Kryeministri Berisha mblodhi sot komitetin ndërministror për 100-vjetorin e pavarësisë, ku pasi vlerësoi edhe njëherë dinjitetin me të cilin shqiptarët kudo që ndodhen festuan 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, theksoi se në kuadër të këtij vitit të rëndësishëm është nevojë imediate që historia të vihet në vend. Kryeministri kërkoi që të rikthehen në atdhe eshtrat e Sami Frashërit, Mit`hat Frashërit dhe bashkëshortes së Ismail Qemalit si dhe koka e Ali Pashë Tepelenës.


“Duhet të bëjmë çdo gjë që të kthejmë nga Stambolli kokën e Ali Pashës. Është një nga personalitetet më të veçanta. Nëse marrin historinë pas vdekjes së Skënderbeut ajo u transferua në Stamboll. Ne po shkonim drejt harresës historike dhe Ali Pasha i dëshmoi botës se shqiptarët nuk kanë vdekur dhe janë një komb i pamposhtur. Ai bëri gjithçka që ta shkëpuste kombin shqiptar nga porta e lartë”, theksoi kryeministri.


Gjithashtu, kreu i qeverisë kërkoi që të bëhen përpjekjet maksimale që të kthehen në atdhe eshtrat e vëllezërve Frashëri, Sami dhe Avdyl Frashri, të cilët i vlerësoi si njerëzit që sollën në vend doktrinën perëndimore.


“Duhet të bëjmë një përpjekje të madhe për rikthimin e eshtrave të Sami Frashërit në Shqipëri.  Sami Frashëri është gjeniu i doktrinës të Shqipërisë perëndimore. Sami Frashëri ka përcaktuar rrugën më të mirë të zhvillimit perëndimor të kombit shqiptar”, tha kreu i qeverisë.


Varri i vizionarit të madh Sami Frashëri aktualisht është bosh, pasi me gjithë përpjekjet në vite të disa qeverive shqiptare, që nga mbreti Zog, qeveria turke nuk ka pranuar rikthimin e eshtrave të tij në Shqipëri, duke e konsideruar atë një personalitet të rëndësishëm të historisë dhe kulturës turke.


24 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)