Qeveria shqiptare ka vendosur të anulojë zyrtarisht tenderin e shumëpërfolur të linjës së interkonjeksionit me Kosovën. “Top Channel” zotëron dokumentet zyrtare ku konsulenti njofton kompanitë private se qeveria e ka anuluar lotin e parë të tenderit. Vendimi është komunikuar dy ditë më parë. Qeveria nuk u tërhoq nga vendimi i saj për të anuluar tenderin, pavarësisht presioneve të forta që pati nga banka gjermane KfW, e cila financon projektin. Saga e tenderit ka nisur që në mars të vitit të kaluar, kur qeveria zhvilloi tenderin për ndërtimin e linjës. Formula e paracaktuar e vlerësimit nxori fituese një kompani kroate, por sapo KfW njoftoi fituesin, qeveria bllokoi procesin, pasi çmimi i fituesit ishte 8 milionë euro më i lartë se vendi i dytë. Bllokimi u kundërshtua nga banka gjermane, e cila i kërkoi qeverisë të vazhdojë me nënshkrimin e kontratës dhe të mos e anulojë tenderin, por pa rezultat. Që nga ajo kohë mes qeverisë dhe KfW ka pasur një sërë letërkëmbimesh mbi këtë konflikt. Muajt e fundit banka gjermane pranoi anulimin e tenderit, por në këmbim të disa kushteve, ku më kryesori ishte ai që qeveria, saktësisht Ministria e Financave të pranonte rezultatin e tenderit të dytë, cilido të ishte ai. Por, Ministria e Financave, në rolin e huamarrësit, nuk e pranoi dhe ka vendosur prishjen e tenderit në mënyrë të njëanshme, çka duket se do rrezikojë financimin e tij nga banka gjermane, e cila më parë kishte paralajmëruar se do të tërhiqej, nëse qeveria nuk pranon kushtin. Me këtë vendim, ndërtimi i linjës rrezikon të mbetet i bllokuar edhe për disa vite të tjera. Opozita ka akuzuar në më shumë se një rast se bllokimi është i qëllimshëm nga qeveria për të favorizuar, sipas saj, monopolin serb në tregun shqiptar të energjisë.