Top-modele, nënë e katër fëmijëve, prezantuese televizive dhe një biznesmene e suksesshme. Copëza nga jeta e një gruaje shumë të veçantë


Jeta ime e re në botën e biznesit


Në disa ditë të caktuara të vitit, puna duhet të jetë krejtësisht e ndaluar. Por për të nuk ndodh kështu. Një pasdite e zakonshme njujorkeze, mund të kalohet shumë më këndshëm nën shoqërinë e Heidi Klum-it që punon deri vonë. Në zyrën e saj, top-modelja gjermane, për shumë vite një nga figurat më të dashura të “Victoria’s Secret”, është një femër e përqendruar te puna, përveçse e bukur, dhe gjithmonë e qeshur. Ka kaluar më shumë se 20 vjet mes pasarelave, dhe profesionalizmi sigurisht që nuk i mungon. E rritur në një qytezë në rrethinat e Këlnit, Heidi nisi të sfilojë në fillim të viteve ‘90-të. Karriera e saj, vijoi me daljet në televizion dhe me krijimin, dhjetë vite më parë të talent-show-ut për stilistët e rinj, projekt “Runway”. Jo më kot mori edhe nominimin për “Emmy Awards”. Si të mos mjaftonte kjo ka dizajnuar edhe linja veshjesh, parfume, këpucë, bizhuteri, kostume banje e veshje për gratë shtatzëna apo fëmijët. Sot “perandoria” që ajo ka krijuar vlen miliona. Dhe jo vetëm. Për më tepër është edhe nënë e 4 fëmijëve. Më e madhja është vetëm 8 vjeç dha lindi nga lidhja e saj e shkurtër me Flavio Briatore, ndërsa më e vogla tre (nga martesa me këngëtarin anglez, Seal, nga i cili u divorcua në janar). Heidi është plot 39 vjeçe. Pavarësisht se duket shumë më pak. “Shumë më thonë se në moshën time duhet të filloj të ndryshoj pak stilin e jetesës. Si për shembull, të vesh veshje jo shumë të shkurtra e transparente. Të paktën kur shfaqem në publik. Zakonisht me kalimin moshës bëhesh më konservatore. Por unë nuk i vë re shumë këto gjërave. Ndoshta sepse prindërit e mi më kanë mësuar që me trupin tim duhet të ndihem mirë. Kur isha fëmijë, çdo verë, kur shkoja me pushime admiroja ato gra aq spontane që nuk kishin turp të dilnin topless edhe pse në moshën 70-vjeçare. Të duash veten tënde është gjëja më e rëndësishme që mund të bësh”. Ajo tregon se sa shumë i pëlqen të jetë e lirë: “Nuk ka asgjë të keqe të veprosh ashtu si ti e mendon pa u kushtëzuar nga askush. Jeta është e jotja dhe vetëm e jotja”, tregon. Për sa u përket ndërhyrjeve estetike top-modelja gjermane thotë se për momentin nuk ia ndien nevojën. “Më vonë ndoshta. Kurrë mos thuaj kurrë”. Vitin tjetër ajo mbush 40 vjeç, por kjo nuk e frikëson aspak. Natyra duhet të bëjë punën e saj. “Jam e gatshme si shpirtërisht ashtu dhe fizikisht për ta pritur. Madje jam duke organizuar një festë shumë të bukur. Plakja nuk më shqetëson aspak. Edhe pse, ndonjëherë kur e shoh veten në pasqyrë para një seti fotografik mendoj se sa shumë punë i duhet parukierit për të më sjellë në ‘vete’”, tregon duke qeshur. Po ashtu, vazhdon të thotë se kur nisi të bënte modelen, agjencia e këshillonte që të thoshte gjithmonë që ishte 23 vjeçe. “E bëra derisa shkova 30 vjeç, po pastaj nuk mundesha më. Më dukej e kotë. Atëherë isha goxha e famshme, kështu që mund të isha vetvetja pa e varrë mendjen për gjykimin e të tjerëve”. Të gjithë e dinë që Heidi është një nga modelet më të paguara të të gjitha kohërave. “E vërtetë, jam bërë e tillë. Por në fillim vuaja, sepse më dukej sikur nuk isha në lartësinë e duhur për sfilatat e Haute Couture. Më tepër se një bukuri komerciale, doja të isha më e veçantë. Por sot e kam kuptuar sa me fat jam: nëse pozoj ende do të thotë se bukuria ime është nga ato normalet, që nuk del kurrë nga moda”. Por në internet tani më cilësojnë më shumë si një femër sipërmarrëse e suksesshme në biznes, sesa një modele. Ajo është e përfshirë në të gjitha llojet e bizneseve. “Duke qenë se kam kaq vite që merrem me veshjet, nisa të kultivoj një pasion të veçantë për to. Njerëzit që më rrethonin më kërkonin shpesh këshilla. Kështu vendosa që ta transformoja në profesion këtë dëshirë timen, duke krijuar linja veshjesh”. Kur e pyet se nga e gjen frymëzimin ajo përgjigjet: “Në dush. Kam katër fëmijë dhe dushi është një nga të paktat vende ku mund të qëndroj qetësisht”. Ideja më e re? Një linjë aksesorësh për fëmijë 5 vjeç. “Për këtë shfrytëzova eksperiencën time si nënë dhe jam mbështetur në një kompani të madhe lodrash. Përzjeva kreativitetin tim me mbështetjen e një partneri industrial që më mban me këmbë në tokë”. Por si mund të perceptohet një grua e bukur si ajo në botën e biznesit? “Për fat bota e biznesit të modës nuk është e dominuar ekskluzivisht nga meshkujt. Dhe as nga femrat. Gjinia hyn shumë pak në këtë fushë. Rëndësi ka rezultati”. Në fund një këshillë për të gjitha nënat në karrierë: “Jashtë punës duhet gjithmonë të jemi njerëz normalë dhe fare të thjeshtë. Nëse doni një familje të bashkuar duhet të tregoni kujdes. Edhe pse jam gjithë kohës në fluturim përpiqem të kaloj sa më shumë kohë me fëmijët e mi dhe me njerëzit që dua”. Në fund, një lajm i mirë për të shuar kuriozitetin e gjithë kureshtarëve: “Lidhja ime më e re po ecën për mrekulli”.