30 nëntor: Juliani ka dalë nga banesa rreth orës 14:00. Ka takuar disa shokë dhe më pas ka shkuar në qendrën e internetit. Dikush e ka thirrur dhe është zhdukur
Familja: Hetimet, joprofesionale. Policia: Largim, jo rrëmbim
Zhdukja e Julian Çelës, djalit 10-vjeçar të nëndrejtorit të antiterrorit në SHISH, pasditen e 30 nëntorit në Laprakë të Tiranës, vazhdon të jetë misterioze. Sot mbushen 24 ditë nga zhdukja, ndërsa informacionet e policisë dhe të familjarëve janë shumë kontradiktore, madje ka përplasje midis tyre. Agjentët e Policisë të Komisariatit Nr.3 të Policisë, që janë marrë me këtë çështje, vazhdojnë ta kenë regjistruar ngjarjen si “largim me dëshirë nga banesa”. Ndërkohë, familjarët pretendojnë se ka dyshime se mund të jetë një rrëmbim, dhe hetimet e policisë të përqendrohen edhe në këtë pistë, duke marrë në pyetje të afërmit, shokët dhe personat që e kanë parë për herë të fundit. Megjithatë, sipas familjarëve, asnjë nga këto veprime bazë të policisë, nuk është kryer dhe për rrjedhojë, ngjarja vazhdon të jetë e pazbardhur.
Largim apo rrëmbim
Zhdukja pa asnjë gjurmë e Julian Çelës, vazhdon të hetohet nga policia e Tiranës, ku janë mbajtur nën vëzhgim shumë shokë të 10-vjeçarit, për të cilët ka dyshime se shoqërohej kohët e fundit. Madje, agjentët e policisë kanë shoqëruar dhe marrë në pyetje disa persona që pretendohet se e kanë parë disa orë dhe ditë pas 30 nëntorit, madje ka dëshmi se është parë edhe nga një shitëse në një fast-food. Megjithatë, veprimet e policisë duket se nuk janë të mjaftueshme për familjarët, të cilët pohojnë se nuk janë marrë në pyetje për të treguar hollësira për zhdukjen e Julianit. Babai, nëna, vëllai dhe dy motrat e Julianit, nuk kanë shkuar ende në polici për shpjegime, ndërsa sipas të afërmve, nuk dihet nëse është thirrur apo jo grupi hetimor. Vetë familja e Julianit nuk preferon t’i komentojë këto të dhëna, duke u mjaftuar vetëm me faktin se “kërkojmë gjetjen e Julianit dhe asnjë gjë tjetër”. Megjithatë, ata nuk hedhin poshtë informacionet sipas së cilave “ngjarja nuk është hetuar në mënyrë të plotë”. Në deklarata të mëparshme, nëna dhe motra e 10-vjeçarit, thanë se “Ne kemi shpresë dhe nuk do të ndalemi derisa ta gjejmë atë… Prandaj, ju lutemi atyre që e kanë, ta lënë të lirë që ai të kthehet pranë gjirit familjar…”, duke dyshuar për rrëmbim. Megjithatë, ndryshe nga familja, informacionet e policisë flasin se Julian Çela mund të jetë larguar me dëshirë, pasi nuk ka asnjë gjurmë rrëmbimi. Madje, ka informacione dhe dëshmitarë se është parë disa ditë pas zhdukjes në zona të ndryshme në kryeqytet. Burimet policore thanë se është identifikuar personi që thirri Julian Çelën, ndërsa ka dyshime se ai është Gëzim P., një person më i madh se Juliani, i cili shoqërohej me të miturin për një kohë të gjatë. Megjithatë, burimet policore nuk japin detaje nëse Gëzimi ka qenë personi që e ka “rrëmbyer” Julianin, ndërsa saktësojnë se kanë zbardhur vetëm një çast që ishte mister prej datës 30 nëntor. Policia e Tiranës ka dyshime të forta se 10-vjeçari, i zhdukur prej 24 ditësh, shoqërohet me një të dënuar për vjedhje, i cili është mbajtur nën vëzhgim nga agjentët e antikrimit, por deri më sot, hetimet nuk kanë sjellë asnjë të re për fatin e tij. Megjithatë, këto informacione, për familjarët, janë të pasakta dhe nga verifikimet e tyre nuk u ka rezultuar ndonjë gjë e tillë.
Denoncimi
Familjarët, të alarmuar nga mungesa 24-orëshe e 10-vjeçarit, më 1 dhjetor bëjnë denoncim zyrtar në polici. Ata vendosin foto në pemë dhe mure në të gjithë Tiranën