes i sugjeroi familjarëve, që ta dërgonin menjëherë në spital 39-vjeçarin me duar e këmbë akull të ftohta e që kishte filluar të dridhej. Atje, pasi u konstatua se burri nuk ishte intoksikuar nga alkooli, por goditur mbi kokë me sende të forta, nisi edhe kalvari psikologjik e financiar i familjes Koka. Institucioni dhe vetë kolegët, me të cilët punonte babai i dy fëmijëve prej vitit 2000, nuk i janë përgjigjur ende asnjërës prej kërkesave të familjarëve për të kuptuar se çfarë ndodhi me njeriun e tyre. Në këto kushte, në muajin janar të këtij viti, prokuroria ka nisur një hetim mbi këtë çështje, duke ngritur dyshimet se ai nuk është rrëzuar, por është goditur me sende të forta. Madje, ky është edhe konkluzioni pas dorëzimit të raportit përfundimtar të akt-ekspertimit mjekoligjor të kryer nga doktor Elmas Shaqiri më datë 18 maj të 2012-s. Sipas këtyre të dhënave, mësohet se çështja po hetohet nga prokurori Gjon Kodra, i cili tashmë ka përfunduar një sërë veprimesh hetimore, duke ngritur dyshimet se agjenti Koka ka përfunduar në koma, pas goditjes në kokë që mund të ketë marrë nga persona të ndryshëm. Përveç ekspertimit, janë marrë në pyetje drejtuesi i bazës së SHISH që ndodhet në zonën e “21 Dhjetorit”, A. B. dhe eprori direkt i 39-vjeçarit Koka, F. Gj. Mësohet se të dy drejtuesit, në prokurori kanë dhënë dëshmi të ndryshme. Njëri ka treguar se e kishte gjetur agjentin Koka në vendrojën e tij të dehur dhe që mezi qëndronte në këmbë, ndërsa tjetri ka pretenduar se Koka kishte pirë tek lokali përballë ku edhe ishte rrëzuar, duke dëmtuar kokën. Pas pyetjes së tyre, prokuroria ka marrë edhe deklarimet e agjentëve D. B. dhe A. C. të cilët e kanë dërguar në shtëpi Kokën më 9 dhjetor të vitit të kaluar pa ndjenja. Sipas tyre, kolegu Koka kishte pirë dhe më pas ishte rrëzuar. Të gjitha këto fakte të çojnë në dyshime të arsyeshme për një ngjarje misterioze, që SHISH, po tenton që të mos zbardhet kurrë, ashtu siç ka ndodhur edhe me raste të tjera, siç ishte edhe vrasja dhe djegia në makinë e një funksionari të lartë të shërbimit sekret shqiptar. Red. Akt.
Misteri
Çdo vit, nga një ngjarje misterioze për familjet e punonjësve të SHISH
Julian Çela – Sivjet, më 30 nëntor u zhduk Julian Çela, djali i zyrtarit të lartë të SHISH, Skënder Çela, i cili është personi që ka hetuar për vrasjen e Isa Çopës, pasi e ka pasur vartës
“Isa Çopa”, dy vjet pa autor mbi krimin e rëndë
Zyrtari i SHISH u gjet i djegur në makinën e tij më 25 tetor të vitit 2010, në zonën e Currilave në Durrës
Misteri ka mbuluar njëra pas tjetrës ngjarjet me personazhe nga Shërbimi Informativ Shtetëror, të cilat kanë mbetur të pazbardhura. Para rastit të punonjësit Artan Koka, një zyrtar tjetër i lartë i SHISH u gjet i djegur në makinën e tij. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më 25 tetor 2010, kur në zonën e njohur si ish-reparti ushtarak në Currila është gjetur makina e tipit “Opel Corsa”, brenda të cilit ndodhej i djegur trupi i drejtorit të kundërzbulimit njëherazi zv/drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror të Qarkut të Durrësit, Isa Çopa. Policia, në vendin e ngjarjes nuk gjeti ndonjë shenjë apo provë që mund t’i dërgojë në gjetjen e autorëve të krimit makabër. Sipas ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, Çopa ishte goditur me sende të forta në kokë, por policia, me qëllim për të mbyllur këtë ngjarje, u shpreh se kishim të bënim me vetëvrasje. E deri më sot, pavarësisht se kanë kaluar dy vjet nga ekzekutimi i Çopës, nuk ka asnjë të dyshuar mbi këtë krim, ndërkohë që SHISH, institucioni më misterioz i aparatit shtetëror shqiptar, që lakohet në media vetëm kur bëhet fjalë për ta vënë nën kontrollin e politikës apo kur kërkon më shumë fonde, nuk pranon të japë as informacionin më të vogël, edhe kur bëhet fjalë për jetën e punonjësve të tij. Madje, ngjarjet po bëhen edhe më misterioze, tani që vihet re se çdo vit, nga një familje në shërbimin sekret bie pre e krimeve të ndryshme. Sivjet, i mistershëm mbetet edhe zhdukja e Julian Çelës, djali i drejtorit të antiterrorit në SHISH, ku ky i fundit ka qenë shefi i Isa Çopës dhe ka hetuar për vdekjen e tij.
Red. Akt.