I konsideruar si një njeri i çuditshëm nga populli i tij dhe një gjemb në këmbë prej politikanëve, fati duket sikur nuk do ta favorizojë asnjëherë. Karli është trashëgimtari që pret të marrë vendin e së ëmës, e cila ka vendosur t’i kushtojë gjithë jetën atdheut të saj. Tashmë në moshën 64-vjeçare rrezikon të kalohet edhe nga i biri Uilliam, i cili po pret trashëgimtarin e fronit mbretëror. Historia e princit që ka kaluar jetën në këmbët e fronit dhe që s’ka arritur të ulet kurrë mbi të.
Tani që gazetat publikojnë vetëm lajme për trashëgimtarin e ardhshëm, asnjë në mbretëri nuk shqetësohet më se kur princi i Uellsit do të bëhet mbret. Maksimumi do të bëhet ndonjë sondazh për të parë sesi njerëzit e preferojnë të birin e Elizabetës II: në fron apo ashtu siç është tani, as mish e as peshk. Ndoshta kjo gjë po e gërryen edhe Karlin nga brenda, por ç’të bëjë…?
“Jam jashtëzakonisht i emocionuar që do të bëhem gjysh në këtë moshë”, u shpreh ai për lajmin që tronditi botën para disa javësh. Të njëjtën gjë kishte thënë edhe kur u martua Uilliami me Kejtin, duke shtuar me ironi se mjaft më kishin bërë “praktikë”. Tani pritet të vijë në jetë foshnja e parë e çiftit të ri Uilliam-Kejt, që për momentin nuk dihet nëse është vajzë, djalë, apo janë binjakë.
Ndoshta Karlit, lajmi i shtatzënisë së dukeshës së Kembrixhit mund t’i jetë dukur si goditja tjetër e fatit. Duket se për të, goditjet janë të njëpasnjëshme: nuk ka mjaftuar premtimi i ripërtërirë i së ëmës Elizabeta II, e cila gjatë festimeve të jubileut të diamantit, u shpreh se do t’ia kushtonte jetën vendit të saj; apo martesa përrallore e Ulliamit dhe Kejtit, ku i biri dukej tepër i dashuruar, ndërsa nusja e përmbajtur, e kujdesshme dhe që e imitonte deri në detaje Dianën. Tani duhej edhe ardhja në jetë e trashëgimtarit aq shumë të dëshiruar. Pas këtij lajmi shokues, Karlit duket sikur i largohet gjithnjë e më shumë froni mbretëror. “Kushedi se kur do të bëhem mbret”, u shpreh ai në vitin 2003, pas vdekjes së nënës mbretëreshë, udhëheqësja e tij shpirtërore dhe gjyshja e preferuar. Ndërkaq, dyshimet vazhdojnë të jenë miqtë e tij të pandarë.
“Karli dhe Kamila janë pjesë e atij brezi që të gjithë priren ta harrojnë”, shkruanin gazetat, duke fotografuar pamjen e Karlit në pritje për t’u bërë mbret. Megjithatë nga ç’duket, diçka është e qartë: që Karli nuk do ta festojë kurrë jubileun e diamantit siç ka bërë e ëma dhe kjo do të jetë e rëndë për të. I privuar nga një fëmijëri e lumtur për shkak të dy prindërve që kujdeseshin vetëm për veten, Karli zhvilloi në karakter të fortë dhe iu përkushtua karrierës ushtarake. U martua me vajzën që të gjithë ia këshilluan si të duhurën. Njomëzake dhe e vështirë, e turpshme dhe pa përvojë, Diana iu duk si gruaja e duhur që do ta çonte menjëherë në fronin e Mbretërisë së Bashkuar. Në ato pak vite të lumtura që kaloi me ish-zonjën Spenser, Karli besoi vërtet se kurora do të bëhej e tij. Por Diana e eklipsoi, u tregua më e fortë se ai, më e vendosur dhe më e pavarur. Doli jashtë parashikimeve të tij. “Mbretëresha e popullit” besonte se i shoqi e dashuronte dhe prandaj ishte martuar me të. Por kur kuptoi se nuk ishte kështu, pak nga pak filloi të dilte nga kafazi që i kishte ndërtuar familja. “Mendoje se mos isha i vetmi pjesëtar i familjes mbretërore që s’kisha të dashur”, i tha Karli një ditë së shoqes për lidhjen e pandërprerë me Kamila Parker, e cila më vonë do të bëhej gruaja e tij e dytë. Por Diana nuk pranoi të bëhej guri rezervë dhe e tronditur nga tradhtia, problemet me ulcerën, depresioni e mërzitja, i kërkoi divorcin dhe e mori atë, duke i dhënë fund edhe ëndrrës së ish-bashkëshortit për t’u bërë mbret.
Duke sikur Karli ka gjithmonë dikë që i del para dhe ia rrëmben kurorën. Në fillim ishte e ëma që ia preu hovin, ndërsa tani i biri Uilliam, i cili pret të bëhet baba. Në vitin 2008, kur Karli mbushi 60 vjeç, Uilliami u shpreh se donte të bëhej ushtar dhe jo mbret, fjali e cila u përsërit edhe kur u martua me Kejt Midëllton, por më pas, çifti filloi të shfaqej nëpër pritje të ndryshme ku “zëvendësonte” gjyshe Elizabetën. Ndërkohë Karli vazhdon të shihet si një njeri shumë i çuditshëm nga opinioni publik, si një burrë që flet me bimët dhe që i përkushtohet mbjelljes së produkteve bio. Ndërsa për politikanët është një gjemb në këmbë, pak neutral dhe me mendime të rrezikshme konservatore ose avangarde, në varësi të temave që diskutohen. Pavarësisht se duket si pjesëtari më i angazhuar i së gjithë familjes mbretërore, shoqatat e tij të bamirësisë nuk mjaftojnë për t’i dhënë postin e shumë ëndërruar.