Një turmë në Pakistan sulmoi një stacion policie dhe rrahu për vdekje një mysliman të akuzuar se kishte përdhosur Kuranin. Sipas dëshmitarëve, trupit të viktimës iu vu flaka. Lajmi bëhet i ditur nga BBC.
Viktima pa emër i qe dorëzuar më herët policisë pasi faqe të djegura të një Kurani qenë gjetur në një xhami, në rajonin Dadu, 330 kilometra në veri të Karaçit. Disa orë më vonë, një turmë sulmoi komisariatin dhe vrau të dyshuarin.
Shefi i rajonit të policisë, Usman Ghani, i tha BBC se ngjarja e tmerrshme qe filmuar me telefona celularë dhe se pamjet po analizoheshin për të identifikuar fajtorët. Tridhjetë njerëz janë arrestuar deri tani në lidhje me sulmin.
Shefi i policisë në detyrë dhe pesë policë janë arrestuar nën akuzën se nuk e mbrojtën viktimën. Blasfemia është një çështje shumë e debatueshme në Pakistan, ku shumë shpesh turmat kryejnë ekzekutime të njerëzve të dyshuar. Ligjet e ashpra kundër blasfemisë në këtë vend shumë shpesh keqpërdoren për të përndjekur njerëzit nga minorancat fetare apo etnike.
Së fundmi, vëmendja ndërkombëtare u përqendrua në rastin e një vajze të vogël kristiane, Rimsha Masih, e cila u akuzua gjithashtu për djegie Kurani. Ajo u shpall e pafajshme një muaj më vonë kur një fqinj i saj tha se rasti qe sajuar, ndoshta në një përpjekje për t’i vjedhur pronën familjes së vajzës. Në vitin 2011, dy politikanë vendës u vranë, pasi propozuan heqjen e ligjeve kundër blasfemisë.