Vendimi
Administratori i klubit “Partizani” kërkohet për trafik droge në Itali
Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në burg Paro Laçin, administratorin e klubit të futbollit “Partizani”, i kërkuar nga drejtësia italiane për trafik droge. Më herët, Gjykata e Tiranës vendosi ndaj tij masën e arrestit 40-ditor, ndërsa në gjykatë ai tha se “nuk ka arsye pse të bëj burg, më është dëmtuar imazhi. Kam jetuar në Belgjikë me identitetin tim dhe s’kam pasur probleme”. Vendimin e apeloi dhe pas shqyrtimit në apel, kjo masë shtrënguese iu la në fuqi.
Paro Laçi është dënuar nga gjykata italiane për dy episode të trafikut të drogës, në njërin rast për 31 kg heroinë dhe në tjetrin për katër kg kokainë. Ai del i implikuar për çështje droge të ndodhura gjatë 1997-1999. Sipas burimeve nga akuza, Laçi ka përdorur dy emra të tjerë, Sejdin Krasniqi dhe Paro Beshiç, gjatë trafikimit të ngarkesave të drogës drejt Italisë. Megjithatë, administratori i klubit të futbollit Partizani, gjatë zhvillimit të masës së sigurisë në Gjykatën e Tiranës tha se “nuk i kam pasur kurrë këto emra, unë jam quajtur gjithmonë me emrin Përparim apo Paro Laçi”. Laçi tha se nuk është njohur asnjëherë me akuzën që i është bërë nga pala italiane. Sipas të akuzuarit, arrestimi i tij është një lapsus dhe padrejtësi.
Zyrtari i klubit të futbollit “Partizani” nuk kishte shumë kohë i lirë. Ai la qelinë një vit më parë dhe u çlirua nga akuzat për korrupsion, pasi qëndroi nëntë muaj i izoluar. Asokohe, Paro Laçi dyshohej se në bashkëpunim me disa persona të tjerë kishin tentuar të ndikonin te gjykatësit e Apelit në Shkodër për lirimin nga burgu të të dënuarit Altin V., i dënuar me 25 vite burg për vrasje.