Ende pa u shuar jehona e librit me kujtime “Koha e kujtimeve” (2011),Nasho Jorgaqi vjen para lexuesve me përmbledhjen me artikuj e studime “Hire dhe shpalime historike”. Libri ndahet në gjashtë pjesë, apo kapituj, apo sythe që lexuesi mund t’i emërtojë si të dojë. Kapitulli i parë “Hire letrare” përmbledh analiza dhe komente e interpretime për gjini e autorë të ndryshëm. Këtu janë me një rëndësi të posaçme sidomos dy monografitë e vogla për lirikën shqiptare e për prozën. Autori bën një udhëpërshkim nga fillesat e lirikës shqiptare deri në vitet ’30 duke filluar me Buzukun, Budin apo Bogdanin e duke ardhur deri të Gaspër Pali apo Lasgush Poradeci. Në këtë syth tërheq vëmendjen analiza për shqipërimet e panjohura të rubairave të Omar Khajamit nga Sejfulla Malëshova (një pjesë të tyre autori i sjell edhe në libër), si dhe konsideratat për imazhin e Nolit përmes librit me fotografi botuar në nder të tij dhe me fotot e tij. Një vend të dukshëm zënë gjithashtu edhe analizat për vargjet e kujt, do të pyesni ju? Të Eqrem Çabejt. Pikërisht këtu ai ka përfshirë edhe një studim të hollësishëm për jetën dhe krijimtarinë e një poeti thuajse të panjohur. Ai quhet Muhamet Ademi dhe askush nuk e di se Ademi ka qenë bashkëkohës i Arshi Pipës e Gaspër Palit, se ka qenë një ndër të rinjtë e talentuar shkodranë të viteve ’30. Mirëpo, pas ardhjes së komunistëve, ai largohet nga Shkodra dhe humbet në Kërrabë, në fshat e punon si mësues matematike. Vetëm pas viteve ’90 ai zbulon dhe dorëshkrimet dhe poezitë që kishte shkruar në fletore e fletore pafund. Prej tyre Nasho Jorgaqi përzgjedh një vëllim, të cilin e boton bashkë me familjen e Ademit dhe i kushton atij një minimonografi për jetën dhe veprën. E bën kështu të pavdekshëm Muhamet Ademin. Ndërsa paraqitja e Jani Lilit është ndoshta zbulimi më i madh dhe ndihmesa e pazëvendësueshme që Nasho Jorgaqi i bën kulturës shqiptare. Kur ti lexon përshkrimin që autori i bën jetës dhe veprës së Janis Lilit, detyrohesh me çdo kusht që ta njohësh e ta lexosh atë. Dhe kur ti e lexon librin “Ballkani i dehur” bindesh se je përpara një shkrimtari klasik që rri me dinjitet në krah të Migjenit, Kutelit e Koliqit. Në kapitullin apo sythin e dytë “Shpalime historike”, Nasho Jorgaqi ka përfshirë qëmtime dhe analiza për dukuri të kulturës shqiptare që ose nuk njiheshin më parë, ose nuk ishin ndriçuar aq sa duhet. Ndër ato dukuri që ndriçohen më mirë, janë konsideratat e reja për ndihmesën e Nolit në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, ashtu siç janë ndriçuar në një dritë më të plotë ndihmesat e arbëreshëve të Italisë në Pavarësinë dhe bashkimin e Italisë. Ndërsa sythi i tretë, që mban titullin “Portrete”, është ndërtuar me analiza dhe hulumtime të panjohura për figura e personalitete të dalluara të kulturës shqiptare. Kjo pjesë çelet me shkrimin për figurën e profetit Muhamet të vizatuar nga Noli si për të na kujtuar edhe njëherë jo vetëm gjerësinë intelektuale të Nolit të madh, por edhe mirënjohjen e ndërsjellë që kanë shqiptarët për besimet fetare dhe profetët e tyre, të cilët dinë t’i çmojnë edhe si pasuri të historisë njerëzore. Ndërkaq, si një hulumtues i palodhur që duket se mban ngritur antenat që kapin çdo sinjal që ka lidhje me vendndodhjen e pjesëve të panjohura të trupit të kulturës shqiptare, ai të befason me Niazi Sulçen, një studiues kosovar, që sjell për herë të parë dëshmi autentike për jetën e Sami Frashërit, për stilin e tij të punës, për sjelljen e tij në një ditë të zakonshme, për banesën, bibliotekën, ushqimin që ai përdorte. Kapitulli apo sythi i katërt “Ex libris” na dëshmon përsëri për vëmendjen e madhe të autorit për botimet që ndihmojnë kulturën shqiptare. Ai shkruan për librin me kujtime të Aleks Budës, botuar nga e bija e historianit dhe personalitetit të madh e shtyhet më pas te botimi i Pëllumb Xhufit për Voskopojën apo te libri i Sofokli Lazrit për Ramize Gjebrenë e Zaho Kokën, për të kaluar më pas te monografia e Feride Paplekës për Dh. S. Shuteriqin. Më tej, ai shkruan se përveç Durheim, është edhe një zvicerane, përkatësisht Noelle Roger, që ka shkruar një libër me përshtypje për Shqipërinë, pasi e kishte vizituar atë disa herë nga viti 1912-1924.
Në sythin e pestë “Udhëtime dhe mendime” përfshihen reportazhe letrare nga udhëtimet që ka kryer autori herë në viset deradiane e herë në Ibrik-Tepe. Mirëpo udhëtimi në Qipro, në atdheun e perëndeshës së bukurisë, Afërdita, është një tekst brilant, ashtu siç është i ndier reportazhi letrar në kujtim të vajzave e grave fierake që, brenda një nate, me dhjetëra iu bashkuan Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Në sythin e fundit, në atë të gjashtin, me titull “Dialog”, Nasho Jorgaqi ka përfshirë tri intervista të gjata dhënë shtypit shqiptar. Të tria janë me një interes të posaçëm për procesin krijues të autorit dhe, qoftë ajo për anën e padukshme të romanit “Mërgata e Qyqeve”, qoftë ajo për jetën e gjatë të tijën si studiues e shkrimtar, apo ajo e para në mbrojtje të Nolit, janë tekste me rëndësi për historinë e kulturës shqiptare, në të cilën Nasho Jorgaqi zë një vend të rëndësishëm. Ndërkaq, Nasho Jorgaqi përfaqëson tipin e studiuesit klasik që e shfaq profilin e tij në disa anë. Ai këtu shfaqet historian letërsie, aty të shfaqet shkrimtar, pastaj të duket si një arkeolog, pastaj diku tjetër si një miniaturist dhe pastaj edhe si gazetar. Pikërisht këtë profil e lashë për në fund, sepse në këtë libër është edhe një reportazh. Nasho Jorgaqi është ndoshta i vetmi gazetar që ka ndërtuar një rrëfim drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes. Dhe çfarë ngjarjeje? 11 shtator 2001. Në ditën që ndryshoi drejtpeshimi i globit, ai ka qenë pikërisht atje, në Manhatan, për të takuar Rrok Camajn, shqiptarin e famshëm që pastronte xhamat e Kullave Binjake. Bashkë me Viktor Gjikën do të realizonin një film dokumentar për shqiptarët në Amerikë. Po çfarë ndodhi më pas? Lexojeni vetë. Jam i sigurt se ky libër që përmbledh të gjitha gjinitë e llojet e shkrimit letrar, është një pasuri për kulturën shqiptare, për studentët e letërsisë, por është edhe një libër i bukur që të jep kënaqësi, që të jep shumë kënaqësi kur e lexon.
