Propozohet një kompromis i përkohshëm për të shmangur rritjen e taksave në janar


Shtëpia e Bardhë u përpoq dje të shpëtojë nga dështimi bisedimet mbi krizën fiskale, pasi një plan republikan dështoi në Kongres, por shpresat janë pakësuar tashmë për shkak se sakaq po mbërrijnë pushimet e Krishtlindjeve. Në komentet e tij para se të udhëtonte për në Hauai për pushime, Obama foli për mundësinë e një marrëveshjeje të përkohshme mbi taksat dhe zgjatjen e përfitimeve të papunësisë për të shmangur efektet më negative që mund të vijnë në 1 janar nga bllokimi aktual.


“Ne na kanë mbetur vetëm dhjetë ditë për këtë. Unë shpresoj që çdo anëtar i Kongresit po mendon për këtë gjë. Askush nuk mund të marrë 100 për qind të asaj që do”, tha Obama. Ai shtoi se dëshironte të zgjaste uljet e taksave të kohës së Presidentit Bush për 98 për qind të amerikanëve. Demokratët duket se po u ofrojnë ligjvënësve republikanë një mënyrë për të zgjidhur problemin më të rëndë – skadimin e uljes së taksave – ndërsa çështje të tjera më të debatueshme si rritja e tavanit të borxhit publik dhe shkurtimet e shpenzimeve mund të vijojnë të diskutohen më vonë.


Obama u bëri thirrje ligjvënësve të përdorin pushimet e tyre për të qetësuar nervat. “Hani ca ëmbëlsira, këndoni këngë Krishtlindjesh dhe kthehuni gati për një marrëveshje”, tha ai. Bisedimet u bllokuan këtë javë kur drejtuesi i Kongresit, John Boehner, nuk arriti të bindë shokët e tij republikanë të pranojnë heqjen e masës së taksave të ulëta për amerikanët më të pasur. “Se si do të dalim nga kjo situatë, vetëm Zoti e di”, u tha gazetarëve ai.


Nëse nuk do të ketë një marrëveshje, në janar amerikanët do të përballen me taksa më të larta dhe të papunëve dhe të varfërve do t’u ndërpriten disa programe ndihmash. Rritja e menjëhershme e taksave do t’i japë buxhetit amerikan qindra miliardë dollarë të ardhura shtesë, por në këtë mënyrë rrezikohet bllokimi i ekonomisë përmes rënies së konsumit dhe rrjedhimisht, një recesion që mund të dërgojë valë tronditjesh ekonomike në të katër anët e botës.


Kompromisi i arritur mes Shtëpisë së Bardhë dhe Boehner qe që taksat të rriteshin për amerikanët me të ardhura mbi 400 mijë dollarë në vit, ndërkohë që Obama parapëlqen që taksat të rriten për familjet me të ardhura më të mëdha se 250 mijë dollarë në vit. Por kongresmenët e tjerë republikanë, të cilët janë në mazhorancë, nuk e pranuan këtë kompromis. Propozimi i dytë qe që taksat të rriteshin për familjet me të ardhura mbi 1 milion dollarë në vit, familje që përbëjnë vetëm 0.18 për qind të amerikanëve. Boehner u tërhoq kur mësoi se mes 40 dhe 50 deputetë nga 241 republikanët në Kongres, do të votonin kundër.


Obama dhe demokratët këmbëngulin që amerikanët e pasur të paguajnë më shumë taksa për të ndihmuar në reduktimin e deficitit të qeverisë federale dhe rrjedhimisht të shmangen shkurtimet e rënda fiskale. Republikanët kontrollojnë Kongresin, ndërsa demokratët kontrollojnë Senatin. Bursat dhanë shenja rënieje gjatë të premtes nga frika se SHBA-ja do të rikthehet në recesion. Por ka shumë që besojnë se në fund politikanët do të arrijnë një kompromis.