Qendrat shëndetësore


Bluzat e bardha, robotë mekanikë, plotësojnë recetat pa kryer vizita


Shpresa Mezini


Pacientë që hyjnë e dalin. Të tjerë që presin të ulur në ato pak stola që janë në qendrat shëndetësore të lagjes. Shumë prej tyre qëndrojnë në këmbë, ndonëse të pamundur, për shkak të moshës dhe gjendjes shëndetësore. Disa me bastun, të tjerë që mbahen mureve nga lodhja e pritjes për orë të tëra në radhë. Mjekë që hyjnë e dalin, disa kanë orën e pushimit, të tjerë kanë një telefonatë të rëndësishme, ndërsa një tjetër, ndoshta për shkak të lodhjes, apo për shkak të nervozizmit personal, del nga zyra dhe me intonacion më shumë sesa fyes, urdhëron për më shumë qetësi, ndryshe ka fuqinë për të mbyllur derën e jashtme dhe për të mos pritur më vizita. Pamjet që ofrojnë pjesa më e madhe e qendrave shëndetësore në lagje të ndryshme të kryeqytetit të ngjallin mëshirë, ndjesi negative, teksa shikon gjyshërit e tu të zvarriten korridoreve për të marrë atë të shkretë recetë. Data e afishuar në qendrat shëndetësore për pensionistët është pothuajse e njëjtë për çdo muaj, praktikë që nxit fluks pacientësh, pakënaqësi, radhë të gjata dhe në më të shumtën e rasteve i kthen pacientët në shtëpi, pasi orari i vizitës ka përfunduar. Por kush do t’ia dijë për këtë? Kush mban përgjegjësi? Kujt i intereson nëse zotëria rreth të 80-ave është në radhë që në orën 08:00 të mëngjesit, kur orari i vizitës ka përfunduar, pasi para tij, kanë hyrë ata që paguajnë tarifën e përcaktuar në mënyrë abuzive nga vetë mjekët. Askush.


Mjekët janë shndërruar në robotë mekanikë, që respektojnë oraret apo që i shkelin ato, ndërsa nuk kërkojnë një zgjidhje për të shpërndarë datat, rrjedhimisht fluksin që është i lodhshëm si për ata, ashtu edhe për pacientët, të cilët për shkak të moshës nuk e kanë të lehtë të dalin nga shtëpitë sa herë t’u teket mjekëve, të cilët bëjnë pushim gjatë orarit të punës vend e pavend, apo e mbyllin punën më herët, sepse duhet të bëjnë ndonjë qokë familjare. Ata qëndrojnë të ulur, në një zyrë që nuk mungon i ngrohti, ndonëse në korridore është i ftohtë i akullt, thërrasin nga brenda: “Radha”. Si për të thënë që është momenti që në zyrë të futet pacienti i radhës, fjali e gjatë për t’u përsëritur prej tyre. Mekanikisht, teksa sheh librezën dhe recetën e muajit të kaluar, bëjnë plotësimin e radhës. Procesi për ta është më shumë sesa i thjeshtë, njësoj sikur recetave të muajit të mëparshëm t’i bëjnë fotokopje, pasi mjekët nuk ndryshojnë asnjë medikament në recetën e re.


