Gjiganti energjetik shikohet si shpresa “antikrizë” e qeverisë. Detajet e planit dhe prodhimi


HEC-i prodhon mesatarisht 1.3 miliardë kilovat energji elektrike, me 70 milionë euro të ardhura


ARD KOLA


Në tetor të vitit 2013, hidrocentrali i Fierzës do të mbushë 35 vjet nga dita kur nisi prodhimin, ndërtuar me ndihmën e kinezëve dhe quajtur me emrin “Drita e Partisë”. Si “dhuratë” qeveria po mendon ta shesë, për të siguruar të ardhura, nisur nga fakti se vepra garanton prodhim të pashterueshëm, me kapacitet 500 megavat, ndër më të mëdhenjtë në Ballkan (pas Danubit në Serbi). Informacioni është bërë i ditur për gazetën “Shqip” nga dy burime të ndryshme brenda sektorit energjetik. “I pari” thotë se qeveria do të vendosë për shitjen brenda muajit qershor, kurse “i dyti” shkon më tej, duke thënë se shikohet si opsion shitja deri në 30 për qind të aksioneve, madje ka shprehur interes një kompani matanë detit Adriatik.


Të kontaktuar nga gazeta, drejtues të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) dhe të KESH-it e mohojnë një plan të tillë. Sipas METE-s, privatizimi duke shitur aksione është një proces kompleks që nuk mund të ndodhë “edhe në rast se do ta donte qeveria”, pasi Fierza luan rolin e rregullatorit për dy HEC-et e tjera, Komanin dhe Vaun e Dejës, duke qenë se shkarkon ujin dhe furnizon me prurje këto vepra të shtrira përgjatë lumit Drin.


Shitja e veprave energjetike nuk është proces i panjohur për vendin tonë dhe tashmë kemi të regjistruar rastet precedente. Në mandatin e parë qeverisës (2005-2009), Kryeministri Berisha, kur shpalli strategjinë e privatizimeve, i përjashtoi nga shitja veprat publike energjetike, HEC-et, pasi konsideroheshin “objekte të sigurisë kombëtare”. Në mandatin e dytë zotimi u thye dhe në vitin 2011 qeveria “Berisha 2” nisi procedurat për t’i shkëputur KESH-it 5 objektet energjetike, duke i ndarë më vete si shoqëri, me synim për t’i shitur, proces që u finalizua pak ditë më parë. Ulëza, Shkopeti, Bistrica I dhe Bistrica II, me fuqi të instaluar 80 megavat dhe prodhim vjetor gati gjysmë miliardë kilovat, do të jenë shumë shpejt në dorë të privatit, kundrejt çmimit afro 110 milionë euro. Kjo energji që këto HEC-e prodhonin nuk do të jenë më pjesë e tregut për nevojat e konsumatorit, por do të shiten gjetkë. HEC-i i pestë, Lana-Bregasi, iu shit Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, për 15 milionë euro.


HEC-i i Fierzës zë një peshë prej 30 për qind të prodhimit vjetor të energjisë elektrike. Mesatarisht prodhon në vit rreth 1.37 miliardë kolovat energji elektrike, duke siguruar po mesatarisht në vit rreth 70 milionë euro. Pra, nga shifrat kuptohet se është biznes i pastër dhe fitimprurës si për qeverinë ashtu edhe për blerësin. Problemi qëndron te siguria kombëtare, pasi Fierza qëndron në krye të dy HEC-eve të tjera dhe luan rolin e rregullatorit për menaxhimin sa më efecient të kaskadës së Drinit.


Për planin e mundshëm të shitjes, burime të ndryshme thonë për gazetën se qeveria po e shikon seriozisht si skenar, vendim që do të merret në qershor 2013, ndoshta edhe pas rezultatit të zgjedhjeve, pasi “investitori/blerësi kërkon garanci për forcën politike që do të vijë apo rrijë në pushtet). METE thotë se shitja e HEC-it rrezikon prishjen e rolit rregullator dhe sigurisë energjetike, por, nga ana tjetër, ndërtimi i HEC-it të Skavicës mund të ndryshojë skenarët. Kjo vepër e planifikuar për t’u ndërtuar prej disa vitesh, ka dështuar së realizuari me financim të huaj, pasi në tender nuk merrte pjesë asnjë kompani, ndërsa tani mësohet se qeveria do ta ngrejë me forcat e veta. Objekti me fuqi të instaluar 170-350 megavat (janë tri variante), me vlerë investimi deri në 500 milionë euro, parashikohet të pozicionohet në krye të kaskadës së Drinit dhe mendohet të jetë një rezervuar i përshtatshëm për rezervën hidrike, natyrisht duke luajtur rolin aktual të Fierzës.


Historiku


“Drita e Partisë” dhe kalimi në bursë


Pas 7 vjet ndërtimi, në tetor të vitit 1978, nisi punën turbina e parë e HEC-it të Fierzës (quajtur “Drita e Partisë”), i ndërtuar me ndihmën e shtetit kinez, i cili në korrik të po atij viti do të shënonte fundin e marrëdhënieve me qeverinë komuniste të Enver Hoxhës. Nisja e punës për prodhimin e energjisë elektrike nga Fierza u bë pikërisht në 70-vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës, duke sjellë njëkohësisht edhe dyfishim të prodhimit të energjisë elektrike. Pajisjet dhe teknologjia e ardhur nga Kina janë shkëmbyer me mineral kromi, ndërsa të gjithë koston vepra energjetike e ka shlyer pas tre vjet punë (1981). KESH ka investuar së fundmi 30 milionë euro për rehabilitimin e dy turbinave, kurse e ardhmja e gjigantit shikohet me lidhjen e tij në bursën e Zvicrës, pra me qendrën e dispeçerisë, për ta pasur më të lehtë kontrollin e tregut për shitblerjen apo shkëmbimin e energjisë elektrike.