Ndryshohet Kushtetuta, krijohet përplasje me Bashkimin Europian


Hungaria amendoi Kushtetutën e saj dhe ndaloi nënshtetasit e huaj nga blerja e tokës bujqësore në këtë vend të Europës Qendrore, një vendim që qeveria e konsideroi si “historik”, por në fakt kjo masë pritet të shkaktojë përplasje me Bashkimin Europian.


Heqja e kufizimeve për blerjen e pronave nga të huajt është pjesë e detyrimeve të anëtarësimit të Hungarisë në Bashkimin Europian, por BE-ja e pati lejuar këtë vend të bllokonte blerjet e tokës bujqësore nga të huajt në mënyrë të përkohshme.


Hungaria dhe Rumania kanë shprehur shqetësime, për faktin se çmimet e tokës bujqësore në këto vende janë shumë të lira në krahasim me nivelin ekonomik të europianëve të tjerë, gjë që i hap rrugë krijimit të latifondeve nga europianët e pasur. Toka bujqësore shitet për 500 apo 1000 euro për hektar. Moratoriumi i moslejimit të të huajve për të blerë tokë bujqësore në Hungari skadoi në vitin 2001, por u shtyu deri në prill 2014. Parlamenti i këtij vendi miratoi së fundmi amendimin e Kushtetutës për të ndaluar të huajt nga blerjet.


“Kushtetuta do të mbrojë tokat e Hungarisë si një pasuri kombëtare, si trashëgimia jonë e përbashkët, si dhe si baza e jetesës sonë. Ajo do ta mbrojë nga spekulatorët vendas apo të huaj”, deklaroi qeveria e Hungarisë. Frika e vendeve të Lindjes ishte që kompanitë e fuqishme perëndimore mund të blejnë tokat bujqësore të këtyre vendeve me çmim të lirë dhe t’ua shesin po banorëve të tyre pak vite më vonë me çmime shumë më të larta.