“Biznesmenët janë si desh, qeveria mund t’i kapë për fyti dhe t’i therë”, thotë ai
Haxhi Khairullah Barakzai është një histori suksesi në Afganistan: një djalë analfabet fshati është bërë milioner falë punës këmbëngulëse shumëvjeçare dhe shumë fat nga Zoti. Por për Departamentin e Thesarit të SHBA-së, ai është një nga bankierët më të mëdhenj të talebanëve, një arkitekt i një rrjeti të fshehtë që konverton opiumin e rritur nëpër fusha me dollarë të thatë, raporton “Reuters”.
Verën e kaluar, SHBA-ja dhe OKB-ja vendosën sanksione mbi “financat e terrorit” mbi Khairullahun dhe bizneset e tij 25-vjeçare të këmbimit valutor, duke ngrirë asetet e tij dhe duke i ndaluar udhëtimet. Kjo lëvizje shënoi një fazë të re në një luftë gjithnjë e më të ashpër, por shumë pak të njohur, për ndërprerjen e burimeve financiare të kryengritësve në Afganistan. SHBA-ja akuzon Khairullah për “dhënien e donacioneve monetare dhe ofrimin e shërbimeve financiare për talebanët”, të cilët përdorën shërbimet e tij të transfertave për mbështetjen e operacioneve të veta në narkotikë dhe terrorizëm. Provat në këtë rast klasifikohen si sekret, por burime në Afganistan dhe zyrtarë perëndimorë me njohje mbi bankierin Khairullah, folën për një njeri me lidhje afatgjata me talebanët dhe me tregtinë e drogës krahas bizneseve të rëndësishme të ligjshme.
Miqtë dhe ortakët e tij ndërkohë flasin për një njeri të nderuar të komunitetit, i cili, në botën e errët të tregtisë valutore të Afganistanit, nuk mund të pritet që të njohë identitetin e vërtetë të të gjithë klientëve të tij.
“Unë jam një biznesmen dhe një biznesmen është si një dash. Çdokush mes autoriteteve mund të vijë ta kapë për fyti dhe ta therë”, i tha Khairullah agjencisë “Reuters”, në intervistën e parë të dhënë që kur u vu nën sanksione. “Jeta ime është bërë ferr. Kam humbur besueshmërinë dhe reputacionin, jam deklaruar fajtor pa një vendim gjykate”, tha ai. Aktualisht bankieri është fshehur në Pakistan.
Lufta ndaj financave të talebanëve, sipas “Reuters”, duket se nuk po fitohet nga Perëndimi. Talebanët besohet se kanë arritur të fitojnë 400 milionë dollarë vitin e kaluar, përmes trafikut të drogës, donacioneve nga vendet e Gjirit Persik apo gjobave që u vënë kompanive të cilat punojnë për NATO-n në Afganistan.