Mjekët i përcjellin pensionistët sikur të mos ishin qenie njerëzore, ata nxitojnë për të plotësuar rreshtat dhe për të mbaruar punë sa më shpejt, jo sikur të jenë në funksion të tyre, arsyeja pse qëndrojnë e mbajnë këto pozicione. Po sikur pacienti të ketë një shqetësim tjetër? Po sikur i moshuari këtë muaj të ketë ndjerë ndonjë problem shëndetësor të ndryshëm nga ato të muajit të kaluar? A i vizitojnë mjekët pensionistët në këtë rast? Jo. Një vëzhgim i detajuar i realizuar nga gazeta “Shqip” tregon se mjekët e ashtuquajtur të familjes, nuk kryejnë vizita, madje as në rastet kur kjo iu kërkohet nga vetë pensionistët. E gjithë kjo ndodh sepse ata, edhe pse mjekë, nuk e dinë që nëse muajin e kaluar pacienti e ka pasur tensionin e ulët, këtë muaj i ka ndodhur e kundërta, për rrjedhojë edhe ilaçi duhet të ndryshojë. Mesa duket, kjo është shumë e vështirë për t’u kuptuar prej mjekëve. Ata tashmë janë mësuar me rutinën dhe mendojnë se ilaçet janë domosdoshmërisht të njëjtat për çdo muaj. Mirëpo, kjo nuk është e keqja më e madhe. Tmerri nis në momentin kur kupton se monopoli që ata kanë krijuar brenda këtyre qendrave kaq të vogla, fshihet pas një 2 mijë lekëshi. Gjithçka rrotullohet rreth tij. Nëse pensionisti, apo pacienti i rastësishëm, që paraqitet për shkak të ndonjë viroze stinore, nuk e shoqëron librezën me 2 mijë lekëshin brenda, atmosfera ndryshon si pa e kuptuar, ndërsa veshët të dëgjojnë një përgjigje të rëndomtë, të thënë nga vetë mjekët: “Shko bëj analizat”. Kjo është shndërruar në praktikë pune klasike. Vetë pacientët e kanë kuptuar sesi funksionon, kështu që duan s’duan, kanë apo nuk kanë mundësi, do të duhet të japin tinëzi 2 mijë lekëshin për të marrë recetën, ndryshe sorollatja është shpërblimi më i vogël që marrin prej mjekëve.


“Kam që në orën 8:00 këtu, isha dhe dje por nuk e gjeta doktorin, mjekja e familjes, pa më vizituar fare, më tha të shkoj te kardiologu. Radha është e gjatë e unë mezi po qëndroj në këmbë. Pasi të më vizitojë kardiologu, nëse kjo ndodh, sepse sot nuk kam marrë asnjë lekë me vete, duhet të firmosë drejtoresha për t’u shtruar në spital. Nuk kam para. Mezi më del pensioni. Ça të haj unë? Duhen pagu ujë, drita. S’ia dal dot mi non. Na rropi ky shtet. Po na merr frymën. Ne jemi pensionist, jemi të sëmurë. S’kam fuqi të dal orë e pa orë nga shtëpia. Dua të mbaroj punë, po këtu s’ka njeri”, rrëfen një zonjë, 76 vjeçe, e cila vuan nga një ngushtim vene në zemër. Zonja mezi flet, ndërsa herë pas here merrte frymë me vështirësi, por kjo nuk mjafton që një nga mjekët t’i vijë në ndihmë. Nga ana tjetër, mjekët pohojnë tërësisht të kundërtën. Ata flasin për një proces normal, sikur ajo që ti shikon me sytë e tu të ishte një ëndërr, jo realitet. Të tjerë, nuk prononcohen, ngurojnë të flasin, ndërsa justifikohen se për të dhënë deklaratë për median, duhet marrë fillimisht leje tek drejtori i qendrës.


Kështu, pensionistët e shkretë, ata që mund të paguajnë janë më fatlumët, e kundërta ndodh me të tjerët, të cilët nuk paguajnë, për rrjedhojë nuk marrin as recetë. Çuditërisht, parimi: “Paguaj, që ta kesh” vlen edhe në këtë rast. Duke mos paguar, je i detyruar t’i nënshtrohesh sërish analizave, ndonëse kjo ndodh mesatarisht 1 herë në 6 muaj, ndërkohë që pacienti fatkeq është brenda këtij afati, por për një kapriço të mjekes, ai duhet të largohet, sepse ajo nuk e ka realizuar ende normën që duhet të përmbushë çdo ditë, duke qëndruar në krye të këtij posti.


Pensionistja


Kam që në orën 8:00 këtu, isha dhe dje, por nuk e gjeta doktorin, mjekja e familjes pa më vizituar, më tha të shkoj te kardiologu


Mjekët


Nuk mund të prononcohemi, sepse fillimisht duhet të merrni leje te drejtoresha. Në rast se ajo aprovon, mund të flasim për ju


Skandali


Në rast se pensionisti nuk e shoqëron librezën shëndetësore me një 2 mijë lekësh brenda, përcillet për të bërë analizat


Procesi


Mjekët e qendrave shëndetësore nuk kryejnë vizita, plotësojnë recetat e reja, njësoj si ato të muajve të kaluar