Raketat
Lëshimi i raketës me rreze të gjatë nga Koreja e Veriut pak ditë më parë tregon aftësinë e këtij vendi për të goditur deri në 10 mijë kilometra distancë, njoftuan zyrtarët e Koresë së Jugut, të cilët analizuan mbetjet e raketës të gjetura në det.
Shteti komunist lëshoi me sukses një raketë që arriti të dalë në orbitë, gjë që alarmoi vendet fqinje, por shumë analistë besojnë se Koreja e Veriut nuk është në gjendje të ngarkojë raketën me një bombë atomike dhe ta dërgojë atë përtej oqeanit Paqësor. Por ekspertët e Koresë së Jugut thonë se analiza e mbetjeve tregon qartë se Koreja e ka aftësinë shkencore për të lëshuar një raketë deri në 10 mijë kilometra larg, gjë që i vendos brigjet perëndimore të SHBA-së brenda zonës së veprimit të tyre.
Ekspertët thonë se Koreja e Veriut synon të forcojë ushtrinë e vet dhe të konsiderohet si një kërcënim i mundshëm për fqinjët e vet, në mënyrë që elita komuniste e vendit të ruajë kontrollin e pushtetit. Koreja e Veriut disponon armë bërthamore, dhe thotë se po zhvillon raketa për “arsye paqësore” për hedhjen e satelitëve të telekomunikimit në hapësirë.