Rregullorja, mësuesit e rinj, një vit praktikë, siguracionet e paguara

Vlerësimi, 40% drejtshkrimi i gjuhës shqipe, 60% specifika e diplomimit

Fill pas festave të fundvitit, në javët e para të muajit janar të vitit 2013, radhën për t’u testuar në provimin e shtetit e kanë mësuesit. Mirëpo, kjo vlen vetëm për të diplomuarit nga viti 2009 e mbrapa. Specialistët e AKP-së sqarojnë për gazetën “Shqip” se të diplomuarit në fushën e mësimdhënies do të testohen në 15 lëndë, bazuar në specifikën e diplomimit të secilit, ndërsa një lëndë e shtuar është edhe drejtshkrimi i gjuhës shqipe. Burime në Ministrinë e Arsimit bëjnë me dije se është ngritur grupi i punës, prej 50 pedagogësh, të cilët do të hartojnë pyetjet për çdo lëndë, që sipas parashikimit do të jenë rreth 3000 pyetje për secilën. Praktika e zhvillimit të testit të shtetit për mësuesit e rinj, është e njëjtë me degët e tjera, si farmaci, infermieri, apo stomatologji. Një nga kushtet thelbësore, përveç diplomës bachelor dhe master në këtë degë, është edhe zhvillimi i praktikës profesionale, që kryhet në institucionet e arsimit 9-vjeçar e të mesëm. Kështu, të gjithë kandidatët kalues në praktikën profesionale do të kenë të drejtë të zhvillojnë provimin e shtetit, me qëllim pajisjen me licencë profesioni, e vetmja mënyrë për të lehtësuar punësimin e tyre.

Sipas të dhënave të deritanishme, mësohet se rëndësia që do të zërë drejtshkrimi i gjuhës shqipe në provimin e shtetit arrin në masën e 40%, ndërsa pjesa tjetër e njohurive mbi këtë fushë do të vlerësohet me 60%. E duke qenë se praktika është tërësisht e njëjtë me 10 profesionet e tjera të rregulluara me ligj, edhe mënyra e vlerësimit do të jetë e njëjtë, dixhitale.

Duke iu referuar rregullores së publikuar nga Ministria e Arsimit për procedurat e zhvillimit të praktikës profesionale, rezulton se mësuesit duhet të japin mësim të paktën një vit, ndërsa gjatë kësaj kohe atyre do t’u paguhen sigurimet shëndetësore e shoqërore. Sipas të dhënave, gjatë zhvillimit të praktikës ata do të monitorohen nga mësuesit më të mirë.

Në rregullore saktësohet se testimin kanë të drejtë ta kryejnë vetëm kandidatët që zotërojnë diplomë të nivelit master, përveç asaj bachelor. Sh.Mezini

Autor te 23 Dhjetor 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry