Demokratët mund të bëjnë sot tentativën e fundit. Meta nga Shkodra: Kujdes me ndarjen e tyre


“KQZ-ja duhet të punojë me efektivitet maksimal, sepse nuk ka kohë për të humbur, për të plotësuar të gjitha standardet e duhura për realizimin e zgjedhjeve, në mënyrë më korrekte dhe shembullore më 23 qershor. Ndaj dhe ne kemi apeluar për t’u zhbllokuar situata e fundit në KQZ”


BLEDAR HOTI


Sot skadon afati i fundit ligjor për depozitimin e kërkesës së padisë për mosmiratimin nga ana e KQZ-së të ndarjes së 140 mandateve të deputetëve për zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Nga ana e Partisë Demokratike, deri ditët e fundit nuk ka pasur një lëvizje konkrete, porse mësohet se sot mund të merret një vendim final nëse do të bëhet një ankesë për ndarjen e 140 mandateve ose jo. Çështja e mandateve të deputetëve u shqyrtua nga KQZ-ja një muaj më parë, por nuk arriti të merrte një vendim, për shkak të mosarritjes së pesë votave të kërkuara në favor të ndarjes së 140 mandateve. Pas këtij dështimi, përplasja më e madhe ka qenë për faktin nëse duhet të trajtohet në kolegj ose jo ndarja e mandateve, pasi, sipas ligjit për këtë çështje, veç KQZ-së vendos edhe Kuvendi, i cili e jep miratimin e tij. Përfaqësuesit e PD-së në KQZ, të kontaktuar nga gazeta “Shqip”, nuk kanë dhënë ndonjë reagim zyrtar në lidhje me faktin nëse kanë depozituar ndonjë kërkesë padi, në të cilën t’i kërkohet Kolegjit të ri Zgjedhor për të detyruar KQZ-në që të bëjë ndarjen e mandateve, duke i dhënë katër deputetë Qarkut të Kukësit dhe 7 atij të Beratit. Deri të dielën nuk kishte ndonjë depozitim të kërkesës së PD-së. Një tjetër çështje e debatueshme është edhe ajo për ndarjen e zonave të administrimit zgjedhor. Nëse bëhet një depozitim i tillë, atëherë kolegji brenda kësaj jave duhet të japë një qëndrim të tijin. KQZ-ja nuk e ka marrë një vendim të tillë dhe ka shkaktuar bllokimin e përcaktimit të ndarjes së ZAZ. Shkaku kryesor është ai i përplasjes me mazhorancës dhe opozitës, pasi PD-ja kërkon 98 ZAZ, ndërsa PS-ja 79 të tilla. Për këtë çështja PD-ja ka afat deri të mërkurën për të paraqitur ankesën në kolegj. Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, përfaqësues i PS-së në këtë institucion, pati deklaruar se Kolegji nuk mund ta shqyrtojë një çështje të tillë, duke kërkuar 140 mandatet e deputetëve të rikthehen në tryezën e shtatë anëtarëve. Kundër heqjes së mandatit të Qarkut të Beratit kohët e fundit është rreshtuar edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Kjo parti ka një anëtar në KQZ dhe ndryshimi i qëndrimit mund të shkaktojë përplasje të madhe me aleatët e saj në koalicionin qeveritar të PD-në. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një takimi të djeshëm në qytetin e Shkodrës, bëri apel ndaj aleatit kryesor, PD-së, që të ketë kujdes për mandatin e Qarkut të Beratit. “KQZ-ja duhet të punojë me efektivitet maksimal, sepse nuk ka kohë për të humbur, për të plotësuar të gjitha standardet e duhura për realizimin e zgjedhjeve, në mënyrë më korrekte dhe shembullore më 23 qershor. Ndaj dhe ne kemi apeluar që të zhbllokohet situata e fundit në KQZ dhe të gjithë duhet të punojmë me një frymë bashkëpunimi e konsensusi për këtë qëllim”, tha kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Zhbllokimi i situatës ka qenë apeli kryesor i lidershipit të LSI-së prej dy ditësh. Kjo parti votoi pro kërkesës së opozitës për të ngritur një komision hetimor për çështjen e popullsisë së Qarkut të Kukësit. Nisma e PS-së u rrëzua nga ana e Partisë Demokratike dhe e aleatëve të saj në Parlament. Nisur nga kjo përplasje, Meta ende nuk ka dhënë një qëndrim përfundimtar në lidhje me koalicionet në zgjedhjet e 2013-s, duke theksuar se është ende herët. “Është herët për të folur për strategjitë elektorale. Lëvizja Socialiste për Integrim u qëndron marrëveshjeve. Ne do të jemi pranë forcave që afrojnë Shqipërinë me integrimin, ndërsa për koalicione do të vendosen bordet drejtuese të LSI-së. Ne do të bëjmë gjithçka për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, ka theksuar Meta. Çështja e mandateve të 140 deputetëve duhet të kishte kaluar një muaj para, por përplasjet politike e kanë lënë pezull një çështje të tillë.


Komisioni – PS-ja paraqiti një kërkesë për komision hetimor për çështjen e Kukësit, por nuk u pranua nga PD-ja, pavarësisht se LSI-ja votoi pro


META – Kreu i LSI-së ka bërë thirrje për zhbllokimin e situatës së krijuar në KQZ, duke shprehur rezerva për mandatin e Beratit


BIBA – Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, shprehet kundër kalimit në kolegj të 140 mandateve, duke kërkuar rishqyrtim të çështjes


Kuvendi – Kodi Zgjedhor parashikon si procedurë finale votimin nga ana e Kuvendit të 140 mandateve. Më parë duhet të kalojë në KQZ