Rezoluta çame
Kreu i PDIU-së i përgjigjet PD: Ky nuk është mjet presioni politik, por i ndërgjegjes shqiptare
Fatjona Mejdini
Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim, Unitet, Shpëtim Idrizi, përmes një letre të gjatë, kërkoi dje mbështetjen e medias në vend për miratimin e rezolutës çame, e cila është dërguar pak ditë më parë në Kuvend për shqyrtim. Në vazhdën e një fushate të gjerë në kuadër të ndërgjegjësimit të shoqërisë shqiptare për nevojën e kësaj rezolute, Idrizi e ftoi median të jepte kontributin e saj pozitiv në mbështetje të këtij dokumenti. Sipas kreut të PDIU-së, ky dokument kishte si qëllim të vendoste dinjitetin dhe krenarinë kombëtare përballë fqinjit grek. Ai i bëri thirrje medias që të mos e shikonte këtë dokument në dritën e aleancave politike të PDIU-së dhe as të emrave që e paraqisnin ata, por të merrej me thelbin e saj dhe nevojën për marrëdhënien korrekte me palën greke, nisur dhe nga kërkesa për heqjen e ligjit të luftës që ekziston. Idrizi gjeti rastin që përmes kësaj letre t’i kthente përgjigje dhe drejtuesve kryesorë të mazhorancës, duke theksuar se kjo rezolutë nuk ishte një dokument presioni partiak, por një dokument presioni i ndërgjegjes kombëtare. Fushata e PDIU-së për miratimin e kësaj rezolute do të vijojë dhe gjatë muajit janar, ku në skenë pritet të dalin dhe personazhe të tjera të rëndësishme në mbrojtje të kësaj nisme.
Mediat
Duke argumentuar pse rezoluta çame duhej të miratohej, Idrizi fillimisht e ftoi median të mos e shihte këtë çështje, si atë të PDIU-së apo të dy deputetëve demokratë, por ta shihte si një çështje kombëtare e cila kishte nevojë për mbështetje. Sipas Idrizit, kjo rezolutë nuk i përkiste as komunitetit çam në mënyrë të veçantë, por u përkiste të gjithë shqiptarëve nisur se barbaritë dhe përndjekjet ndaj këtyre qytetarëve, kishin ardhur si pasojë e padrejtësive historike që i ishin bërë ndër shekuj vetë Shqipërisë. Si një tjetër argument, kreu i PDIU-së, shton faktin se kjo rezolutë ka dhe si qëllim t’i tregojë palës greke se shqiptarët qëndrojnë të barabartë përpara asaj, duke kërkuar pa frikë e hezitim të drejtat që u takojnë. “Ndaj ju lutem për këtë temë, veçanërisht ju drejtuesve të mediave, ta lini mënjanë peshoren farmaceutike të hapësirave për partitë politike, dhe merruni me kauzën që përfaqëson rezoluta. Ajo është dokumenti i dinjitetit tonë. Do i drejtohemi fqinjit me dinjitet, apo gjithmonë të nënshtruar siç kemi bërë përgjithësisht? Rezoluta na fton të jemi dinjitozë përballë fqinjit”, u bëri thirrje Idrizi mediave në vend, duke i ftuar gjithashtu që po të duan të mos merren fare me emrin e propozuesve, por vetëm me tekstin e këtij dokumenti. “Mos u merrni me elemente sipërfaqësore, me detaje të kontekstit tonë të brendshëm politik, por merruni me tekstin e Rezolutës dhe shiheni në kontekstin e marrëdhënieve dypalëshe”, vijon Idrizi kërkesën e tij ndaj medias.
Politika
Përmes letrës së dërguar medias, Idrizi gjeti rastin të theksojë se askush nuk duhet ta shikonte rezolutën si një dokument politik të një partie të caktuar apo në optikën e aleancave zgjedhore.
“Ju lutem mos e shihni këtë dokument as dhe në optikën e aleancave politike, parazgjedhore apo të kurdohershme. Ne nuk e shohim ashtu, ndaj iu drejtuam deputetëve, në individualitetin e tyre, dhe jo partive politike”, thekson Idrizi në letrën e tij. Po kështu, në përgjigje të Kryeministrit Berisha, i cili kërkoi shqyrtimin e kësaj nisme pa presion politik, Idrizi theksoi se ky dokument nuk mund të shihej si një mjet presioni politik, por vetëm si një dokument i cili presionin e nënkuptonte ndaj ndërgjegjes kombëtare. “Kjo Rezolutë nuk është dokument presioni ndaj askujt, aq më tepër ndaj ndonjë partie politike. Kjo rezolutë nëse është dokument presioni, është dokument i presionit të ndërgjegjes kombëtare, mbi interesat e ngushtë të një partie, të një koalicioni, të një konteksti politik. Ndërgjegjja kombëtare është e fortë dhe do triumfojë”, theksoi Idrizi në letrën e tij.
Shqyrtimi
Drejtuesit e lartë të PD-së, Kryeministri Berisha dhe kreu i grupit parlamentar, Patozi, kanë deklaruar se nisma e PDIU-së do të shqyrtohet me qetësi nga Kuvendi dhe pa presione.