Monopoli


Sot, negociatat për kontratën finale. Të njëjtin shërbim të shtetit do ta ofrojë privati për 10-15 vjet


Qeveria shqiptare është në diskutimet e fundit për nënshkrimin e kontratës koncesionare 10-15 vjet për shërbimin e markimit dhe të monitorimit të karburanteve, funksion që sot i luan dogana dhe Inspektorati Qendror Teknik (IQT), falë laboratorëve dhe punonjësve që kanë. Karburanti i tregtuar në vendin tonë has në problemin e cilësisë, ku në jo pak raste, subjekte abuzuese bëjnë përzierje për të përfituar sa më shumë. Për ta zgjidhur këtë problem, qeveria mendon që shërbimin t’ia japë një shoqërie koncesionare nga Austria. Pra, rolin që luan dogana dhe IQT do ta ketë kompania private, kundrejt pagesës 6 euro për 1 mijë lira, duke vendosur një pikë boje, si shenjë dalluese se “malli është në rregull”.


Vendet e BE-së e aplikojnë një procedurë të tillë, nisur nga fakti se shkalla e akcizës është e diferencuar për nga qëllimi i përdorimit të naftës: ndryshe taksohet nafta për makinat, ndryshe për bujqësinë, për avionët, anijet etj. Duke qenë se akciza është e ndryshme (jo si te ne, e unifikuar 37 lekë litri i naftës), vendet e BE-së aplikojnë formën e markimit të naftës, duke i detyruar kompanitë të vendosin një lloj boje, si formë për të shmangur abuzimet, por edhe në këtë pikë, ndryshe nga sa po miraton qeveria shqiptare, kompanitë në BE e sigurojnë vetë bojën, kundrejt çmimit konkurrues që nuk shkon më shumë se 0.4 cent euro për ton, mjafton të përmbushin standardet e kërkuara me ligj. Për naftën e makinave nuk vendoset bojë, pasi standardi është i njëjtë, mjafton të jetë 10 ppm.


Në Shqipëri do të aplikohet një sistem krejt ndryshe, i ngjashëm si te vendet e botës së tretë. Qeveria do të detyrojë kompanitë importuese dhe prodhuese të naftës në vend të marrin nga e vetmja kompani koncesionare shënjuesin (bojën), kundrejt pagesës 6 euro për 1 mijë litra, kjo tarifë, e llogaritur me sasitë e karburanteve të qarkulluara në tregun tonë, pritet të gjenerojë për subjektin monopol të këtij shërbimi më e pakta 150 milionë euro deri në 200 milionë, kjo në varësi të kohëzgjatjes së kontratës koncesionare, vendim që pritet të merret sot.


Ministria e Financave, autoriteti që po jep koncesionin, e argumenton aplikimin e këtij shërbimi nga privati me motivin e luftës ndaj kontrabandës dhe përmirësimit të cilësisë. Gazeta “Shqip” disponon kopje të draft-kontratës, ku specifikohen shërbimet që do të ofrojë shoqëria austriake “Global Fluids International”, të cilat janë të ngjashme me atë çfarë ofron sot Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe IQT, përmes laboratorëve të blerë me paratë e taksapaguesve shqiptarë prej qindra mijë eurosh. Pra, shteti i ka strukturat, për të cilat ka investuar në staf dhe pajisje, atëherë çfarë nuk shkon që këtë shërbim po ia jep një privati për mbi 10 vjet, i cili nuk do të bëjë asgjë tjetër, veçse do të hedhë një pikë bojë te karburanti në pikat doganore (det dhe tokë) dhe me anë të 6 grupeve do të monitorojë tregun? Sot çdo përzierje për qëllime abuzuese te nafta dallohet lehtësisht nga laboratori modern i doganës apo IQT-së. Ministria e Financave mund të pretendojë se punonjësit në shtet korruptohen, ndaj vendos për kontrollin e tregut një shoqëri private (po me staf shqiptar). Nëse institucionet shtetërore, që kanë përgjegjësi ligjore korruptohen lehtë, askush nuk garanton që shoqëria koncesionare private do të marrë ryshfet (privat me privat merren vesh më lehtë…).


Tjetër dilemë lidhet me autoritetin që do të kontrollojë koncesionarin. Nëse do të jetë dogana dhe IQT, apo ndonjë strukturë e përbashkët, atëherë Ministrisë së Financave i bie qëllimi, pasi nuk mundet që këto institucione “të korruptuara” të kontrollojnë koncesionarin për mënyrën se si po e bën punën.


Tjetër dyshim lidhet me bojën, e cila nuk do të ketë formulë aq “sekrete” sa mos të gjendet në ndonjë treg tjetër, ku tregtarët tanë fare lehtë mund ta gjejnë, ose më e keqja ta sigurojnë te koncesionari “kontrabandë”.


Pra, shteti shqiptar në pamundësi për të zbatuar ligjin, gjen rrugën më të lehtë për të, por më të shtrenjtë për konsumatorët, pasi kostoja ekstra 200 milionë euro fundja do të paguhet nga vetë ne dhe jo nga tregtarët, të cilët me llogari të thjeshtë e shkarkojnë (1-2 lekë më shtrenjtë litrin). Qeveria nuk forcon ligjin dhe strukturat, por zgjedh koncesionarin me gjoja pretendimin se po mbron cilësinë e naftës, por në fakt thjesht ka firmosur monopolin e radhës për përfitim personal.


A.Kola