Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi: Vendim politik që shkel të drejtat e të rinjve tanë
Vetëm një javë pasi FIFA vendosi që Kosovës t’i lejojë të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare për grupmoshat e reja, skuadrën e femrave, amatorët dhe klubet kosovare, zbardhja e plotë e vendimit të FIFA-s ka befasuar të gjithë në Kosovë.
Sipas Federatës së Futbollit të Kosovës, në shkresën e FIFA-s thuhet se Kosovës i lejohet zhvillimi i ndeshjeve miqësore, por vetëm jashtë Kosovës dhe pa simbole shtetërore, dhe zhvillimi i ndeshjeve brenda Kosovës duhet të bëhet me konsultim paraprak me Federatën e Futbollit të Serbisë.
Gjithë kjo situatë ka zgjuar reagime të ashpra dhe vendimi i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, i marrë në Tokio të Japonisë, është vlerësuar i papranueshëm për Kosovën. Ministri i Sportit, Kulturës dhe Rinisë, Memli Krasniqi, e ka vlerësuar vendimin si të papranueshëm dhe tërësisht politik.
“Ky është një vendim i padrejtë dhe i papranueshëm me të cilin FIFA rrezikon të shkelë mbi parimet themelore sportive, e mbi të gjitha të drejtat elementare njerëzore. Me këtë vendim, FIFA konteston edhe shtetësinë e Kosovës të njohur nga 98 vende, që përbejnë shumicën e shteteve anëtare të OKB-së dhe nga disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare siç janë FMN, Banka Botërore, BERZH etj. Ne këtë vendim e konsiderojmë si tërësisht politik, në kundërshtim me të drejtën e të rinjve tanë, të shtetit tonë për të qenë të barabartë në garat ndërkombëtare futbollistike”, tha Memli Krasniqi, ministri i Sportit, Kulturës dhe Rinisë.
Më tej, Krasniqi, në letrën e tij kërkon që të mbahen shpresat, sepse sipas tij, e drejta e Kosovës shumë shpejt do të realizohet dhe do të thyhet izolimi i padrejtë që po bëhet prej disa vitesh. Edhe Federata e Futbollit të Kosovës ka hedhur poshtë mundësinë që të pranojë një vendim të tillë.
Sipas FFK-së, moslejimi i zhvillimit të ndeshjeve brenda Kosovës pa konsultim paraprak me Federatën e Futbollit të Serbisë është i papranueshëm, duke kujtuar se futbolli i Kosovës ka më shumë se 20 vjet që vepron i pavarur dhe Kosova është e njohur ndërkombëtarisht nga rreth 100 shtete, dhe se Serbia nuk mund të pyetet për asgjë sa u përket çështjeve të brendshme të Kosovës. FIFA në njoftimin zyrtar të publikuar menjëherë pas marrjes së vendimit shkruan se: “Konform vendimit të marrë më 21 maj 2012 për t’i lejuar asociacionet anëtare të FIFA-s të luajnë ndeshje miqësore ndërkombëtare me ekipet nga Federata e Futbollit të Kosovës, që nuk është anëtar i FIFA-s, ekzekutivi është pajtuar të zbatojë këtë vendim për të rinjtë, amatorët, femrat dhe klubet”.