Kryesoret Berisha: Zogu, jetoi dhe vdiq si antifashist. Nuk pranoi të kapitullonte

Berisha: Zogu, jetoi dhe vdiq si antifashist. Nuk pranoi të kapitullonte

373
SHPËRNDAJE

Inaugurohet në Tiranë shtatorja e derdhur në bronz e Ahmet Zogut. Shtatorja mbërriti në Shqipëri një muaj më parë dhe dje u lartësua në fund të bulevardit që mban emrin e tij, mbi strukturën e ngritur, ku duhej të vendosej në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Në ceremoninë e sotme ka marrë pjesë kryeministri Sali Berisha, pasardhësi i familjes mbretërore Princi Leka i II-të, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, krerët e partisë së Legalitetit, etj. Në fjalën e rastit, kryeministri Berisha nuk i ka kursyer vlerësimin e figurës së Ahmet Zogut, duke ngritur në piedestal meritat e tij në themelimin e shtetit shqiptar.

“Ahmet Zogu qëndroi i palëkundur në anën e shqiptarëve. Pas shpalljes së pavarësisë ky pasardhës i njërës prej familjeve më të shquara shqiptare, në vitet më të vështira të vendit do i të qëndronte palëkundur në mbështetje të Ismail Qemalit, të ndërtimit të shtetit të shqiptarëve. Në një kohë kur në tryeza diplomatik po përgatitej shuarja për fare e shqiptareve nga harta politike e Evropës. Zogu me një grup burrash të shquar të kombit organizoi Kongresin e Lushnjes, themeloi qeverinë, e cila u tha ‘Jo’ të gjitha traktateve copëtuese të Shqipërisë”,- deklaroi Berisha.

Sipas Berishës, Zogu gjithë jetën mbeti një antifashist dhe luftoi në mërgim. “Mbretëria shqiptare do të ishte viktima e parë në Evropë, e agresioni nazi-fashist. Zogu I nuk pranoi të kapitullonte por vijoi luftën në mërgim. Ishte nga të parët që u shpalli luftë pushtuesve të Shqipërisë. Ahmet Zogu jetoi dhe vdiq si një prej anti-fashistëve më të vendosur të Shqipërisë dhe Evropës”, u shpreh Berisha.

Inaugurimi i bustit të Ahmet Zogut përkon me 88-vjetorin e triumfit të Legalitetit dhe rrëzimin e qeverisë së Fan Nolit.

24 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)